Intervista e plotë/ Kodheli: Drafti i PS për hapjen e listave reflekton kërkesat e 2 opozitave! Për ngjarjen e Elbasanit, rast kur politika duhet të hesht e të flasim ekspertët

25 Shtator 2020, 20:59| Përditesimi: 25 Shtator 2020, 22:22

  • Share

TIRANË- Mazhoranca është e gatshme të negociojë për pragun zgjedhor. Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja e PS Mimi Kodheli në një intervistë për Report tv tha se propozimi i PS për të pasur pragun zgjedhor në rang kombëtar 3% mund të modifikohet nga propozimet e deputetit Murrizi.

Lexoni intervistën e plotë të deputetes së PS-së, Mimi Kodheli në Report Tv

Unë besoj që duhet të jemi të gjithë optimistë në fund të ditës. debatet konstruktive janë të mirëpritura. Ne shumë shpejt, ashtu siç u kemi bashkangjitur propozimeve që vijnë nga dy deputetë të opozitës, propozimin final të Damian Gjiknurit, besoj që do të kalojnë në Komisionin e Ligjeve ditën e hënë dhe të martë, në parim dhe nen për nen, propozimet tashmë të paraqitura. Ne e kemi quajtur listë e ngrirë, që do të thotë se lista do të përcaktohet që në fillim dhe kush do të mundësojë vota më shumë se një mandat plus një votë, pra do të kalojë pragun e partisë, do të mundësojë edhe lëvizjen e renditjes fillestare të dorëzuar paraprakisht nga subjektet politike. Ka një diskutim. besoj që ky diskutim do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe për ca kohë, në kuptimin që do të jetësohet akoma lidhur me pragun 3%, që mund të modifikohet bazuar edhe në propozimin e deputetit Murrizi. Unë e shikoj të bëshme, e shikoj të pranueshëm debatin dhe në fund të ditës, cili është qëllimi kryesor? Kuptohet që ka një qëllim për të mbajtur një elektorat të caktuar nga opozita parlamentare, e cila është risi e opozitës. Sigurisht që ka edhe një qëndrim parimor nga ana e PS-së, që lidhet sigurisht me përkthimin e atyre që do të votojnë të majtën shqiptare në vota reale dhe në numra realë deputetësh në parlamentin e ardhshëm.

Drafti i parë i zotit Gjiknuri dhe i ekspertëve a pati ndoshta diskutime apo pikëpyetje fillimisht në radhët e socialistëve?

Jo, nuk besoj që ka pasur as pikëpyetje, as fërkime. Ne kemi pasur, në mbledhjen e fundit që kemi bërë të grupit parlamentar ose të disa komisioneve, sepse ju e dini që për shkak të pandemisë i kemi të limituara edhe mbledhjet me të gjithë grupin parlamentar, kemi marrë një raport të detajuar nga kolegu Gjiknuri, me të cilin jemi njohur dhe me të cilin jemi dakordësuar. Sigurisht që ne shkelim, le të themi, në një tokë të re edhe të marrëveshjeve jashtëparlamentare dhe brenda parlamentit. Pra, edhe me opozitën jashtëparlamentare dhe dhe opozitën e sotme parlamentare. PS-ja dhe grupi parlamentar i saj, qoftë edhe lidershipi, kanë qenë në një pozicion, le të themi, delikat sepse kanë pasur “presione” nga të gjithë aktorët dhe faktorët dhe neve na është dashur që me maturi të mund të kënaqim pretendimet apo kërkesat e tyre, të drejta diku dhe diku të diskutueshme, por nga ana tjetër na është dashur edhe që t’u rrimë striktë marrëveshjeve, t’u rrimë striktë kërkesave të OSBE-ODIHR-it dhe sigurisht t’u rrimë striktë respektimit të ndryshimeve kushtetuese që parlamenti ka bërë në fundin e korrikut.

Megjithatë ka edhe një diskutim të madh se çfarë opinioni duhet të japë ODIHR-i. Zoti Gjiknuri e tha që ODIHR-i nuk jep opinione apo qëndrime për opinione, sikurse pretendohej për palën tjetër. Megjithatë këmbëngul PD-ja apo opozita e bashkuar në këtë qëndrim. E gjithë kjo lloj situate apo ky lloj ngërçi, duke lexuar edhe atë çfarë na thonë ndërkombëtarët, ambasadorët, jo pa qëlllim ishte edhe deklarata e Juri Kim për marrëveshjen, si do të përkthehen, si do t’i lexojmë në raport me zgjedhësit shqiptarë, me zhvillimet politike në vend, por edhe me detyrimet apo me atë çfarë na rekomandohet nga ndërkombëtarët, nga ambasadorët?

