Kush provon të zgjedh libra për fëmijët e tij apo nipërit e mbesat, nuk do të dalë dot nga libraria pa humbur orë të tëra kërkimi. E ky mundim nuk vjen se ka pak libra, por sepse mes qindra titujve është vështirë të zgjedhësh të duhurin.
Për njohësit e psikologjisë së fëmijëve dhe për ata që ndjekin strategjitë më të mira didaktike në edukimin e tyre, një libër nuk bën: sepse ka një sintaksë të parregullt, një tjetër se nuk është përdorur si duhet, disa të tjerë se kanë fjali shumë të gjata, e të tjerë e të tjerë kanë fabula klishe me ëndrra princërish e princeshash naive. Natyrisht kërkuesit e zellshëm të librave për fëmijë kanë vënë re se magjia e një libri të shkruar për ta, nuk është as një princ apo princeshë magjike, por vetë magjia e fjalës dhe e rrëfimit, magjia e jetës.
Rovena Rrozhani, autorja e librit “Lëndina e Arushëve”, që u promovua dje në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e ka kuptuar këtë shumë herët, para se të shkruante tregimin saj të parë. Në librin e ri, përvecc fabulës së veçantë vihen re fjalitë e shkurtra e dialogët e saktë, që të fusin në “kurthin” e botës fëminore, që të bëjnë të përjetosh gëzimet dhe trishtimet e arushëve të futur në kafaz nga njeriu. I përjeton njësoj si të jesh një fëmijë i futur vetë në kafaz. E nisur nga përvoja e saj, Rovena ka vërejtur shumë probleme të letërsisë shqipe për fëmijë dhe në intervistën për “Shqiptarja.com” shpreh keqardhjen që autorët shqiptarë të këtij zhanri janë pothuajse në zhdukje. Me librat e saj Rovena Rrozhani kërkon t’i bashkohet grupit të vogël të shkrimtarëve shqiptarë, atyre që iu rrëfejnë me shumë dashuri rrëfime plot jetë dhe energji fëmijëve. Prandaj shkrimtarja këtë herë ka vendosur t’iu rrëfejë fëmijëve një fenomen që e ka parë me sytë e saj: atë të robërimit të arinjve. Me gjuhën e fëmijëve Rovena u tërheq vëmendjen edhe të rriturve: I lini kafshët të qeta në shtëpinë e tyre, pranë nënës natyrë!
Rovena nga se je nxitur te shkruash libra për fëmijë, kur ka ndodhur frymëzimi juaj i parë”?
Jam nxitur nga pasioni për të shkruar letërsi. Kam shkruar shumë poezi në shkollë, që në moshën 12- vjeçare. Disa prej tyre i shkruaja në gjuhën frënge, se e doja shumë këtë gjuhë. Një ditë, në gjimnaz nuk mbaj mend nga më erdhi një frymëzim dhe shkrova diçka për fëmijë të cilën akoma e ruaj mes fletëve të një ditari. Është shkruar me laps dhe mbaj mend që kisha bërë një bllok me letra dhe e kam shkruar me shumë kujdes. Sot dua ta rishkruaj.
U riktheva te letërsia për fëmijë në vitin 2002, pasi isha bërë hallë dhe në ditëlindjen e nipit tim, duhet të tregoja historinë e devesë me ngjyra që kisha blerë. Nuk e harroj vështrimin e nipit tim dhe kushëririt të tij që përpinin çdo fjalë që thosha. U bë si një teatër i vogël. Përralla u botua dhe pas saj edhe disa të tjera. Në redaksinë e revistës Mrekullia u njoha me Adelina Mamaqin të cilën as që e mendoja se mund ta takoja ndonjëherë. Më vlerësoi, më tha fjalë që më nxitën. Me lindjen e vajzës sime Dea, rruga dukej më e lehtë pasi dashuria, fantazia dhe ngacmimet e para vinin prej saj.
Me çfarë gjinie i ke nisur krijimet e para?
