Intervista/ Kadri Roshi tejmbush teatrin në 100-vjetor, i biri: Sa kohë që njerëzit e mbajnë në shpirt, ai është gjallë! Teatri qe shtëpia e tij e dytë, iku me një brengë

12 Janar, 18:39| Përditesimi: 13 Janar, 00:11

  • Share

Kadri Roshi “rikthehet” në teatër. Kanë kaluar 17 vjet prej kur mungon fizikisht, por salla e teatrit Eksperimental këtë mesjavë është e tejmbushur, nga kolegë e dashamirës.

“Unë do të thojë që ndoshta edhe fizikisht Kadri Roshi nuk ka ikur! Sa kohë ai lëviz, flet, njerëzit e shohin, e mbajnë në shpirtin e tyre ai është gjallë”, shprehet i biri, aktori Kliti Roshi.

Me rastin e 100-vjetorit, familjarët kanë dashur ta risjellin pranë publikut edhe përmes një dokumentari (nga Gjergji Pano).

 Ikonë e skenës dhe kinematografisë, Kadri Roshi kujtohet gjatë kësaj mbrëmje me rolet e tij, që ndonëse shumica karaktere u skalitën në memorien e dashamirësve. Apo edhe me kryerolet në teatër si ai “Arturo Ui”.

“Në vitin ’71 kur është shfaqur ‘Arturo Ui’ provat kanë zgjatur  rreth 6 muaj dhe me shfletimin, studimin që ka bërë Kadri Roshi me rolin e Adolf Hitlerit mund të them se ia kalonte dhe historianit më të fortë gjerman”, tregon i biri, si shembull për punën e palodhur të të atit në përgatitjen e roleve.

Por edhe me këngë si bir mallakastriot, poezi apo mbresat e miqve e kolegëve, disa prej të cilave vijnë tanimë edhe në librin “Kadri Roshi në jetët e të tjerëve”.

“Me sa arrita të kuptoj (nga shkrimet e të tjerëve në libër) një nga elementët kryesorë të karakterit të Kadri Roshit del se është thjeshtësia!”, shton i biri.

I biri Kliti rrëfen se e kishte dhe një personazh që do kishte dashur ta jetësonte në film.

“Rol të papërmbushur, ai e ka pasur ëndërr, brengë, plagë të cilën e mori me vete që ishte Ali Pashë Tepelena” , tregon më tej.

E kujton si një baba të përkushtuar, ndonëse siç rrëfen në familje ishin të vetëdijshëm se Kadri Roshi, nuk u përkiste vetëm atyre.

“Kadri Roshi ka pasur dy shtëpi, një tek ‘Mine Peza’ ku sot jetoj unë dhe tjetrën në Teatrin Popullor”, thotë i biri.

Shtëpia e tyre siç thotë ai shpesh shndërrohej në një miniskenë, ku ai bënte provat për shfaqjen e radhës.

“Edhe shtëpia për të ishte pune, një prej dhomave përdorej si studio për provat. E mandej në teatër ai shkonte të ballafaqohej e jo të bënte prova”, tregon Kliti.

Në këtë mbrëmje rrëfehet edhe për Kadri Roshin, si kritik i i politikës, që përmes Namik Dokles u la porosi ‘ të përzgjedhurve’  “që ta duan Shqipërinë më fort se partinë”.

“Ka mbajtur vërtetë një qëndrim kritik, ai pavarësisht se forca që ai simpatizonte mund të ishte në pushtet ai sërish bënte opozitë”, rrëfen.

Por sigurisht që antikonformizmi në vendin tonë e ka një kosto.

“Për afro 10 vjet nuk i dhanë rol, nuk e aktivizionin sepse vërtetë që arti i shërben në një lloj mënyre edhe politikës, por kjo s’do të thotë se politika mund të vërë dorë mbi artin!”, thotë aktori.

Ky ritakim, rikonfirmoi sërishmi gjurmët e pashlyeshme të Kadri Roshit, që e përjetësoi emrin e tij.

“Jo vetëm për mua, por për të gjithë, ishte, është dhe do të jetë gjithmonë pranë nesh”, tregon Maksi, nipi i Kadri Roshit.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?