Intervista/ Rrëfimi i shkrimtares: Rruga drejt BE, s’është forma e protestës që kanë zgjedhur shqiptarët

3 Mars 2019, 16:24| Përditesimi: 3 Mars 2019, 18:09

  • Share

Shkruan në italisht, i ambienton romanet e saj në Shqipëri dhe sot konsiderohet, si zëri i diasporës. Bëhet fjalë për shkrimtaren e njohur Anilda Ibrahimi, e cila rikthehet në Shqipëri për të vrojtuar nga afër atë që ka ndodhur me shqiptarët e larguar para 30 vitesh, në Samitin e II-të të Diasporës. Anilda Ibrahimi në një intervistë ekskluzive për “ReportTV”na rrëfen lidhjen e saj me letërsinë.

Anilda, riktheheni në Shqipëri për Samitin e II të Diasporës. Shpeshherë ju kanë konsideruar edhe zëri i diasporës, por përse vendosët që të vini?

Unë jam shkrimtare dhe shkruaj vetëm libra. Rrëfej jetën. Më kanë thënë shpesh, që jam edhe zëri i diasporës, pra janë disa elemente, që bëjnë që gjërat mos të vijnë asnjëherë vetëm. Në fakt, unë tregoj gruan shqiptare, tregoj atë matriarkat shqiptar të lidhur me patriarkatin edhe me shoqërinë maskiliste të ‘900-ës, duke ndalur gjithmonë në vitet ’90, vite që shënojnë “ndarjen” time me Shqipërinë e mëparshme. Është edhe metaforike, si një gjetje në letërsi, sepse unë ndaloj gjithmonë tek postkomunizmi. Arrij aty edhe bllokohem.

Nuk kam mundur asnjëherë të rrëfej postkomunizmin. Nuk e kam metobolizuar ndoshta akoma këtë ndryshim thelbësor të shoqërisë, që ka 30 vite që ka ndodhur. Më konsiderojnë zërin e diasporës, duke qenë unë e vetëdijshme, por siç e thashë edhe më përpara janë fenomenet, që duke treguar Shqipërinë e mëparshme, detyrimisht bëhesh edhe një zë me shumë autoritet për të rrëfyer.

Është hera e parë që kthehem në Shqipëri, ndoshta jam kthyer për këtë nevojë. Po shkruaj librin tim të pestë, që do të dalë përsëri për shtëpinë botuese “Einaudi”-n. Është hera e parë që vendosa të tregoj postkomunizmin, por jo në Shqipëri. Po tregoj një histori shqiptare, të tre personazheve, të tre fateve që bashkohen në Itali. Po tregoj të gjithë pjesën që më mungonte. Ishte e nevojshme për mua të shkelja këtë vend, këtë atdhe edhe të shikoja çfarë ishte bërë. Rasti i Samitit m’u duk me vend për të parë, për të vrojtuar edhe ata që janë larguar pas viteve ’90. Një mision për të parë se çfarë kishte ndodhur në jetët e tyre. Unë jam vrojtuese e madhe, duket si diçka jo kontradiktore, sepse t’i mund të më thuash, çfarë mund të vresh në tre ditë tek këta njerëz? Është diçka e pamundur, që t’i të arrish në përfundimin, se cilat janë jetët e tyre, por mua më interesonte pjesa sipërfaqësore, që asnjëherë nuk është sipërfaqësore. Ky ishte qëllimi im; të shikoja se çfarë ishte bërë me ne, që në vitet ’90-të vendosëm të largoheshim nga Shqipëria.

Në romanet tuaja, peshën kryesore e zë bota femërore..., një zë që në vendin tonë shpeshherë ka qenë i mbytur...