Ju vetë e thoni, e para: ndëkombëtarët rekomandojnë. Ajo çka e bën serioz diskutimin tonë nis, ka fillesë vetëm nga respektimi i Kushtetutës dhe i legjislacionit në vend. Sigurisht që ka edhe rekomandime që duhen konsideruar dhe respektuar, ashtu siç ka edhe marrëveshje bashkëpunimi apo marrëveshje dakordësimi me opozitën për të marrë nga kjo marrëveshje dhe nga ky dakordësim më të mirën dhe për të kënaqur të gjitha palët. A do të kënaqen të gjitha palët dhe në çdo detaj? Unë gjykoj që jo, por marrëveshja në fund të ditës ka edhe këtë sens. Pra, palët duhet të kënaqen aq sa mundet, por në respekt të një gjëje shumë të rëndësishme, që është përkthimi i drejtë i votës së qytetarëve në numrat në parlament. Sigurisht që kjo është një situatë, nuk do të thosha delikate, por do të thosha një situatë interesante që duhet marrë me seriozitet dhe duhet punuar fort që deri në ditën e fundit, deri në ditën që do të na lejohet nga legjislacioni në fuqi, ne të mund të nxjerrim nga e gjithë kjo qasje, nga i gjithë ky stërmundim, nga i gjithë ky angazhim i aktorëve dhe i faktorëve qofshin këta të vendit apo të huaj, të mund të nxjerrim më të mirën. Dhe unë besoj që do t’ia mbërrijmë. E ritheksoj që kemi shkelur në një rrugë relativisht të paditur, po bëjmë një “eksperiment” pozitiv për ndryshimin e mënyrës sesi do të votohet, me shpresën që nesër nuk do të kemi vetëm deputetë liste, por do të kemi deputetë që do të përfaqësojnë qytetarët, por njëkohësisht do të përfaqësojnë edhe forcën politike.

Çfarë po ndodh me garën e PS-së, mënyra sesi janë ndarë drejtuesit kryesorë në qarqe dhe si po punojnë socialistët? Në gjykimin tuaj, është bërë më e mira për sa u përket atyre që janë në krye të kësaj beteje, sfide të rëndësishme, është kupola, janë strukturat më të larta brenda partisë.

Kjo është PS-ja për aq sa unë e njoh dhe për aq sa unë jam pjesë e vendimmarrjes edhe politike brenda partisë, pra anëtare kryesie prej rreth 15 vitesh. Ka qenë gjithmonë në lëvizje, ka qenë në dinamikë dhe besoj që kryetari ka propozuar dhe për pasojë ka marrë edhe miratimin e më të mirës. Socialistët do të jenë të angazhuar. Vetë vij nga një mbledhje e djeshme e një asambleje në njësinë nr. 13 të Tiranës dhe i shikoj të motivuar, i shikoj të angazhuar. Sigurisht që do të jetë një fushatë atipike, një fushatë në kushtet, nuk do ta shpresoja por besoj, e një tejzgjatjeje të periudhës pandemike dhe për pasojë të mosmbledhjeve, të mosangazhimeve në mitingje, në takime të mëdha. Por kjo nuk do ta pengojë forcën që unë përfaqësoj apo edhe vetë anëtarët e PS-së për të bërë më të mirën dhe për të bindur qytetarët e thjeshtë se marrja e një mandati të tretë të PS-së për të qeverisur vendin edhe për 4 vite të tjera, do të jetë vendimi i tyre i duhur.

Cilat mendoni ju se janë pikat më të forta të kësaj fushate, e cila ndikohet edhe nga pandemia? Çfarë ndodh, cilat janë qarqet më të vështira, në gjykimin tuaj? Të paktën nga karriera politike mund të na e thoni një gjë të tillë. Ku do të jetë sfida më e fortë?

