Politikë

Intervista/ Ish ministri i drejtësisë: Vettingu të mbarojë sa më parë, u tejzgjat! Harta gjyqësore e KLGJ jo transparente! Politika do duhej t'i ishte nënshtruar vettingut

27 Tetor 2021, 18:24| Përditesimi: 27 Tetor 2021, 18:42

  • Share

TIRANË- Për ish-ministrin e drejtësisë Eduart Halimi sot avokat, i gjithë faji për mungesat e gjyqtarëve e prokurorëve në vend, është i institucioneve të drejtësisë së re, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor. Sipas tij, këto institucione s’kanë vizion dhe nuk janë transparente me publikun. Në një intervistë për ReportTv, Halimi thotë se vettingu duhet të kishte nisur nga politika, pasi pastrimi i drejtësisë nuk e dha efekte për klasën e korruptuar politike.

Zoti Halimi, faleminderit për mundësinë e këtij komunikimi me shikuesit e Report TV. Jeni njohur me draftin e ri, i cili shkrin 10 Gjykata të Shkallës së Parë, automatikisht edhe Prokurorinë, por nga ana tjetër, shkrin edhe 5 Gjykata të Apelit, duke i lënë ato në një të vetme në kryeqytet?

Faleminderit për këtë mundësi dhe intervistë! Më kanë kërkuar edhe kolegë tuaj të tjerë, të medieve të tjera dhe u kam thënë që ma dërgoni draftin për ta parë, në mënyrë që edhe unë të jap një vlerësim. Kolegët nuk e kanë pasur dhe fakti është që askush nuk ka një draft të raportit të përgatitur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ka vetëm një faqe të parë, një faqe të marrë nga screen-i, ku synohet pikërisht kjo që ju thatë, pra shkurtimi, ulja e numrit të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe ulja e numrit të Gjykatave të Apelit. Deri më sot, nuk kemi një dokument i cili të trajtojë me hollësi, bazuar në parimet kryesore mbi të cilat funksionon shpërndarja e numrit të gjykatave. Ajo që dua të theksoj që në fillim, është që riorganizimi i sistemit gjyqësor apo rishikimi i hartës gjyqësore, pra i rretheve gjyqësore bazuar në kompetecën territoriale duhet të bëhet, është detyrë për t’u bërë 1 herë në 5 vite. Pra, është detyrë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që i kemi ngarkuar në vitin 2016, që të bëjë rishikimin e hartës. Mund të propozojë ndryshimin ose mund të propozojë vazhdimin si në atë formë që është. Komponenti i parë ka të bëjë me procedurën, komponenti i dytë ka të bëjë me substabcën. Të dy këta komponentë duhet të udhëhiqen mbi ato parime të sanksionuara si në ligj, por mbi të gjitha në dokumentet e SEPEZH-it. SEPEZH-i është organizata lider në vropë në lidhje me organizimin dhe efiçencën e sistemit gjyqësor. Po t’i shohim me radhë këto elemente, në këtë dokument që, siç thashë, ende nuk e kemi, lidhur me procedurën transparenca është zero. Kanë pasur 5 vite në dispozicion për të bërë një dokument të tillë, qeverisja e Gjyqësorit, sepse është qeveria e Gjyqësorit KLGJ-ja. Unë vetë kam qenë jo promotori, por kam vënë kusht në emër të opozitës, që Këshilli i Lartë Gjyqësor të qeverisej vetë, të ikte ministri i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vjet pra, te Këshill i Lartë Gjyqësor.

Në fakt, kanë ikur.