Ne kemi jetuar diçka që ishte patriarkat, ishte shoqëri mashkullore, por që gratë brenda mureve të shtëpisë kishin një peshë të madhe. Ishte një farë matriarkati, shqiptar edhe ballkanik, por edhe i të gjitha shoqërive mesdhetare. Gratë kishin një peshë të madhe brenda familjes, burri ishte ambasadori që të lidhte me botën e jashtme, ndërsa gruaja merrej me botën e brendshme, por që kishte një farë peshe. Unë kam marrë shumë dashuri, kam marrë vlera që dhe sot më kanë ndihmuar që të jem gruaja edhe nëna që jam. Shpeshherë ndihem si në borxh me këtë gjeneratë grash pa zë, viktima dy herë, të burrave edhe të shoqërisë. Zëri i këtyre grave jetoi ndoshta nëpërmjet asaj dashurie, edukimi që u dhanë bijave të tyre. Atë formim që më kanë dhënë, atë përkushtim në një farë mënyre, që unë kam marrë prej tyre është në një farë larje borxhi me të kaluarën time. Duhet edhe për një qëllim tjetër, sepse unë kam jetuar vitet e para, pas’90 në Itali, ku femra shqiptare ishte e barazuar me prostitutën. T’u japim gjërave edhe këtu një emër. Për mua ishte diçka shokuese, duke ardhur nga një ambient shqiptar. Duke e ditur femrën shqiptare, si ishte edhe çfarë vlerash çonte përpara në nivel familjar apo shoqëror, për mua ishte diçka shokuese, kur italianët e njësonin femrën shqiptare me diçka shumë të lehtë, me femrën e rrugëve. Në momentin që m’u dha mundësia doja që të tregoja: “Dëgjoni se struktura familjare është krejt tjetër, gruaja shqiptare është krejt tjetër”. Nuk mund të ngatërrojmë viktimat e një momenti historik për Shqipërinë, ndoshta për të gjithë Europën, sesi rënia e murit të Berlinit solli elementët e konsumimit të sëmurë dhe ato tragjedi, që i kemi përjetuar të gjithë, ju nga brenda edhe ne nga jashtë. Më beso se për ne nga jashtë ka qenë shumë e vështirë, që të përballeshim me atë opinion. Unë nuk jam shkrimtare e politizuar edhe ideologjike edhe nuk më pëlqen që të them se e kam vënë letërsinë time në shërbim. Por nganjëherë edhe në mënyrën, si e kam bërë, me atë dashuri edhe qetësi vlen. Pas daljes së “Rosso come una sposo” ndryshuan shumë gjëra, shënonte edhe daljen e një shkrimtareje të huaj, që përdorte gjuhën italiane në një shtëpi botuese kaq të madhe, si “Einaudi”. Dalja ime përkon me dy gjëra, si me ndryshimin e imazhit të femrës shqiptare, që kishin italianët edhe me një shkrimtare, që përdorë gjuhën “njerk”, siç ishte gjuha italiane për mua.

Edhe sfondi historik luan një rol të rëndësishëm në romanet tuaj...

Struktura e romaneve të mi është e njëjta në të gjitha, historia e madhe dhe historitë e vogla, që lëvizin në brendësi të këtij sfondi historik, si figura. Novelistja Elizabeth Strout thoshte: “Ti do të tregosh të njëjtën histori, historia jote është e njëjta në të gjitha romanet, që do të shkruash. Do të ndryshosh ambientin, vendin, por historia është e njëjtë”.Edhe unë e gjej shumë veten në këtë. Historia ime e madhe që unë tregoj, është historia e ‘900-ës, sidomos historia shqiptare dhe jetët e vogla. Në momentin që unë shkruaj një libër, gjëja që më pushton edhe që dua që t’i jap një përgjigje, është: Si ky fakt historik që ka ndodhur, ka ndryshuar jetët e njerëzve, duke ata mos e ndierë në atë moment? Këtë përgjigje ne mund ta japim vetëm pas shumë vitesh. Ndoshta, unë pata kohë pas 25 vitesh për të parë se çfarë ndryshimesh solli në radhë të parë në jetën time. Unë kam trajtuar edhe luftën e Kosovës. Ndërsa, në librin e fundit unë tregoj shpëtimin e 2000 hebrenjve nga mbreti Zog dhe nga shqiptarët, populli. Skema është e njëjtë, ndryshoj ambientin.

