Është 86 vjeç. Poet, publicist dhe disident. Dokumentari që i shfaqet para syve, këtë javë, në Qendrën e Artit "Agimi" është historia e jetës së tij. Regjisori Sajmir Bajo e sjell si "Dekadentin nr. 2419", lituanezin me famë botërore Tomas Venclova, që ndan me "Report tv" ndjesitë e të parit momente kyçe të jetës së tij të ekranizuar.
“Është e çuditshme, do të thoja esencialisht e çuditshme. Tek ne një legjendë thotë, që njeriu pas vdekjes, udhëton diku lart, e më pas sheh për herë të fundit trupin e tij dhe miqtë e tij rreth tij. Është një ndjesi e çuditshme. Por përgjithësisht faktet e jetës sime prezantohen shkurtimisht, në momentet e saj me të rëndësishme. Jo gjithçka mund të shfaqet, por shumë prej saj është”, thotë poeti Tomas Venclova.
Me Shqipërinë lidhja është e kahershme. Vizita e parë në vitin 1995, pas së cilës i dedikoi edhe një poemë vendit tonë post komunist, u pasua me të tjera, që përcillen edhe përmes dokumentarit. Gjatë këtij rrugëtimi me vizitën në Vlorë, plotëson njohjen me të gjithë vendin tonë. Rrëfen se Tiranën e rigjen dukshëm të ndryshuar.
“Kuptohet që është absolutisht shumë ndryshe. E mbaj mend Tiranën shumë të varfër dhe të vogël. Të them të drejtën, ishte një qytet jo i pastër. Ishte diku viti 1995 kur erdha nga Bari në Durrës, mandej në Tiranë e pastaj në Gjirokastër, prej nga ku u larguam për në Greqi. Pas asaj vizite kam qenë dhe katër a pesë herë të tjera. Kështu që jam shumë i lumtur që tani prezantojmë këtë film para audiencës në Tiranë. Në të vërtetë e shijova. Është bashkëpunimi i parë mes Shqipërisë dhe Lituanisë në fushën e kinemasë. Edhe është një kënaqësi që të shikosh, se një numër jo i vogël njerëzish erdhën për ta parë atë”, shton ai.
Pjesë e aksioneve të disidentëve të Bashkimit sovjetik, themelues i Grupit Lituanez të Helsinki në 1976-ën, Tomas Venclova, u detyrua të largohej nga vendi i tij në 1977-ën. Në SHBA ku emigroi u bë një zë intelektual i njohur ndërkombtarisht. Saimir Bajo, punon për 4 vjet për ta sjellë sa më pranë reales këtë jetën e Veslovës.
“Është një dokumentar i plotë dhe i vetmi në botë për disidentin dhe poetin e famshëm Tomas Venclova i xhiruar në 5 vende të botës, në Lituani , Poloni, Shqipëri, Mal të Zi dhe në Amerikë. Është një punë e gjatë komplekse në arkiva, për të treguar një ngjarje, që jo vetëm është një portret i plotë dhe i vetëm në botë për poetin e madh Tomas Venclova, por është historia e shekullit të XX-të të Lituanisë . Dhe unë si regjisor bëra një zgjedhje të tillë, ku e pashë Tomasin si një ‘Uliks’. Dhe në fakt jeta e tij është si jeta e një ‘Uliksi’ apo ‘Odiseje’, që pasi bën të gjithë betejat dhe ka humbjet, fitoret , dashuritë e veta arrin atë majën me anë të poezisë, duke i kapërcyer ato hapësirat e një vendi të vogël si Lituania. Pra ka një empati ndaj tij, por pa e bërë atë patetike, pra për mua ai është një hero , një intelektual, poet , disident, profesor i madh, një nga eseistët më të mëdhenj të botës gjithashtu, përkthyes, pra është multidimensional , por unë kam vendosur edhe antagonistët që mund ta shikoni sepse jo gjithmonë personazhi kryesor në një vend të vogël ku ka probleme dhe me të kaluarën , ku disa çështje nuk mund të preken, si ajo e hebrenjve etj. , që unë i bëj pjesë të dokumentarit”, shprehet regjisori e bashkëskenaristi Saimir Bajo.
Pjesë e dokumentarit është edhe i ati i Tomas, një poet e politikan sovjet.
“Siç e patë në dokumentar, që babai i Tomasit ka qenë një nga poetët dhe intelektualët më të mëdhenj të Lituanisë, por ishte stalinist dhe këtë nuk ja fali deri sot një pjesë e popullatës . Nga ana tjetër, Tomasi është disident, e kundërta e asaj që qe babai i vet. Por në një farë mënyre , duke qenë se ai ishte human dhe e kishte dhe baba e thotë dhe në poezi, në dokumentar po ashtu, se “babai është baba dhe nuk është se e zgjedh. Kështu që unë jam munduar të bëj diçka që të jetë reale në pikë vështrimin tim si regjisor. Fakti që kam 30 vjet në emigrim na afroi më shumë, bëri që ta kuptoj më mirë dhe tia transmetoj këtë një publiku lituanez por edhe shqiptar e botëror”, shprehet më tej Bajo.
Në SHBA Veslova dha mësim në Berkeley dhe Yale dhe ruajti lidhje të ngushta miqësie me Anna Achmatova e Boris Pasternak, Iosif Brodskij e Czesłaë Miłosz. Në atdhe mund të kthehej vetëm pas 14 vjetësh. Ndonëse rivizatimi i hartës së Europës Lindore me Letoninë e Pavarur në 1991-shin, u dhuroi optimizëm, si një qëndrestar intelektual, konflikti në Ukrainë sot i ngjall shqetësim.
"Mund të them se pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që ka shënjuar një periudhë si ajo komuniste në Shqipëri, ne patëm 3 dekada stabilizim e jetë të lumtur. Prandaj unë isha shumë i sigurt që do të takoja fundin e këtyre ditëve të paqëndrueshme dhe të gjendjes jo të lumtur. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Tani ne kemi një problem shumë serioz në Europën Lindore dhe jo vetëm në Europën Lindore, por gjithashtu edhe afër Lindjes në Izrael e Gaza. Një problem vërtet shumë serioz dhe shumë i rrezikshëm për botën në tërësi. Nuk mundëm që të paktën të fitojmë, nuk e bëmë dot, nuk mundëm që ta bëjmë më e pakta as në Rusi. Kemi parë shumë e shumë rusë që punuan për fitore, por nuk ja dolën dot. Disa prej tyre ishin dhe në dokumentar si Alexander Ginzburg apo Natalya Gorbanevskaya. Por, në Rusi tani kemi diktaturë, që vendos në vështirësi të gjithë sistemin dhe në një pozicion të paparashikuar. Ne nuk mundëm ta parashikonim, po për shumë vite punuam, dhe shumë nga ne vazhdojmë që të punojmë akoma për këtë gjë", shprehet poeti.