Unë në fakt, kam një opinion timin lidhur me qarqet dhe me sterotipin që ne krijojmë për qarqet apo për ndarjet veri-jug. Nuk ka qarqe të pamundura, nuk ka qarqe që votojnë në shumicë absolute vetëm një forcë politike apo një forcë tjetër politike. Unë kam drejtuar politikisht Qarkun e Kukësit në zgjedhjet e fundit dhe me rezultatin spektakolar që kam marrë, mbi 9 000 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e 4 viteve më përpara, mund t’ju them që nuk ka asgjë të pamundur. Thjesht dhe vetëm duhet të ulesh me njerëzit dhe të flasësh me dorën në zemër. Ndaj, sikur Qarku i Kukësit të ishte i përfaqësuar nga 4 deputetë, sot do të kishim 2 deputetë të PS-së dhe 2 të PD-së. Fakti që ishte me 3, mundësoi daljen e vetëm 1 deputeti atje. Besoj se punë të mira janë bërë kudo në vend, investime ka pasur nga veriu deri në jug, ndaj kjo, shpresoj dhe uroj, që të përkthehet në një gjykim pozitiv të qytetarëve kudo ku janë, lidhur me mënyrën sesi është qeverisur këto 8 vite.

Veç këtyre takimeve që ju thatë se është e thjeshtë t’i takoni dhe të jeni atje në krye të punës, çfarë programi, cila do të jetë pika më e fortë ku do të mbështetet PS-ja që kërkon një mandat të tretë, ndërkohë që ka edhe opozitën, ka të tjerët, të bërit opozitë është edhe më komode në të tilla raste.

Patjetër, por jo gjithmonë të bësh opozitën është komode, në qoftë se do të bësh opozitë ashtu siç duhet, në qoftë se do që të jesh një opozitë konstruktive dhe një opozitë që vjen me propozime të bëshme, reale dhe jo me fantazi që nuk të çojnë asgjëkundi. Për fat të keq, viti që kaloi dhe ky vit që po kalojmë kanë qenë ndër vitet më të vështira, mbase të historisë njëshekullore të Shqipërisë, sepse kanë qenë të tilla edhe për mbarë botën, siç është pandemia, por pë ne shtuar kjo edhe tërmetin. Pse po i përmend këto? Sepse përgjigjja pozitive që i dha çdo mik i mirë i Shqipërisë qeverisë shqiptare lidhur me fondet që u mblodhën në mesin e muajit shkurt, për të rindërtuar vendin, besoj që ishte një pikë e fortë, një arritje e fortë e qeverisë shqiptare dhe e kryeministrit Rama. Vazhdimësia e rindërtimit është një pikë e fortë e jona, por rindërtimi nuk mund të mos shoqërohet me politika të zbutjes së varfërisë, me politika të uljes së taksave për biznesin e vogël, të cilën ne do ta realizojmë. Nuk mund të mos shoqërohet me ulje të korrupsionit dhe me rritje të pragut minimal të jetesës. Nuk mund të mos shoqërohet me rritje rrogash dhe pensionesh. Nuk mund të mos shoqërohet me mirëmenaxhim të të gjithë kësaj paraje që ka hyrë në favor të buxhetit të shtetit por që duhet menaxhuar me nikoqirllëk dhe me mend në kokë. Pra, të gjitha këto do të bëjnë që politikat tona të jenë politika për njerëzit, të prekshme, jo politika që ne duhet të presim akoma shumë vite për t’i perceptuar dhe në këtë mënyrë të mund të vazhdojmë në rrugën e drejtë dhe shpresoj të shpejtë, të hapjes së negociatave dhe të rrugëtimit tonë evropian.

Të flasim pak për ngjarjen e Elbasanit. Besoj se ju e keni ndjekur. Marrim shkas edhe nga sociologët e njohur, të cilët thonë që familja nuk është në rregull, kërkohet një polici komunitare dhe një heshtje të politikës. Të paktën, sipas sociologëve, 90% e krimit ka të bëjë pikërisht me familjen. Zonja Kodheli, a duhet të jetë kjo pjesë në fakt e programeve politike, duke qenë se kemi këta tregues. Ne kemi inçeste, kemi dhunë në familje, kemi ngjarje si ajo e djeshmja në Elbasan, ku një 71-vjeçar terrorizoi qytetin. A duhet të investohet më shumë politika në këtë aspekt dhe të shohim pak edhe nga çështjet sociale? Sigurisht që rindërtimi është i rëndësishëm sepse ato familje duan një banesë. Sigurisht edhe çështjet e tjera, ekonomia, por a biem dakord që politika duhet të investohet edhe në këtë çështje, qoftë edhe te spitalet që janë të rëndësishme për ata që kanë probleme dhe që shkaktojnë vrasje, mënyra sesi trajtohen, qoftë edhe te gjykatat. Flas gjithmonë baza, te familja.