Pra ju kësaj here nuk do të rrëfeni më Shqipërinë e djeshme, por atë të sotmen, e përfaqësuar nga shqiptarët e larguar... Vazhdoni akoma, që të shkruani mbi tema, që kanë në qendër vendin tuaj, Shqipërinë. Ndërsa, italianët u pyesin, kur do të shkruani një libër për Italinë?

Ma kërkojnë shpesh, më pyesin: “Kur një libër të ambientuar në Itali?” Kur të mbarojnë historitë shqiptare. Unë jam nga ata njerëz që kam zgjedhur rrugën e gjatë. Është shumë e lehtë për mua të shkruaj një histori aktuale, një histori bestseller, diçka shumë të thjeshtë edhe të mbërrishme tek publiku italian, pa asnjë lloj pengese. Por nuk është shumë e lehtë të tregosh Shqipërinë, që të arrijë tek  italianët. Të jesh e lexuar sa jam unë në Itali dhe të kesh një publik italian, të një shtrese të mesme edhe të lartë në kulturë, është një nevojë imja personale. Ndoshta, nuk e kam asimiluar të kaluarën time, më ka ngelur brenda, më gërryen akoma dhe e ndiej dhimbjen shpeshherë. Dukem si retorike. Por kritika italiane më quan shkrimtarja anti-retorike, sepse brenda në historitë e mia është jeta dhe përditshmëria. Është himni i përditshmërisë së grave shqiptare. Edhe në historinë e fundit janë tre fate të tre shqiptarëve të larguar, që në një mënyrë të tërthortë takohen. Ky është çelësi i narrativës nga unë nisem. Për të treguar ndoshta dhe Shqipërinë e sotme, sepse Shqipëria e djeshme është pazgjedhshmërishtë me të sotmen. Janë disa gjëra shumë të ndërthurura. Ndoshta kur të mbaroj historitë shqiptare, nuk e di kur do të ndodhë, sepse kam shumë për të treguar.

Ka edhe njerëz që më pyesin shpesh, përse vazhdon të shkruash histori shqiptare? Të dashur atdheu nuk ka asnjë copy-right, atdheu është i të gjithëve. Atdheu mbi të gjitha është i atyre që kanë ikur, kanë zgjedhur një rrugë tjetër dhe vazhdojnë që ta tregojnë me atë dashuri, edhe me atë mëshirë (në kuptimin e mirë të fjalës), me atë vështrim të njerëzve si puna ime, që janë shumë të zgjidhur me veten  e tyre edhe me botën përreth. Unë tregoj thjesht me dëshirën për të rrëfyer, me asnjë qëllim tjetër.

A ka elemente autobiografikë në romanet tuaj?

Në të gjithë romanet e mi ka elementë autobiografikë, përgjithësisht nuk e dua literaturën autobiografike, (nuk është e rëndësishme se më ka ndodhur mua, si Anilda apo dikujt tjetër), por mendoj se kur shkruan një histori, që i ka ndodhur autorit, duhet të bëhet një histori që u përket të gjithëve. Ky është misioni i letërsisë në përgjithësi.

Elementë autobiografikë ka. Në romanin e parë “Rosso come una sposa” (E kuqe si një nuse) tregoj tre gjenerata të grave shqiptare. Unë jam bazuar, mbi të gjitha, tek gjyshet tona aq ta dashura, që mundoheshin të na jepnin një kulturë femërore, që e  kishin trashëguar brez pas brezi. Për mua ka qenë edukimi sentimental më i vlefshëm në jetën time. Më ka përgatitur për jetën. Në ato momente dukej si diçka që më ndrydhte, sidomos gjatë adoleshencës së jetuar në vitet ’80 gjatë regjimit komunist, ku mentaliteti femëror dhe mashkullor ishte shumë i mbyllur. Ato nëna më atë mençurinë shekullore mundoheshin të na edukonin. Tregimet e tyre, ajo mënyrë e të edukuari prej tyre kishte edhe një qëllim, një edukim sentimental, jo e krahasuar me Floberin, por kishte një vlerë sociologjike dhe kulturore, që unë sot e vlerësoj jashtëzakonisht.