Ka qenë kusht. Pra, po të kujtohet drafti i parë që erdhi, kishte ministrin e Drejtësisë brenda dhe Presidentin që vepronte me kompetenca. Sigurisht, më 2016, ne nuk e dinim se kush do të ishte më 2021 ministri, do të ishte i PD-së, i PS-së, nuk ka rëndësi. Se kush do të ishte Presidenti, i PD-së, i PS-së apo i LSI-së. Por në atë kohë ne vendosëm, thashë që kjo është meritë e opozitës së kohës që ne e vendosëm kusht, që në Këshillin e Lartë Gjyqësor të mos kishte qasje politike, të mos ishte prezent asnjë anëtar i kabinetit qeverisës. Por kjo nga ana tjetër, pavarësia duhej të lidhej me përgjegjshmërinë, duhej të lidhej me qasjen, me vizionin e një organi i cili duhej të qeverisej vetë.

Në fakt, në muajt qershor-korrik kam pasur në intervistë ministren e Drejtësisë, po ashtu edhe Kryetaren e KLGJ-së, zonjën Aurela Llagami, sepse ky draft u fol edhe përgjatë verës, u premtua konsultim publik. Sërish është premtuar konsultim publik, por drafti dhe kopja mungon. Unë kam mundur të siguroj vetëm hartën, e cila ka 12 gjykata, nga një Gjykatë të Shkallës së Parë për qark.

Drafti nuk mungon, draftin nuk e kemi ne.

E kanë institucionet.

Ata e kanë hartuar draftin, ndërkohë që Ligji Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor, thotë se “drafti duhet të hartohet bazuar në dy parime: transparencë dhe këshillim me palët”. Transparencë zero.

Pra që s’kemi një draft të ndërtuar në mënyrë ligjore.

Abolutisht. Drafti zero transparencë, drafti zero konsultim me palët. Ka konsultime, - thonë, kanë bërë një fotografi, - me Prokurorin e Përgjithshëm. Por nuk kemi diskutime. Diskutimet duhet të jenë transparente, nuk mund të thuhet se, po, drafti bën këshillim me palët sepse doli në fotografi Prokurori i Përgjithshëm me Kryetaren e KLGJ-së. Jo, ky diskutim duhet të bëhet publik. Qytetarët duhet të dëgjojnë mendimet e palëve. Qytetarët duhet të dëgjojnë mendimet e palëve të interesuara, të avokatëve, të profesioneve të tjera të lira, të gjyqtarëve, të prokurorëve sepse ky është qëllimi i një qeverisjeje efiçente të drejtësisë, që ne ia besuam anëtarëve që fatkeqësisht u zgjodhën me gogla në parlament. Dhe përsëri do të zgjidhen me gogla kur të mbarojë. Pra, zero transparente procedura deri më sot dhe zero këshillim. Tani, ky proces është i rëndësishëm sepse duhet të garantojë në substancë të drejtën e aksesit të qytetarit nga shtëpia e vet deri në gjykatën ku do të jetë. Gjykata e Apelit, lidhur me shkurtimin e këtyre Gjykatave të Shkallës së Parë, në qoftë se drafti apo dokumenti pasqyron ato që thoni ju, sepse po i marr të mirëqena që vetëm ju të Report TV e keni marrë atë dhe e keni parë.

Ajo është një hartë e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe mbeten 12 Gjykata të Shkallës së Parë dhe një Gjykatë Apeli.

Gjatë kohës që ne japim intervistën, se nuk e kemi zyrtare, mund të dalin ata dhe të thonë që e keni gabim. Unë po i referohem sikur dokumenti, faqja e parë që keni ju, është ajo që ka ndërmend të bëjë KLGJ-ja.

Unë e kam publikuar dhe KLGJ-ja nuk e ka mohuar që është ai draft.

