Intervista për Report Tv, Altin Basha rrëfen përse vendosi të behet drejtor i Teatrit Eksperimental: Ka nevojë për reformim të thellë

16 Dhjetor 2020, 18:40| Përditesimi: 16 Dhjetor 2020, 19:30

  • Share

Regjisori Altin Basha prezanton prioritetet e platformës së menaxhimit, si drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në këtë intervistë për “ReportTV”, fillimisht Basha tregon dy arsyet se përse e pa të arsyeshme të përfshihej në këtë garë përballë ish-drejtorit Kiço Londo, nga e cila doli fitues. Ndërsa, vë theksin tek dialogu me publikun,  regjisorët, që do të jenë pararojë e krijimtarisë artistike, një laborator për dramën shqipe për fëmijë, adoleshentë, të rinj edhe të rritur e veçanërisht bashkëpunimet me teatrot e tjerë.

Gjatë kësaj bisede Basha ndalet edhe tek porosia që i ka dhënë aktori Robert Ndrenika, për të mos rënë pre e nepozitimit, duke i premtuar atij se kjo këshillë do të jetë si një bibël për të, pasi ai asnjëherë nuk ka pranuar që të bëjë kompromise me punën

Zoti Basha, përse vendosët që në këto momente të vështira për shkak të pandemisë Covid 19, por edhe të teatrit shqiptar, ju të konkurroni për pozicionin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”?

Të them të drejtën vjen një moment për të gjitha, unë nuk e kam pasur në planet e mia afatshkurtra apo afatgjata idenë që të drejtoj një institucionin të teatrit, por që sigurisht që vjen një moment kur nis edhe mendon nëse eksperienca jote vlen dhe për të tjerët, jo vetëm për vete.

Mendoj se deri tani kam grumbulluar eksperiencë në përpjekje për të realizuar idetë e mia edhe shfaqjet e mia. Sigurisht edhe produksionet, sepse unë i kam prodhuar vet shfaqjet përgjithësisht. Tani ka ardhur momenti që unë të bëjë një shpërndarje me njerëzit që kanë nevojë për këtë eksperiencë. Unë që prej vitit 1998 punoj si pedagog me “Mjeshtërinë e aktorit” në Universitetin e Arteve edhe është një farë eksperiencë me shpërndarjen e dijes. Por, kjo është një eksperiencë në prodhim, në realizimin e veprave dramatike në një teatër publik. Mendoj se ka një moment të rëndësishëm teatri shqiptar, ka nevojë për një reformim të thellë, jo sa i përket sistemit vetëm, por në tërësi mënyrën, estetikën e të bërit teatër. Kujtim Spahivogli jo vetëm ka reformuar teatrin shqiptar, por i njihet edhe merita e modernizimit në teatrin maqedonas. Në këtë kuptim mendoj se ky teatër ka vlerë ta rimarr rolin e solistit në tërësi të të bërit art teatror shqiptar. Të dyja këto eksperienca më bindën, që të shtroja idetë e mia se si ky teatër mund të shkojë përpara.

Në platformën tuaj shtroni se, vëmendje të rëndësishme do t’i kushtoni publikut. Cili është koncepti juaj për këtë?

Ky është një institucion publik, shqiptarët paguajnë taksa që do t’i lehtësojnë stresin e përditshëm, do t’i edukojnë. Është një institucion që krijon për publikun, pa këtë partneritet teatri në thelb nuk do të ekzistonte. Për këto dy arsye duhet që të kemi një vëmendje të veçantë, jo vetëm për faktin nëse publiku vjen, por edhe për zhvillimin e tij. Duke zhvilluar publikun, zhvillojmë teatrin. Nëse se bëjmë këtë krijojmë një hendek mes tyre. Duhet të krijojmë një dialog për të rrit nivelin edhe sasinë për të rrit numrin e spektatorëve që vijnë në TKES. Një sallë e mbushur plot është një vlerë e shtuar në teatër.

Përmes publikut impaktin tonë do ta kemi më të fortë, edhe do të jemi më atraktiv për donatorë të mundshëm. Është një cikël i mbyllur që aktualisht funksionon vetëm 50 për qind.

Një laborator për regjisorët e rinj, dramën shqipe apo edhe përkthimin e veprave të huaja moderne në shqip. Si do të funksionojë?

Mungesa e dramës shqipe është një shqetësim i hershëm i imi, por që në tërësi ka interes për këtë debat; një që ne s’kemi vlera dhe një tjetër që kemi vlera modeste, por që mund t’i përmirësojmë ato. Ne duhet që të krijojmë laboratorë krijimi. E theksoj, se në këtë pikë të parët duhet që të jenë regjisorët, sepse janë ata që e udhëheqin teatrin nga pikëpamja e krijimtarisë, edhe pastaj vjen e gjithë armata teatrore. Duke përfshirë në këtë proces regjisorët, kemi tërheq të gjithë korpusin e teatrit.

Drejtuesit e institucioneve tona teatrore, i shohim si drejtor, regjisor, dramaturg edhe jo vetëm, por si do ta shmangni ju këtë?

Unë nuk do ta marr peng repertorin e këtij teatri, do të prodhojë ndoshta një projekt, që do ta kisha prodhuar edhe në një teatër tjetër. Mua nuk më frenon fakti se jam drejtues i TKEKS për t’u frustruar si regjisor. Jam një regjisor i kërkuar edhe në një moment të mirë krijimtarie, edhe nuk mund të heq dorë nga kjo. Por kjo nuk do të justifikohej asnjëherë që këtu të bëhej, si ai pronari që e ka bahçen e vet. Unë do të jem promotor i çdo suksesi që do të arrijë ky teatër.

Aktori Robert Ndrenika në një postim në rrjetet sociale i’u porositi, që të mos nepotizimi të mos jetë pjesë e menaxhimit tuaj. A keni një përgjigje për të?

Së pari, këshillat e Robert Ndrenikës. Do ju tregoj çfarë mesazhi i kam kthyer Robert Ndrenikës. Ai ma ka dërguar personalisht atë mesazh, i cili u bë publik. I kam thënë ‘të jesh i sigurt, që këshillat e tua do t’i ndjek si biblën. Ato janë këshilla të panegociueshme. Krijimtaria ime është e zhvilluar në atë mënyrë. Edhe pse unë mund të kem pasur studentë, ata e dinë shumë mirë të gjithë aktorët që kanë punuar me mua, e dinë shumë mirë që në pjesën e punës dhe krijimtarisë nuk kemi kompromis.

Dhe së fundmi, gjatë kësaj platforme mendoni se do të kemi mundësinë që të shohim edhe Teatrin e ri Kombëtar të ndërtuar?

Këtë gjë nuk mund ta them, shpresoj shumë edhe besoj shumë. Afatizimi që i është bërë këtij teatri mendoj se po, se do të jetë Teatri i ri Kombëtar në këmbë. Por ai është i projektuar si Teatër Kombëtar. Kjo është shtëpia e TKEKS, nuk është shtëpia ime edhe nuk do të jetë kurrë shtëpia ime, sepse unë jam një personazh i përkohshëm në këtë institucion. Unë dëshirojë, që ai që të vijë të mos gjejë një tokë të tjerë, por një tokë ku është punuar edhe kultivuar, por për aq kohë që më është dhënë do të bëjë maksimumin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?