Projekti për zgjerimin e arkivës në Shkozë

Intervista me drejtorin/ Bido: Nga Tirana në Shkozë, si do të jenë dy godinat e Arkivës

8 Qershor 2019, 08:16| Përditesimi: 8 Qershor 2019, 12:36

  • Share

Në 70-vjetorin e themelimit të Arkivit Qendror të Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Ardit Bido, ka bërë publike dy projekte të mëdha që lidhen me krijimin e godinës së re dhe rikonstruksionin e godinës aktuale të këtij institucioni.

Projekti u prezantuan për herë të parë në mjediset e Arkivës së Shtetit gjatë festës së 70-vjetorit, ku të ftuar të veçantë, studiues, historianë dhe punonjës të arkivave në vite u mblodhën për të rikujtuar historikun e krijimit dhe për të diskutuar për të funksionin dhe të ardhmen e këtij institucioni.

Prezantimi i dy projekteve u bë së bashku me Drejtorin e Arkivit të Kosovës, Ramë Manaj, dhe Drejtoreshën e Arkivit të MPJ, Pranvera Dibra. Shfaqja e dokumentarit, e bërë enkas për 70-vjetorin e krijimit të Arkivit Qendror Shtetëror, u ndoq me kuriozitet dhe u duartrokit nga të ftuarit. Pjesëmarrës ishin edhe Ambasadori i Republikës Arabe të Egjiptit z.Mohamed Khalil, nënkryetari i Bashkisë, Andi Seferi, drejtues të arkivave dhe muzeve të vendit, si dhe diplomatë, arkivistë, studiues dhe mjaft personalitete të tjerë.

Ardit Bida, në një intervistë për “Shqiptarja.com”, flet për rëndësinë e këtij projekti qeveritar, duke përmendur edhe vlerat e thesareve arkivore që zotëron shteti shqiptar. Një projekt me vlera dhe rëndësi të veçantë për shkrimin perspektiv të historiografisë shqiptare, por edhe që do të na bëjë krenarë në botë për trashëgiminë që kemi; kështu e prezanton Bido rikontruksionin e godinës së bukur të viteve ‘40 të AQSHSH-së dhe modernizmin e zgjerimin e vendruajtjes së arkivave në Shkozë.    

Intervista

Zoti Bido, në këtë 70-vjetor të Arkivit Qendror të Shtetit, ju jeni në krye të këtij institucioni. Cilat janë perspektivat, vështirësitë e sfidat që keni kaluar e duhet të kaloni në punën tuaj?

-Është nder që të drejtosh Arkivën e Shtetit, që në momentin që e merr këtë detyrë. Fakti që jemi në jubileun e 70-të të themelimit të Arkivit Qendror të Shtetit nënkupton shumë gjëra. Nënkupton që arkivi është i konsnsoliduar tashmë. Nënkupton që arkivi ka sfida të cilat janë rezauruar tashmë prej vitesh e vitesh pune të palodhur të ish drejtuesve të institucionit dhe sidomos të arkivistëve, të cilët janë thelbi i këtij institucioni. Nënkupton, nga ana tjetër, se cilat janë sfidat e një të shekulli të ri, të cilat do na e bëjnë kërkimin arkivor shumë më të shpejtë, sepse ka pasur një ngadalësim, për shkak të një tranzicioni të zgjatur në vite, që normalisht ka lënë gjurmë edhe në Arkivin Qendror të Shtetit.

Dihet se në komunizëm historia ka kaluar nën “sitën” e interpretimit ideologjik. Mendoni ju se është koha për një rishkrim të historiografisë shqiptare?

-Historia  është shkruar, po rishkruhet e do të rishkruhet. Historia nuk është diçka statike, e shkruar “në gur”. Historia është dinamike dhe dinamike e bën vetë arkivi, se arkivi është materiali burimor. Kështu që një nga sfidat që kemi, është që ta bëjmë dokumentin sa më të aksesueshëm për studiuesin: ta lodhim sa më pak, të ketë kënaqësi dhe ta gjej materialin në çfarëdolloj forme. Dhe këtë besoj se e kemi realizuar në shumë pika të rëndësishme. Kujtoj se ne, që prej datës 1 korrik, do ta mbajmë hapur arkivin deri në 19.00 pasdite. Do ta mbajmë hapur edhe të shtunave, që të mos e detyrojmë studiuesin të vij në orarin e punës. Fakti që ai sot mund t’i blej online dokumentet, që mund t’i shohë në sallën e studimit disa procedura që s’janë më burokratike, por elektronike të gjitha. Kjo është një sfidë, të cilën ne e kemi përballuar dhe besoj e kemi përballuar me sukses, dhe që vjen në dobi të rishkrimit të historiografisë që është një proces i pandalshëm.