Po e marr të mirëqenë, por gjithsesi, në mënyrë që ky proces të jetë kushtetues, të jetë ligjor, atë dokument, jo vetëm faqen e parë, por i gjithë dokumenti duhet t’i jepet publikut. Pse nuk bëhet? Sepse sigurisht kanë frikë të përballen me debatin, se kjo do të ngjallë debat, debati me juristët tregon pastaj se kush është medikoër dhe kush jo, se ka plot juristë që do të japin vlerësim mbi këtë proces, që e kishin për detyrë për ta bërë për 5 vite dhe tani që u mbaron mandati po e sjellin. Mund ta mbyllësh një gjykatë në Danimarkë dhe në Gjermani, por ai mund të vijë me tren dhe mund të ketë mjetet e shërbimit publik në mënyrë të shpejtë, të ketë akses nga banesa e vet deri këtu. Por t’u thuash qytetarëve, në qoftë se është ajo, që si ai nga Vermoshi, edhe ai nga Konispoli, do të vijnë për të gjykuar në një Gjykatë Apeli të vetme në Tiranë, kjo më duket se do një analizë të hollësishme sepse prek garantimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, për të shkuar në gjykatë.

Ky draft gjyqësor thotë që do të jemi më efiçentë me një Gjykatë Apeli, për shkak se do të grumbullohen në një dhe do të kenë mundësi të krijohen edhe trupat pastaj, se sot nuk krijohen trupat p.sh., se Gjykata e Apelit të Korçës thuajse është inekzistente.

Kur ne shkruam ligjin në 2016-n, d.m.th. që u miratua në 2016-n, që kjo duhet bërë 1 herë në 5 vite, e dinim shumë mirë se çfarë detyre po i jepnim Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pra ata që janë ulur, ne që jemi ulur dhe i kemi shkruar ligjet, i kemi menduar se çfarë do të ndodhte për 5 vite dhe pas 10 vitesh. Dhe prandaj ia kërkuam, e vendosëm detyrim ligjor për të bërë këtë analizë që thoni ju. Pra, në qoftë se një gjykatë nuk do të ishte efiçente, do të mbyllej, normal. Të tregoj rastin e Përmetit që u hap, u mbyll dhe pastaj u rihap prapë sepse kishte problematika lidhur me kanabisin apo çështje të tjera që u ngarkua shumë Gjirokastra dhe u kërkua që të rihapej prapë dhe u rihap prapë. Pra ky është një proces normal, është krejt normale, por ky proces duhet bërë brenda 5 viteve. Jo në fund të vitit, jo në fund të vitit të 5-të dhe duhet bërë transparent, diskutohet. Në qoftë se janë këto që thoni ju për t’u mbyllur një gjykatë, dakord, të merren të shqyrtohen. Prandaj duhet të ketë, siç thashë, dy parime proceduriale: këshillim me palët dhe transparencë. Kemi një Gjykatë Apeli Administrativ në të gjithë Shqipërinë.

Do të lehtësonte të gjithë sistemin gjyqësor, por u bë gangrena më e madhe ajo.

E kemi një, një gjykatë. Dhe shkonin pak dhe shihni Gjykatën e Apelit Administrativ që do të bëhet, d.m.th. duan ta bëjnë Gjykatën e Apelit Civil njëlloj si Gjykatën e Apelit Administrativ. Gjykata e Apelit Administrativ nuk funksionon, zero gjyqe, zero procese. Duhet të presësh 4-5 vite. Nuk funksionon për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve sepse janë larguar nga Vetting-u. Gjykata Administrative kur u krijua dhe kam qenë nismëtari i krijimit të saj atëherë dhe kemi miratuar edhe ligjet në bashkëpunim me EURALES-in, dhe numrin e gjyqtarëve në radhë, të gjithë procesin, u krijua që të kishim një gjykim të shpejtë, që t’i jepej shpejt përgjigje problematikës që i krijohej përgjithësisht biznesit me qeverinë, sepse këtë ka Gjykata Administrative, ose individit me shtetin, pra atë pjesën e shkeljes së të drejtave që u bën administrata individëve dhe bizneseve. Kjo është gjithë lënda që shqyrton Gjykata Administrative. Dhe kjo duhet të merrte shpejt të gjitha ato konflikte që kanë njerëzit me njëri-tjetrin, që mund të kenë dhe mund të zgjaten në një afat të arsyeshëm ligjor. Në Gjykatën Administrative këto duhet të merren shpejt. U mbyt Gjykata Administrative. Me çfarë u mbyll në 2014-n? U mbyll me një vendim të Gjykatës së Lartë që tha: “Të gjitha çështjet ku janë e ku s’janë, edhe të gjitha ato që janë para hyrjes në fuqi të Gjykatës Administrative, të shkojnë të gjithe te Gjykata e Apelit Administrativ” dhe e mbytën. Pa ardhur fare as Vetting-u, u mbyt. Në qoftë se do të bëjnë të njëjtin eksperiment, do të thotë që do të mbytet.