Krijimi i parë për fëmijë ishte në prozë, por botimi i librit të parë ishte në poezi, “Po vjen babagjyshi” botuar 5 vite më parë. Dy libra të tjerë, “Tutuja mëson të dëgjojë”dhe “Kush e shëroi elefantushin” janë bashkëautorësi me Adelina Mamaqin, në kuadër të një projekti shumë të rëndësishëm për zhvillimin psikologjik të fëmijëve, një projekt i bukur i drejtuar mjeshtërisht nga Blerta Bodinaku. Poezisë i jam rikthyer me tekste këngësh për fëmijë, ku më të dashura “Eja me mua” kënga e festave të fundvitit transmetuar gati dy vite më parë në TvKlan. Rreth 12 tekste këngësh u shkruan për shfaqjen muzikore për fëmijë “Rozi dhe kopshti magjik” shfaqur në Teatrin Kombëtar të Kukullave. Pata fati të punoj më Adrian Hilën, të cilin e vlerësoj jo vetëm për talentin dhe profesionalizmin e tij, por edhe mënyrën sesi realizon bashkëpunimet.
Shfaqjet teatrale si “Domatja kërcimtare”, “Rozi dhe kopshti magjik”, “Ylli vezullues” apo edhe përshtatje si “Arrëthyesi” janë një tjetër zhvillim për mua në fushën e dramaturgjisë veçanërisht “Arrëthyesi” që u vu për herë të parë si shfaqje teatrale në Shqipëri. Ndërsa tani vjen “Lëndina e Arushëve” një rrëfim tjetër që e kam shkruar me një frymë për një javë, e kam rishkruar për një javë tjetër derisa pak nga pak mori formën përfundimtare. Dhe sot është gati për t’u lexuar nga të gjithë ata që dëshirojnë.
Çfarë të mësoi profesioni si gazetare për problemet e ruajtjes së vlerave dhe standardeve të letërsisë shqipe
Vlerat dhe standardet e letërsisë shqipe unë i kam mësuar së pari duke lexuar libra. Në kohën time libri ishte ushqimi më i mirë shpirtëror. Përtej hit-parade-it dhe San Remos, ku në fshehtësi shpërthente shpirti rebel i të rinjve, leximi i librave ishte bota tjetër ku mund të zhyteshe dhe të harroje gjithçka rreth teje. Profesioni i gazetares më ka mprehur syrin për detajet, më ka nxitur kureshtjen dhe sigurisht më ka dhënë fatin të shoh shumë karaktere njerëzish. Me pak fjalë kam patur mundësinë të jem gjatë gjithë kohës përballë “lëndës së parë” dhe ku ka më mirë se kaq për të shkruar.
Cilët shkrimtare për fëmijë janë bere frymëzues për librin?
Unë e dua letërsinë dhe e përjetoj shumë emocionalisht dhe vizualisht. Mund të përmendja 100 skena e 100 emra, sepse janë të gjithë të shtresëzuar gjatë leximeve të librave të tyre. Frymëzimi im vjen nga jeta! I vetmi libër që kam bërë frymëzuar nga shkrimtarë nuk ka qenë për fëmijë, por për të rritur. Duke iu kthyer “Lëndinës së Arushëve” mund të them që ishte puna ime që më bëri të njoh nga afër një fenomen si ai robërimit të arinjve. Një vizitë në Pyllin e Arinjve në Prishtinë së bashku me gazetarë dhe shumë informacion për hir të punës, më dhanë shtysën për të sjellë historinë e Tomit, arushit të trishtuar që në fakt ishte bërë objekt i medias së huaj. Sigurisht që fantazia mbështetur në informacionin për këtë fenomen, i dhanë jetë “Lëndinës së Arushëve”, një historie që teksa e shkruaja, herë më bënte për të qarë e herë më jepte gëzim. E shikoja të gjithën para syve dhe befas e gjeja veten brenda një pylli. Këtë libër e kanë lexuar disa vetë që dhanë mendimet dhe