Sapo keni përfunduar projektin e restaurimit të Arkivit Qendror të Shtetit dhe atë të zgjerimit të hapësirave të reja. A e sheh me optimizëm realizimin e këtij projekti?

-Detyra jonë si institucion është që ne të bëjmë projektet, sipas standardeve dhe nevojave që ka Arkiva. Pastaj se kur do të realizohen janë çështje shumë të komplikuara. Janë çështje financimesh, çështje buxheti, çështje investimesh, të cilat nuk janë një gjë që bëhen me sot me nesër, por janë projekte që patjetër do të realizohen. Nëse nuk realizohen këtë vit, vitin tjetër. Nëse nuk realizohen sa të jem unë drejtues, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që ne kemi realizuar kushte me këtë projekt, që sa të nisin investimet të vihet në zbatim pa kokëçarje të mëdha. 

Hapësirat  e reja çfarë risish do të sjellin në shërbim të ruajtjes dhe konservimit të arkivave?

-Projektet që u prezantuan kanë të bëjnë me dy komponentë. E para, që të mbyllet investimi madhor i qeverisë shqiptare mbi vendruajtjen në Shkozë, të bëhet dhe sistemi përreth dy godinave ekzistuese; gjë që e mbyll historinë e arkivave, jo vetëm të AQSHSH-së por edhe të arkivave të sistemit që e sistemojnë atë brenda të gjitha kushteve. E dyta, është me vlerë rikonstruksioni i kësaj godine;, një godinë e bukur e viteve ’40, por që nga ana tjetër ka tre komponentë të rëndësishëm: e para bëhet më e qasshme për publikun, dhe një ambient më komod për studiuesin; e dyta ne arrijmë të krijomë edhe një muze arkivor. Ka edhe një rëndësi tjetër, sepse duhet të kujtojmë se ndonjëherë të huajt na shohin me një sy nënvleftësues në drejtim të historisë dhe kulturës që trashëgojmë, por nga ana tjetër, unë nuk kam parë asnjë të huaj që ka ardhur në arkivë e që s’ka dalë prej tij me habi të madhe dhe pa një vlerësim për trashëgiminë dhe kulturën e këtij vendi.

Meqë kujtuat të huajt, ka pasur interes prej tyre për kërkime në arkivat tona?

-Ka pasur interes. Ne tentojmë të nxisim pjesëmarrjen e tyre në arkiva. Jemi lidhur edhe me agjenci turistike që të vijnë ta shohin fillimisht arkivin. Nëse dikujt mund t’i duket Shqipëria një vend i prapambetur, një vend që nuk meriton të jetë europian e të tjera, pra ca paragjykime që janë “në modë” për ne, do të shoh këtu Kodikun e Beratit, etj, dhe ai do të ndryshojë opinionin për ne. Nëse vjen këtu dhe shikon se çfarë është ruajtur në shekuj, atëherë do kuptojë se ka të bëj me një komb të civilizuar. Jo pa krenari, të gjitha këto ne i kemi si vlera, por kjo mënyrë prezantimi është për t’iu thënë të tjerëve, se kemi shumë trashëgimi, dhe për këtë duhet të jemi ndoshta edhe pak egoistë, se ne jemi pjesë e një kombi të civilizuar që në kohërat më të hershme, dhe me një civilizim europian. Kështu që të mos e krijojnë atë përshtypje që kanë krijuar deri më sot për ne. Ne kemi krijuar këtë lloj dimensioni. Tani ne e bëjmë në mënyrë të sforcuar këtë gjë. Prandaj, një muze arkivor, ashtu siç duhet-perëndimor, do të ishte i hapur gjatë gjithë vitit për këdo. Pra në mënyrë identitare t’ua tregojmë të tjerëve se po flasim me një sivëlla, po aq europian sa ata...

Është përfolur shumë për zhdukje dhe cenime të materialeve Arkivës së Ministrisë së Brendshme. Çfarë është bërë për sigurimin e këtyre materialeve në Arkivën Qendrore të Shtetit?

-Kjo arkiv është ende në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndoshta ndryshon në të ardhmen... 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?