Ju çfarë propozoni?

Pikërisht ky është, - thashë, - qëllimi për t’u riparë e gjithë pjesa, harta gjyqësore duhet riparë, është detyrë për t’u riparë. Nuk është dëshirën, nuk është as edhe ndonjë lavdërim se unë po bëj hartën, po rishikoj hartën. Është detyrë, e ka për detyrë qeverisja e Gjyqësorit për ta bërë në kushte normale. Pra, Ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor është një ligj, i cili do të jetë jetëgjatë, ndoshta për 20 vite, i cili do të jetë edhe në kushte normale kur gjithçka të rikthehet në kushte normale. Sot nuk jemi në kushte normale, sepse Gjykata Kushtetuese akoma nuk është krijuar, e kemi me një anëtar që ka mbaruar, mezi bën kuorumin. Gjykata e Lartë sigurisht që është larg numrit të vet, nga 19 gjyqtarë ka vetëm 9, Gjykatat e Apelit janë pothuajse përgjysmë, Gjykata e Apelit Administrativ është duke u shkurtuar çdo ditë. Pse nuk plotësohen këto gjykata? Është detyrë përsëri e KLGJ-së, e qeverisë së Gjyqësorit, se ne u larguam, pra politika u largua.

Çfarë shkoi keq ose çfarë s’u parashikua ose s’u shkrua mirë në ligj, që ndodhemi këtu, ndodhemi me Gjykatë Kushtetuese të paplotë, me Gjykatë të Lartë të paplotë, Gjykatat e Apelit të paplota, Gjykatat e Shkallës së Parë drejt zbrazjes, pasi Vetting-u po i afrohet dita-ditës Shkallës së Parë dhe, nga ana tjetër, me Magjistraturën e cila nuk i plotëson dot. Minimumi, Magjistraturës i duhen 4-5 vite, duke llogaritur që një magjistrati i duhen në fakt 2 vite formim që të futet në sistem. Çfarë ndodhi?

Ka qenë mungesa e burimeve njerëzore që do të ndodhte për plotësimin e vendeve vakante që do të krijoheshin.

Pra, ishte parashikuar një zbrazje?

Ka qenë një nga vërejtjet e para të depozituara prej meje në Komisionin e Venecias në vitin 2015.

Çfarë tha Venecia?