Në këtë moment po shkruaj një roman mbi edukimin sentimental të një gruaje, si puna ime, që gjendet në  modernitetin e jetës europiane, në qendër të Romës dhe që mundohet në një farë mënyre, pas të 40-tave të zbulojë edukimin e saj sentimental gjatë adoleshencës. Sa ka ndikuar ky edukim në jetën e një gruaje, që nëna e tre fëmijëve? Por edhe sa unë ja përcjellë vajzës sime këtë edukim sentimental, që kam marrë nga brezat që më kanë rritur. Ky është thelbi i librave të mi. Unë jam shumë e përqendruar tek përcjellja e një kulture shekullore, që me modernitetin e sotëm po fshihet. Është edhe diçka e pashmangshme, sepse shoqëria e sotme është zhvilluar.  Unë përpiqem me të gjitha forcat e mia t’i shpjegoj vajzës sime, por ndoshta në ditët e sotme është më e lehtë që të shikosh netflix-in, sky-in apo instagramin. Ndoshta, duke mos qenë e thjeshtë zgjedh që të shkruaj një roman dhe kushdo që do ta lexojë do të zbulojë edhe më shumë për të kaluarën e grave në komunizëm.

Të shkruarit në italisht, ju ndihmon të jeni më e sigurtë në atë që tregoni?

Unë nuk kam shkruar asnjë material në shqip. Më duket diçka e pamundur. Madje kërkoj falje edhe për hezitimin që kam në disa momente kur përgjigjem. Sepse, gjuha ime letrare është vetëm italishtja. Edhe kur më bën pyetjet, përgjigjet më vijnë në fillim në italisht edhe mundohem në një farë mënyre t’i përkthej. Është sikur në trurin tim ka dy ndarje; gjuha italiane, që i përket letërsisë dhe shqipja, që u përket afekteve, që e përdorë më nënën, me mikeshat dhe shpesh edhe me fëmijët e mi. Unë kam nevojë për përditshmëri. Raporti me gjuhën është edhe një raport pasional. Është një raport që ka një forcë të llahtarshme në evokimin e imazheve, të së shkuarës, të së tashmes dhe të ardhmes. Por është mirë që ta prekësh, që ta ndiesh pëllëmbën që të jep jeta në një gjuhë, në një mënyrë apo në një tjetër, të ndjesh përkëdheljen, të ndjesh diçka që është e lidhur me përditshmërinë me pjesën e senseve, që ne kemi si njerëz. Unë e di që jam antipopullore ku u jap gjërave një emër, por e kam guximin që t’u jap gjërave një emër. Letrarisht gjuha shqipe, duke mos e banuar është si një gjuhë e fjetur brenda meje, që zgjohet në disa raste të tjera, që kanë të bëjnë më afektet. Por, është edhe respekti i pamasë që unë kam për gjuhën shqipe, të cilën nuk e frekuentoj më. Gjuhët duhet t’i banosh. Duke mos qenë më banuese këtu, gjuha shqipe në Shqipëri ka evoluuar pa ne. Unë kam ngelur jashtë. Duhet të kem atë ndershmëri intelektuale për të pranuar se gjuha shqipe në këto 25 vite, që unë mungoj ka ecur para pa mua. Është e pamundur që unë të ecë para bashkë me gjuhën, duke e ndjekur sporadikisht në tekste letrare. Unë lexoj në shqip dhe shikoj se ka evoluar, ka ecur në një drejtim tjetër, që nuk është më.