Pyetja juaj është e gjerë dhe preku disa gjëra të rëndësishme. Së pari, më lejoni t’ju komplimentoj për ndjekjen që i keni bërë ju si Report TV asaj çfarë ndodhi dje në Elbasan. Pikërisht e kam ndjekur në stacionin tuaj atë që ndodhi. E dyta, më lejoni të them që politika jo domosdoshmërisht në të gjitha herët dhe për çdo ngjarje duhet të jetë aty dhe të japë komentin e saj sepse duhet që ndonjëherë të bëjë një hap prapa, të presë ekspertët, të presë ata që janë përgjegjës për zgjidhen e situatave dhe të çështjeve dhe pastaj të nxjerrë konkluzionet. Shpeshherë ne nxitojmë të nxjerrim konkluzione pa qenë të informuar, pa ditur çfarë ka ndodhur, pa ditur sesi është vepruar dhe pa ditur arsyet që kanë sjellë këtë ngjarje. Kështu që unë mendoj që duhet të fillojmë të jemi më të matur dhe jo kaq të nxituar në konkluzionet tona apo disa ngjarje t’i bëjmë subjekte të panevojshme të debateve dhe të retorikave politike. Unë jam plotësisht dakord me ju, besoj, mendoj fort, jo sot por gjithmonë, që dy janë gjërat më të rëndësishme në jetë: familja dhe dinjiteti, të cilin ta jep padyshim të qenit i punësuar dhe të pasurit e një familjeje të rregullt, të ndershme, që është gjithmonë qeliza bazë e shoqërisë. Dëgjova edhe ekspertët që kishit thirrur në studio mbrëmë dhe sigurisht që jam dakord me ç’ka specialistët e kësaj fushe thonë. Sigurisht që këto veprime vijnë edhe për shkak të persionit të madh që shoqëria mund të ketë dhe sot shoqëria ka shumë presion, për shumë arsye, qoftë nga pandemia, nga varfëria apo nga diçka tjetër. Do të ishte shumë i gjatë ky diskutim. Ajo që dua të ndaj me ju dhe me publikun tuaj është që ne duhet të kemi më shumë vëmendje ndaj familjes, duhet të kemi më shumë vëmendje ndaj fëmijëve, duhet të kemi më shumë vëmendje ndaj varfërisë dhe ndaj punësimit sepse të gjitha këto eliminojnë ose zvogëlojnë ngjarje të rënda, siç ishte ajo e djeshmja në Elbasan. A kanë shoqëritë e zhvilluara ngjarje të tilla? mund të ketë përditë. Por kjo nuk e justifikon që duhet të ketë edhe në Shqipëri, në njëvend të vogël ku secili mund të merret vesh shumë mirë, po të dojë, me të tjerët dhe gjithsecili njeh njëri-tjetrin.

Të ndalemi pak tek integrimi. Në çfarë faze jemi, çfarë po ndodh me negociatat? Ndërkohë që edhe zgjedhjet janë kusht. Çfarë mund të na thoni?

Unë do të kisha dashur shumë që ta mbyllja bisedën me lajme të bukura. Ne patëm një lajm të bukur në mars. Ne vetë jemi të gjithë dëshmitarë të vështirësive që kalojnë vendet e zhvilluara, BE-ja, Evropa dhe SHBA-të, mbarë bota lidhur me pandeminë. Dhe kjo, në një mënyrë ose në një tjetër, ka shtyrë, ka larguar nga vëmendja, nga agjenda, gjëra të cilat ne do të kishim dashur shumë t’i kishim mbi tryezën tonë dhe mbi tryezën e përfaqësuesve të BE-së dhe që lidhen drejtpërdrejt me interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, siç është në fakt hapja e negociatave. Besoj që ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë. Çështje teknike do të vazhdojë të ketë. E rëndësishme është që me gjasë, ne do ta marrim përgjigjen pozitive për hapjen e negociatave dhe kjo thjesht dhe vetëm nuk duhet të na ngazëllejë, nuk duhet të rrahë askush gjoksin sepse ka qenë rezultat i një procesi ku shumëkush ka punuar fort, por vetëm duhet të na mbushë më tepër me përgjegjësi. Dhe mbushja me përgjegjësi do të thotë punë më shumë dhe seriozitet më shumë në punët e qeverisjes, të politikës dhe jo vetëm. Edhe të opozitës, pse jo.

E.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?