Venecia, në dhjetor të 2015-s, thotë se “propozimet e opozitës janë të drejta, duhet riparë nëse krijimi i gjithë piramidës gjyqësore të re, krijimi i gjithë këtyre institucioneve të reja, do të plotësohet me burime njerëzore dhe i disponon apo nuk i disponon Shqipëria këto burime njerëzore”. Sepse qasja që ka pasur opozita ka qenë që Reforma e Drejtësisë duhej të ndahej në dy pjesë, në qoftë se ju kujtohet: një pjesë e cila duhej të miratohej në mënyrë të menjëhershme, që ishte Paketa Antikorrupsion, pra Vetting-u dhe krijimi i SPAK-ut; ndërsa pjesa e krijimit të institucioneve të reja, pra e të gjithë pjesës së piramidës KLGJ, KLP, KPD, e të gjitha institucioneve të tjera që do të ishin, duhej të merrte pak më tepër kohë dhe të mos fillonte shkarkimi nga lart-poshtë sepse do të bllokohej sistemi. Kur erdhëm për në Gjykatën Kushtetuese, ne kishim parashikuar që për çdo vend vakant duhej të kishte 3 kandidatë dhe kjo është normale, d.m.m. që kur të propozoheshin tri vende vakante, Presidenti duhej të kishte 9 kandidatë. Dhe ata propozuan 4 kandidatë për 3 vende vakante. Pra kjo gjë ishte parashikuar që do të krijohej. Nuk u dëgjua kjo pjesë sepse u mendua që të gjithë ekspertët e nivelit të lartë që ishin, ja jemi ne, burime njerëzore jemi edhe ne, e plotësojmë ne Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, kemi miq e shokë plot, të gjithë do ta plotësojnë. Në të vërtetë nuk ishte kështu sepse që të kaloje këta filtra duhej që të kaloje Vetting-un dhe nga ata që do ta kalonin Vetting-un me ato kritere nuk kishte. Kjo është arsyeja që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë ende bosh. Ka zero aplikime. Ju e dini. Nuk po them tani që është faji i qeverisë që nuk plotësohet Gjykata Kushtetuese. Nuk është faji i qeverisë, s’ka kandidatë. Do të shkosh në Gjykatën Kushtetuese? Shko përballu me Vetting-un selektiv të motrës, të kunatit e të tjetrit dhe pastaj po e kalove, shko në Gjykatën Kushtetuese. Vetting-u është shumë i zgjatur. Vetting-u ishte menduar që të mbaronte brenda 5 viteve, prandaj kanë supermakina, superpaga edhe KLGJ-ja, edhe KPK-ja, edhe KPA-ja, të gjithë kanë më shumë badigardë se çdo ministër i qeverisë dhe janë super të ngadaltë dhe ka plot gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e meritojnë një ditë të qëndrojnë, edhe sot, që bëjnë atë që e kam thënë para 2 vitesh në një intervistë, KÇK-në, që pastaj u mor dhe u artikulua edhe nga qeveria. Ma ka thënë një prokuror këtë që, prokuroria ku unë punoj, - tha, - është kthyer në KÇK. Çfarë është kjo? – i thashë. – Kap çfarë të kapësh, nuk e di? – Jo, - i thashë. Vetting-u është i domosdoshëm, duhet të ecë shpejt, duhet të largojë një orë e më parë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, por ng ana tjetër duhet të ketë një vizion se si do të zgjidhet kjo. Dhe këtë vizion, për të thënë të vërtetën, nuk e ka përgjegjësi as ministri Manja, as opozita. Ky vizion i është besuar që ta bëjë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli Prokurorisë, pra qeverisja e Gjyqësorit.

Nëse do të ishit në parlament, do ta jepnit votën pro zgjatjes së afatit të Vetting-ut, minimumi edhe me 2 vite, siç ka propozuar një draft mazhoranca sot?

