Studiuesi arbëresh Matteo Mandala

Intervista/ Matteo Mandala: Skënderbeu figurë e lartë europiane. Ja pse u konsiderua “Atlet i Krishtit”

1 Gusht 2018, 08:19| Përditesimi: 1 Gusht 2018, 16:25

  • Share

Skënderbeu për Europën është një figurë shumë më e lartësuar se vetë mitet që arbëreshët kanë krijuar për të. Debateve për Skënderbeun, hipotezave të historianëve të huaj e shqiptarë që grinden me njëri-tjetrin, nëse është Skënderbeu një mit apo hero i vërtetë, studiuesi arbëresh Matteo Mandala në një intervistë për “Shqiptarja.com” u jep përgjigjen më të saktë.

Duke pranuar pa hezitime nacionaliste faktin shkencor se mitet kanë rrjedhur si shpikje e kulturës arbëreshe, si nevojë për të rindërtuar e rilindur kulturën e tyre në Itali nga fundi i shekullit të 17-të, nga ana tjetër Mandala e zbulon prej arkivave Skënderbeun si një hero të Europës. Sipas Mandalasë, Skënderbeu është heroi që bashkoi perëndimin: ku pas Papa Piut që e ngriti Skënderbeun në piedestal 5 shekuj më parë, jo më pak se 50 vjet më parë Papa Pavli i gjashtë e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Europa. Intervista e Matteo Mandalasë për “Shqiptarja.com” zbulon siparin e tezave të tjera kërkimore në histori, për të cilat ai thotë se duhet bërë një punë e madhe nëpër arkiva ende të paeksploruara.  

 

Profesor Mandala, cilat janë ato faqe të munguara të historisë së Skënderbeut që duhen t’i bëhen të ditur botës akademike shqiptare nga jeta dhe vepra e tij. Çfarë mungon në thelb për të plotësuar figurën e tij historike?

-Në thelb nuk është se mungon diçka në shërbim të njohjes së figurës historike të Skënderbeut. Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka pasur edhe vite më përpara studime për veprën e tij, mbi veprimtarinë e tij, por edhe mbi mitin që është krijuar pas vdekjes së Skënderbeut. Problemi mund të jetë i njohjes së epokës skënderbejane, në mënyrë që duhen zbuluar materialet e e kësaj epoke  që ruhen nëpër arkivat italiane. Dhe të kuptojmë më mirë ku ishte vendosur, në cilin kontekst historiko-politik qe vendosur Skënderbeu. Kjo është veçanërisht me rëndësi edhe për të vendosur që disa nga këto dukuri shoqërore dhe kulturore kanë lindur nën egjidën e Skënderbeut.  Kjo është një diçka që neve nga kjo pikëpamje na mungon. Por mund të themi se monografitë, domethënë ato që merren me rindërtimin e biografisë skënderbejane janë interesante. Mund të jenë pak të mitizuara apo pak të demitizuara, por gjithsesi janë kontribute të vlefshme.

Arkivat gjithmonë e më tepër dëshmojnë se Skënderbeu ishte mirëfilli heroi i Europës dhe i përkiste si figurë asaj, e cila e njihte me titullin princ i Arbrit. Si mendoni ju, pse nuk mjafton kjo që shqiptarët të jenë në mënyrë natyrale pjesë e Europës?

-Skënderbeu është figurë e lartë e kulturës europiane nga shumë këndvështrime. Dua ta nis nga akti i Papa Pavli VI, i cili në vitin 1968, duke shfrytëzuar përvojën e arbëreshëve sicilianë e ngriti lart figurën e Skënderbeut si një nga simbolet mbi të cilën duhej ndërtuar në atë periudhë, para 50 vjetësh Europa, dhe e  ka bërë këtë duke e ditur mirë që vet Pavli VI qe një pararendës i Piu II, i cili kishte imagjinuar, kishte shpikur imazhin e Europës duke ndjekur pikërisht veprimtarinë e Skënderbeut. I pari që ka ngritur lart emrin e tij, ka qenë pikërisht miku i Skënderbeut Papa Piu II.  Tani pse arriti atje Skënderbeu?!.. Sepse Skënderbeu ishte heroi që bashkoi botën perëndimore, i dha një drejtim botës perëndimore dhe i dha një vlerë të përbashkët. Mbi këtë vlerë papët, të gjithë pa përjashtim, e kanë parë Skënderbeun si Defensor Fidei, si një Athleta Christi, e në kuptimin jofetar të fjalës,  por si një simbol që bashkon besimtarët europianë. Këtu e ka sipas meje rolin Skënderbeu dhe atë veshjen mitike dhe këtu duhet kërkuar gjithmonë, e duhet punuar më thellë. Për shembull  ai zhvilloi, jo vetëm një shtet në kohën kur u vendosën në Europë ato monarki absolute që ishin dhe monarki nacionaliste. U përpoq ta bënte edhe për Shqipërinë. Shqipëria që ishte e mjeruar në atë kohë, krijoi njëfarë shteti dhe sidomos krijoi një rrjet diplomatik që është një habi për të gjithë neve. Kishte  lidhje e  kontakte me të gjithë mbretërit e asaj kohe, nga Venecia, në Napoli, në Romë, nga Siena, në Milano. Kudo kishte njerëz që mund të hynin në kontakt më Skënderbeun. Skënderbeu nuk nguroi kurrë që të hynte në kontakt me ta. Disa herë e bëri në mënyrë direkt me letërkëmbime dhe disa herë kontaktet i mbante nëpërmjet rrjetit të diplomatëve që ai kishte krijuar dhe kjo bëri që të ekzistonte një profil, një përfytyrim i shtetit që e kishte krijuar Skënderbeu dhe kjo është një arritje që Shqipëria pati në të njëjtën kohë kur për shembull  Spanja, Franca, Anglia, filluan të kishin ato identitete kombëtare. Kuptohet  në fazën që pararaprinë formimin e kombeve dhe të shteteve, për shembull, gjatë shekullit të 15-të. Dhe kjo ishte një konvergjencë, një bashkëpërkim kohor shumë interesant. 