Vazhdoni që t’i qëndroni besnike një ndër shtëpive botuese më të rëndësishme në Itali, por gjithashtu edhe jeni vlerësuar me disa çcmime të rëndësishme. Çfarë rëndësie kanë në krijimtarinë tuaj, këto vlerësime?

Unë kam zgjedhur një rrugë shumë të gjatë, kam zgjedhur rrugën që të tregoj historinë që kam për të treguar. Çmimet më japin kënaqësi, sepse është edhe një mirënjohje për punën që kam bërë. Por nuk pres shumë. Zgjedhja e jetës sime ka këtë skemë. Unë bëj atë që është në fuqinë time, të shkruaj një roman të tillë, që i mbijeton kohës. Pyes veten, përse do ta shkruaj një roman? Në momentin që del, rrugëtimi që ka libri im nuk më përket më mua. Gjithë rrugëtimi është si një dhuratë.

Jeta personale në përditshmëri?

Përsa i përket fëmijëve kam qenë nënë shumë prezent.

Flasin shqip?

Vajza e flet shumë mirë. Kam ndenjur shumë afër në hapat e jetës së tyre, jam shumë afër modelit që kemi pasur dhe ne, të nënës jo shoqe, por që ka një autoritet ndaj fëmijëve. Kam një jetë shumë të komplikuar, por edhe të thjeshtë në të njëjtën kohë. Mendoj se kjo është forca e grave, që kur duan të arrijnë një, gjë nuk ka Zot që i ndalon.

Pasi mediet italiane gjendjen e tanishme në Shqipëri e krahasuan me ’97-ën ju patët një reagim tuajin, duke iu kundërvënë...

Reagimi im ishte për një artikull në gazetën “Il foglio”, ishte diçka që u nis nga barku (diçka e brendshme). Ishte një moment, që unë përjetova llahtarinë e viteve 1990-’97, që hapeshin dhe mbylleshin me historinë e shqiptarëve. Imazhet e turmës, një njeri me një heshtë, ishte diçka barbarike, që nuk na prezanton. Ishte një ofendim për shqiptarët që jetojmë në Itali. Unë jam për protestat paqësore, mendoj se alternativa shqiptare nuk është vetëm sheshi dhe protestat, por janë edhe sindikatat, shoqatat. Ka forma rezistence politike të ndryshme, që nuk janë gjithmonë të hedhësh qeverinë. Kjo gjë dëmton në radhë të parë vendin, se nuk i jep vazhdimësi. Unë e përjetova shumë keq. Komuniteti shqiptar në Itali e ka përjetuar shumë keq, ka reaguar në shumë forume apo edhe në media online, edhe me ofendime. Por reagimi im i parë ka qenë: Turizmi shqiptar, çfarë do të ndodh ditën tjetër, kur të gjithë italianët nuk do të shkojnë më në Shqipëri? Jo për të mbrojtur politikën shqiptare, sepse ka 30 vite që nuk e ka gjetur rrugën e duhur. Nuk hyj në hollësira, sepse nuk jam në gjendje që të sqaroj çfarë po ndodh këtu, duke mos jetuar këtu. Por po them se rruga drejt Europës nuk është ajo formë proteste.

Dhe së fundmi, kur do të kemi një libër tuajin në shqip?

Unë nuk përkthehem në gjuhën shqipe akoma. Në këtë moment më vjen në ndihmë politologu italian Giovanni Sartori, i cili shkruante vetëm në anglisht, jetonte në Amerikë. Ndërsa, kur e pyesnin: Përse nuk përkthehesh në italisht? Përgjigjej: Është diçka jashtë fuqive të mia. Edhe për mua publiku shqiptar në këtë moment, është diçka që fuqitë e mia nuk janë në gjendje ta përballojnë.

Librat e shkruar nga shkrimtarja Anilda Ibrahimi janë, "E kuqe si nusja", "Dashuria dhe rreckat e kohës", "Nuk është ëmbëlsi" dhe “Emri yt është një premtim”.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?