E para, debat nëse duhet vazhduar apo nuk duhet vazhduar Vetting-u, është debat fals sepse Vetting-u do të vazhdojë. Debati është nëse duhet t’ia zgjatim apo të mos ia zgjatim mandatin 15 anëtarëve që janë të KPK-së. ky është debati. Dhe ajo që unë e kam shkruar dhe e kam thënë edhe më përpara në media, është që opozita ka zero interes në këtë debat. Ka zero interes sepse interesi i opozitës sot është që ky proces të mos jetë i kapur politikisht. Ndërkohë që anëtarët e KPK-së që janë në detyrë, që kërkohet t’u zgjatet mandati, sipas artikulimeve që vetë ka bërë opozita, janë njerëz lehtësisht të shantazhueshëm për faktin e problemeve që vetë ata nuk e kanë kaluar Vetting-un, vetë ata nuk plotësojnë kushtet Vetting-ut, kanë probleme me drejtësinë. Njëri nga anëtarët, me sa dëgjova dje, dhe ëstë larguar përfundimisht në KPA për shkak të falsifikimeve që kishte bërë. U mor vendimi për të, pra doli e vërtetë ajo që pretendohej nga SPAK-u dhe për më tepër opozita thotë që këta, anëtarët e KPK-së, janë familjarë, është motra e një ministreje në njërën anë. Kështu që ky është debati nëse nuk do të zgjatet, opozitës i thuhet që zgjat afatin që motra e ministres të vazhdojë të drejtojë dhe të bëjë Vetting-un e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. A ka ndonjë opozitë në ndonjë vend demokratik që të thotë po, unë jam dakord që motra e ministres apo kushdo qoftë, mund të jetë edhe njeriu më parimor, por motra e ministres të bëjë Vetting-un. Mund ta bëjë opozita këtë gjë? Pra këtu nuk ka interes. Por alternativa tjetër është që, në qoftë se nuk e bën motra e ministres do ta bëjë kunati i ministres tjetër. A je dakord ti me këtë gjë? Kë do, kush të pëlqen? Ajo që më intereson mua si konsumator i drejtësisë është që të përfundojë ky proces një orë e më parë, që të mos ketë asnjë kompetencë ministri apo kryeministri i radhës që të bëjë presion mbi gjykatat.

Si e shihni Shqipërinë në procesin post reformë ose Vetting ende të papërfunduar, ndryshime shumë të mëdha të institucioneve si Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme? Është më e drejtë dikur, sot, apo e parashihni më të drejtë nesër?

Reforma në Drejtësi është një proces i mirë, është një proces i cili, në qoftë se do të kishim pasur më shumë kujdes, në qoftë se, për ta thënë shumë sinqerisht, do të kishim pasur më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, dhe këtë e kam për mazhorancën por edhe për ne, në qoftë se do të kishim pasur më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, në qoftë se do të ishim treguar më vizionarë dhe jo duke menduar për emra për t’i çuar, mendoj se do të kishte qenë më mirë. Por përsëri ngelet një proces i cili solli një anë të mirë, largoi një pjesë të gjyqtarëve e të prokurorëve, dëmtoi një pjesë pa të drejtë, sepse nuk ishte një proces larg selektivitetit, pra u bë një proces selektiv, ju jeni një nga mediat që keni bërë më shumë analiza. Është një proces që sigurisht nuk mund të ishte perfekt, por që mund të ishte shumë herë më i mirë, në qoftë se do të kishim pasur më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, do të kishim pasur më shumë komunikim, do të kishim vënë më tepër interesin e një drejtësie të mirë sesa interesin për ta kapur këtë organ apo organin tjetër. Dhe këtë e kam si për ne politikanët, edhe për ekspertët të cilët u përfshinë në atë proces, që menduan më tepër se si të vendosnin njerëzit e tyre, veten e tyre në këto institucione dhe jo të mendonin se si mund të bëhej më mirë. Prandaj vendosën kritere të cilat i plotësonin 10 veta dhe pastaj është ajo që thatë ju, që shiko, se këto kritere nuk i plotëson dot njeri sepse nuk kemi burime njerëzore.

E shihni Shqipërinë që mund ta ketë shpejt Gjykatën e Arbitrazhit apo është diçka futuriste?

Jo, nuk është futuriste. Ligji për Arbitrazhin ka qenë një diskutim i hershëm. Akoma nuk është finalizuar. Unë jam zgjedhur edhe anëtar i bordit i cili merret me Dhomën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, dhe jam një ndër pesë anëtarët e bordit ekzekutiv. Është e rëndësishme që në këtë situatë sidomos ku ndodhet edhe sistemi i drejtësisë, zgjidhja e marrëveshjeve me ndërmjetësim apo nëpërmjet Dhomës së Arbitrazhit, do të ishte një zgjidhje, por ne jemi një vend i cili nuk ka shumë besim te një sistem ndërmjetësimi, përgjithësisht i besojmë sistemit gjyqësor. Pra duhet një edukim shumë herë më i madh, në mënyrë që të arrijmë që Dhoma e Arbitrazhit apo Gjykata e Arbitrazhit në Shqipëri të ketë të njëjtin impakt që kanë edhe Dhomat e Arbitrazhit edhe në vende të tjera evropiane.