vërejtjet e tyre. Mora vlerësimin e vajzës dhe bashkëshortit (të cilët janë gjithmonë të parët që lexojnë çfarë shkruaj), nga shkrimtarja Adelina Mamaqi e cila u bë edhe redaktore e librit, nga psikologia Blerta Bodinaku dhe në së fundi nga njerëzit që merren me rehabilitimin e arinjve, Saimiri, Afrimi e stafi i tij nga Pylli i Arinjve në Prishtinë të cilët ofruan mbështetjen më pas edhe të fondacionit “Katër Putrat”. Pastaj iu drejtova botueses së Mediaprint, dhe Anila Bisha më shkruante pas leximit të librit: “Pas çdo faqeje mendoja se e dija vazhdimin, por në fakt më befasoje”. Librit iu shtuan edhe ilustrimet e Borena Frashëri Kunze, një piktore e re që e ka bërë librin mjaft të bukur me stilin e saj dhe jam shumë e lumtur për këtë! Sigurisht që libri ka kaluar edhe në disa fëmijë për t’u testuar dhe tani pres reagimin e fëmijëve dhe të rriturve që akoma nuk e kanë lexuar librin. Të them të drejtën këtë libër e kam shkruar që ta lexojnë edhe fëmijët edhe të rriturit. Shpresoj ta pëlqejnë!
Në letërsishkrimin për të vegjlit ka probleme pa fund, që nga ato gjuhësoret deri tek mesazhi që përcjell libri, cili është mesazhi juaj për kujdesin që duhet treguar ndaj letërsisë për fëmijë?
Është letërsia më e vështirë. Kush mendon se të shkruash për fëmijë është si një lojë, gabon. Është letërsia që përballet me një fantazi fëminore, me brezat që ndryshojnë dhe veten tënde që gjithashtu ndryshon. Problemet këtu si dhe në letërsinë për të rritur janë të shumta dhe do të duhej një natë e gjatë dimri për t’i diskutuar e ndoshta jo vetëm, por me shumë njohës të letërsisë për fëmijë, me shkrimtarë e studiues. Ajo që mund t’ju them me siguri është që kjo letërsi ka nevojë për më shumë mbështetje, më shumë forma për të nxitur një brez të ri shkrimtarësh që në të vërtetë është i fshehur në mes të turmës, por ka nevojë të nxitet që të dalë, të shfaqet, të rritet dhe të jetojë mes lexuesve të tij ashtu siç i takon. Për fat të keq nuk kemi akoma një brez të ri shkrimtarësh. Kemi vetëm një treg të madh botimesh me përkthime, që mbysin 2-3 zëra shqiptarë edhe sepse këta të fundit janë në minorancë, por edhe pse janë në kushte të pabarabarta. Të huajt janë shkrimtarë që rriten në një treg ku sistemi i vlerave nuk është tronditur e copëtuar nga diktatura e censura e saj dhe as nga tranzicioni politik shoqëror e shpirtëror. Ndaj them se duhen gjetur forma nga të gjithë, që ky brez shkrimtarësh për fëmijë më në fund të dalë në dritë! Ajo që shpesh mund të tingëllojë një shabllon në fakt është e vërtetë dhe çdo prind mund ta konfirmojë:”Investimi më i mirë është ai që bëhet te fëmijët”. Ata janë e ardhmja që gatuajmë ne!
Çfarë parimesh psiko-didaktike ndjek kur shkruan libra për fëmijët?
Kur kam shkruar për “Tutunë” dhe “Elefantushin” kam mësuar shumë gjëra mbi psikologjinë e fëmijëve. Ato mësime m’u bënë një dije mjaft e mirë për të kuptuar nga duhet ta çoj rrëfimin. Natyrisht frymëzimi është kali që ngas, por duhet edhe një formim i mirë për të qenë sa më pranë botës së fëmijëve dhe për të shërbyer me atë që shkruan, jo vetëm si një argëtim, por edhe si një edukim e burim dijesh.