Kandidati i PS, Alfred Muharremi

Politikë

Intervista/ Nga fshati SOS, kandidat për në Parlament, Alfred Muharremi: PS, e vetmja forcë që mbështet shtresat në nevojë

6 Prill 2021, 11:53| Përditesimi: 6 Prill 2021, 12:08

  • Share

Alfred Muharremi vjen nga komuniteti i fëmijëve që janë rritur pa kujdes prindëror, të cilin ai thotë se kërkon ta përfaqësojë denjësisht në Kuvend përmes kandidimit nën siglën e Partisë Socialiste.

Muharremi thekson se ky komunitet e ushqeu me disa vlera të patjetërsueshme që e udhëheqin edhe sot si besimi dhe integriteti.

“Prej 8 vitesh unë drejtoj lëvizjen e advokimit të të drejtave të fëmijeve dhe të rinjve pa kujdes prindëror në vendin tone, me realizimin e qindra projekteve të ndryshme për të cilat kemi marrë vlerësime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombetare. Kjo lëvizje më mësoi çdo nevojë që komuniteti im ka në jetën e përditshme dhe adresimi i tyre në hapësirën ligjore dhe financiare do të jetë puna ime e përditshme në parlament dhe në terren”, thotë Muharremi.

Ai shton se “vizioni i PS, i lidershipit të forcës politike më të besuar nga gjithë shqiptarët është shumë pranë vizionit tim për të bërë të mundur shfrytëzimin e çdo mjeti të nevojshëm që vendi ynë të ketë një ekonomi të fortë dhe mirëqënie për të gjithë qytetarët”.


INTERVISTA PER LEXO.AL:

– Alfred, ju në fakt jeni modeli i atyre njerëzve që i kanë arritur gjërat vetë në jetë. Vini nga komuniteti i njerëzve pa kujdes prindëror, keni punuar fort për të kryer studimet në ekonomi dhe pas studimeve punuat në sektorin bankar. Cili është mesazhi që sjell me vete angazhimi yt në politikë?

Alfredi u formua si identitet, formim dhe personalitet si forca mbi forcën. Forca që ushqeu forcën te unë është ajo pjesë e shoqërisë humane, sistemit të vlerave dhe kujdesit që më ofroi një model ndryshe, familjeje të sukssesshme. Angazhimi im është të mbroj, promovoj dhe të kujdesem për këtë model familjeje ku peshon në mënyrë të barabartë shoqëria humane dhe fëmijët e të rinjtë pa kujdes prindëror që janë familja ime.

– Cilat janë ato vlera që të ka mësuar rrugëtimi yt jetësor dhe që mendon se janë arma jote e fortë për të pasuruar si shoqërinë, si politikën, përmes këtij angazhimi të ri publik?

Vlerat që më ka mësuar rrugëtimi im jetësor është mirënjohja, besimi, forca shpresa, integriteti dhe paqja, të gjitha kaq shumë të domosdoshme për raportet e mira njerëzore dhe për ta shëndoshur vazhdimisht shoqërinë ku jetojmë. Janë vlera të cilave u qëndroj në çdo ditë timen dhe që më udhëheqin në veprimet e mia.

-Sa mendoni se do të mund të adresoni nevojat e komunitetit tuaj përmes përfaqësimit në Kuvend?

Prej 8 vitesh unë drejtoj lëvizjen e advokimit të të drejtave të fëmijeve dhe të rinjve pa kujdes prindëror në vendin tone, me realizimin e qindra projekteve të ndryshme për të cilat kemi marrë vlerësime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombetare. Kjo lëvizje më mësoi çdo nevojë që komuniteti im ka në jetën e përditshme dhe adresimi i tyre në hapësirën ligjore dhe financiare do të jetë puna ime e përditshme në parlament dhe në terren.

– Kandidoni në Tiranë, në një qark të madh ku edhe gara do të jetë më e fortë. Si e keni parë ju zhvillimin e viteve të fundit të kryeqytetit dhe atë se cfarë kryeqyteti ofron në dimensionin social, për shtresat më në nevojë…?

Sot Tirana jo vetëm ka një zhvillim historik në infrastrukturë, por ka edhe një qasje sociale të jashtëzakonshme nga pushteti lokal dhe qëndror. Qendrat sociale sipas specifikave të kategorive, qëndrat rinore dhe ato shëndetësore kanë sjellë shërbime me të aksesuara për gjithë shtresat në nevojë. Sot kemi 7 bibloteka dhe hapësira të dedikuara për aktivitete sportive ku bashkohen komunitetet dhe rindërtojnë vlerat të cilat ndër vite janë zbehur. Rëndësi të veçantë do doja t’i kushtonim edhe mbështetjes së organizatave të shoqërise civile që kanë një rol të jashtëzakonshëm në mbështetje të shtresave në nevojë.

– Përse mendoni që Partia Socialiste është zgjedhja e duhur përmes të cilës ju mund të shpalosni si vizionin tuaj për shoqërinë, si nevojat apo sfidat e komunitetit që përfaqësoni?

Partia Socialiste e Shqiperise është e vetmja forcë politike në vendin tonë që ka ditur me dinjitet të mbështesë shtresat në nevojë. Vizioni i lidershipit të forcës politike më të besuar nga gjithë shqiptarët është shumë pranë vizionit tim për të bërë të mundur shfrytëzimin e çdo mjeti të nevojshëm që vendi ynë të ketë një ekonomi të fortë dhe mirëqënie për të gjithë qytetarët./ Lexo.al

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?