Ju arbëreshët keni festa kombëtare që lidhen me figurën e Skënderbeut. A mendon siç shprehen disa studiues se  duhen të rikthehen dhe të manifestohen edhe në Shqipëri ato lloj festash?

-Jo. Ato janë të arbëreshëve. Janë  shpikje e tyre. Ata pasi mbërritën në Italinë e Jugut dhe kishin mësuar nga libri i Barletit që ishin pasardhësit e këtij kolosi të historisë evropiane, për nder të tij krijuan edhe festat. Pra nuk ekzistonin festa gjatë kohës së Skënderbeut. Janë shpikur më vonë dhe janë lidhur me traditat antropologjike që arbëreshët kishin pasuar para se të vendoseshin në Italinë e Jugut dhe deshën në një farë mënyre që t’ia kushtonin dhe Kastriotit.  Unë mendoj se festat, traditat që lidhen me antropologjinë kulturore duhet të jenë vendase që të jenë të rrënjosura në kulturën e kujtesës vetjake të popujve. Arbëreshët e  kanë shpikur mitin e Skënderbeut në momentin kur iu duhej Skënderbeu. Kur miti iu shërbente njerëzve për të zgjidhur problemet që lindin nga ballafaqimi me historinë e tyre, sepse mitet për këtë arsye lindin. Kur kanë nevojë njerëzit për të kapërcyer kontradiktat e realitetit u duhen mitet. Mitet veprojnë në këtë mënyrë. I ndihmojnë njerëzit të rezervojnë idetë  për të kapërcyer  kontradiktat. E mite veprojnë në këtë mënyrë.

Ju, profesor Mandala, keni përgatitur edhe një kumtesë dedikuar Vitit të Skënderbeut? Cili është thelbi i kumtesë suaj, çfarë risie sjell?

-Me pak fjalë unë kam përshkruar mërgimin arbëror shqiptar nga Ballkani pas rënies së perandorisë bizantine, që nga shekulli – 13-të deri në shekullin e 18-të, mërgim që vazhdoi pandërprere dhe të interesuarit ishin shqiptarët, por edhe grekët, sllavët, popujt ballkanas, të cilët për shkak të luftërave kundër osmanëve, apo për shkak të faktorëve subjektiv si mortajat epidemitë, çuan njerëz të shtresave më të ulëta në Ballkan dhe e braktisën atë dhe shkuan drejt Italisë për të jetuar. Ky është thelbi i kumtesës dhe nëpërmjet shumë burimeve arkivore që janë botuar kohët e fundit mund të rindërtojmë një lëvizje që pastaj ndodhi dhe në Itali dhe ku tregohet fakti se këta arbëreshë mund të mbështeteshin në vende të ndryshme në Itali dhe pastaj u vendosën në ato vende që sot i njohim si vendbanime arbëreshe, shqipfolëse, por dikur këto vende kanë qenë vende kalimtare. Deri në momentin kur arritën të urbanizohen dhe fituan statusin qytetarë që u jepet e drejta të barabartë me qytetarët e tjerë, që atëherë filloi dhe rindërtimi i identiteti kulturor, që e kemi në fund të shekullit të 17-të deri në fund të shek 18-të. Pikërisht këtu lind dhe kultura arbëreshe. Por kjo ka megjithatë rëndësi, sepse nëpërmjet këtyre kulturave ne jemi përpjekur të ndërtojmë atë pazëll të historisë, ku bashkojmë edhe pjesë të arkivave që të shmangim ato mitizime pa vlerë, që janë shtrembërime reale të historisë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?