Ekonomi

Intervista/ Nga 1 korriku aplikohen afatet e reja për dëmshpërblimet e dëmeve të aksidenteve, nëndrejtorja e AMF: Ndryshojnë edhe policat e sigurimit

5 Qershor 2021, 16:41| Përditesimi: 5 Qershor 2021, 18:29

  • Share

TIRANË- Nga data 1 korrik fillon zbatimin ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Ndryshimet e reja ligjore kanë rishikuar edhe afatet kohore për përfitimin e dëmshpërblimit në rast të një aksidenti si dhe për herë të parë futet në zbatim Raporti Evropian i Aksidenteve. Nëndrejtorja Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) Mimoza Kaçi sqaron për Report TV lehtësitë dhe ndryshimet që ka pësuar ligji i sigurimeve.

***

Cilat janë disa nga ndryshimet ligjore në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në transport që hyjnë në fuqi në 1 korrik?

Ndryshimet ligjore në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ishin një domosdoshmëri për të reflektuar të gjitha ndryshimet dh zhvillimet në këtë treg përgjatë viteve si dhe për të adresuar disa problematika të evidentuara.

Ky ligj që hyn në fuqi në 1 korrik të këtij viti sjell disa risi, por si më të prekshme për konsumatorin, janë raporti evropian i aksidenteve, kjo është një praktikë e re që do të zbatohet në vend dhe që zbatohet edhe në disa vende të BE e që pritet të sjellë një lehtësim të të gjithë procedurave dhe dokumentacionit për dëmshpërblim nga ana e të dëmtuarve apo përfituesve dhe do të ulë afatet ndjeshëm të trajtimit dhe të pagesës së dëmeve. Një risi tjetër e ligjit është edhe rritja e limiteve të përgjegjësisë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në vlerën e dëmshpërblimin e konsumatorit. Për dëme materiale që ndodhin gjatë një aksidenti automobilistik që ndodh në Shqipëri deri në 100 mijë lekë afatet e trajtimit dhe pagesës së dëmeve ulen ndjeshëm në 14 ditë (30 ditë me ligjin e vjetër). Risi tjetër që sjell ky ligj është edhe parashikimi për njoftimin për të gjithë të siguruarit përpara përfundimit të afatit të policës së sigurimit. Autoriteti është angazhuar për të mundësuar njoftimin e të gjithë të siguruarve 15 ditë përpara përfundimit të afatit të policës së sigurimit të detyrueshëm motorik. Kjo pritet të sjellë edhe një ulje të ndjeshme të automjeteve të pasiguruara, një shqetësim i vazhdueshëm për tregun tonë.

Për herë të pare futet në Shqipëri raporti evropian i aksidenteve, çfarë parashikon dhe cilat janë përfitimet që do të kenë qytetarët në këtë rast?

Ashtu sikurse e përmenda është një praktikë e re që aplikohet në disa vende të BE-së, dhe parashikon që në rast të një dakordësimi mes palëve kur ndodh një aksident ata mund të bien dakord për vlera të dëmit nën 30 mijë lekë të reja dhe duke plotësuar këtë formular ata shmangin një kalvar të gjatë procedurash dhe letrash të përgatitura për shoqërinë e sigurimit, por mjafton të plotësojnë këtë formularë ku dakordësojnë vlerën e dëmit dhe plotësimi i formularit duhet të jetë i qartë pa gabime, dhe duhet shoqëruar me disa foto nga vendi i ngjarjes, dhe ky formular shërben edhe si kërkesë pranë shoqërisë së sigurimit, ku pas dorëzimit të dokumentacionit brenda 14 ditësh shoqëria e sigurimit është e detyruar për të trajtuar dhe për të bërë pagesën e dëmit. Po kështu në këtë linjë vijnë edhe ndryshimet e fundit e Kodit Rrugor, i cili parashikon që në rast se palët e përfshira në një aksident bien dakord ato plotësojnë formulrin miqësor është quajtur që është formulari evropian i aksidenteve pa pasur nevojë për procesverbalin e policisë dhe përfituesi mund ti drejtohet shoqërisë së sigurimit për vlerën e dëmshpërblimit.

Pra, nuk do të ketë një vlerësim të detajuar për dëmet e aksidentit por do të dakordësohen dy palët e aksidentuara për vlerën poshtë 30 mijë lekëshit?

Pra palët bien dakord që vlera e dëmit do të jetë deri në 30 mijë lekë më pas procedura e përcaktimit të vlerës së plotë të dëmit do të vijoj të përcaktohet nga shoqëria e sigurimit.

Sa % e aksidenteve kanë dëm poshtë kësaj vlere, pra më pak se 30 mijë lekë?

Sipas statistikave që autoriteti disponon vlerësohet se 30-35% e rasteve të aksidenteve të jenë nën fashës 30 mijë lekë të reja. Pra poshtë kësaj vlere.

Pak ditë më parë AMF ka publikuar edhe policat e reja të sigurimit, ku konsistojnë dhe përse këto ndryshime?

Me hyrjen në fuqi të ligjit më 1 korrik hyjnë në fuqi edhe policat e reja të sigurimit, formati i kësaj police është i miratuar nga autoriteti. Polica është përshtatur sipas parashikimeve ligjore të ligjit të ri në dallim nga policat e deritanishme këtu janë përcaktuar edhe disa detaje lidhje me Raportin Evropian të Aksidenteve si dhe vlera e limit të përgjegjësisë gjë që nuk ka qenë pjesë e policave të vjetra.

Kjo automatikisht sjell edhe rritje të vlerës së sigurimit?

Po, rritja e limiteve të përgjegjësisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së dëmshpërblimit të konsumatorit. Me datë 1 korrik limit i përgjegjësisë për dëmet materiale rritet me 50% për autovetura por edhe kamionët, autobusët pësojnë një lloj rritje. Për pjesën e autoveturave që përbëjnë 85% të mjeteve në qarkullim rritja është goxha e konsiderueshme dhe sjell një përfitim të dukshëm për konsumatorin. Limitet e përgjegjësisë për dëmet do të rriten në mënyrë progresive deri në vitin 2026. Përshembull limiti i përgjegjësisë për personin në ngjarje sigurimi  i cili që si fillim parashikohet të rritet me 10% ai rritet deri në 60% pra nga 22 milionë në 32 milionë lekë deri në fund të vitit 2026, duke pësuar rritje të përshkallëzuar.  

Ndryshime ka pasur edhe tek Fondi i Kompensimit, ku konsistojnë konkretisht?

Diçka që do ishte me interes për publikun është fakti që nëse dikush do të jetë i përfshirë në një aksident ku mjeti shkaktar i aksidentit është i pasiguruar ose i paidentifikuar, atëherë përfituesit i lind e drejta që të drejtohet tek shoqëria e tij e sigurimit e cila në këtë rast luan rolin e një enti kompensues për të kërkuar ose për të drejtuar kërkesën për dëmshpërblim pa qenë nevoja për tu drejtuar tek Byroja Shqiptare e Sigurimit.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?