I qëndroni së njëjtës ide që Vetting-u do të duhej të kishte nisur nga politika dhe pastaj në sistemet e tjera të jetës, qoftë edhe në Drejtësi, siç po funksionon?

Sa herë që diskutonim për Reformën në Drejtësi, nëse hapen procesverbalet, ka qenë vazhdimisht një diskutim i tillë që kur kolegët vendosnin dhe vendosnin kriteret për pjesën e Vetting-ut të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, e kam thënë edhe më përpara këtë gjë, që ky eksperiment duhet të fillojë në radhë të parë nga pushteti ekzekutiv, nga pushteti legjislativ dhe pastaj të vijë tek organet e tjera. Megjithatë u çmua në atë kohë që mund të kishim një sistem ekzekutiv dhe një qeveri më të mirë në qoftë se do të kishim një drejtësi më të mirë. Këto kanë qenë qëndrime të opozitës, jo të miat personale, që më përpara të bëhet ky proces, pra të pastrohet politika. Nëse pastrohet parlamenti dhe qeveria, sigurisht pastaj do të pagtrohet edhe drejtësia. Nuk u pa kështu, u pa në një mënyrë tjetër, në një kënd tjetër pasqyrimi që, nëse kemi një Gjyqësor të pastër do të pastrojë edhe politikën. E vërteta është se, unë kam ndjekur edhe ato reagimet e tua me kolltukun, por po kalojnë shumë kohë dhe asgjë nuk po ndodh. Mendoj që problemi i madh që ka drejtësia në Shqipëri nuk janë vetëm vonesat, por që qeveria nuk e ka frikë drejtësinë. Ky është problemi i madh. Ndërkohë kryeprokurorin kroat, kur e kam takuar atëherë gjatë një darke zyrtare, e pyeta: “Çfarë marrëdhënije keni ju me kryeministrin?”, ai më tha: “Kryeministri ka frikë. Edhe kur më shikon në aktivitete publike, edhe ndërkombëtare, më shikon me frikë. Dorën as që bëhet fjalë të ma japë”. Pra, ajo dita kur qeveria, kushdo qoftë ajo, kur parlamenti, kushdo qoftë ai, do të ketë frikë nga prokurori kur ta shikojë në rrugë, atëherë do të themi se ka ardhur dita kur drejtësia dhe ligji funksionon. Dita, shfaqja kur prokurori pi shampanjë me ministrin, është shfaqja më e shëmtuar që drejtësia s’ka për të triumfuar.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 28/10/2021 03:10

    Vetingu nuk mund te fillonte nga politika.E imagjinon dot nje Sali,apo Like te denohen nga njerez si Gjin Gjoni,apo Llalla te katapultuar ne ato poste nga po keta politikane?Sales i beri veting Amerika dhe prape hedh vickla.Imagjino sikur ne vend te Amerikes te ishte nje komision,ose gjykate shqiptare si ajo per vetingun e gjyqtareve.Imagjino Salen t'a hidhte ne apel vendimin sic po ben ne France me Blinken,imagjino tani nje Gjon,Llalle,apo Hajdari t'a rinxirnin Salen qelibar fare dhe te hidhnin poshte vendimin e shkalles se pare?Jo vetingu i drejtesise duhet te jete i pari dhe jo t'i zgjatet afati,perkundrazi te jete gjithmone,me qellim qe gjeneratat e ardhshme te mos mendojne se u dogj kush u dogj ne fillim,tani i erdhi fundi dhe ne jemi te rinj ne zanat,nuk kane per te na kontrolluar si gjykatesit e pare.Korrupsioni nuk ka as kohe,as moshe.prandaj vetingu s'duhet nderprere kurre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?