Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani

INTERVISTA/ Eduard Prodani flet për kandidimin për President të Shoqatës Rajonale të futbollit Tiranë: Vizoni që kam për ringritjen e futbollit në kryeqytet

7 Janar 2022, 17:25| Përditesimi: 7 Janar 2022, 20:20

  • Share

“Ju nuk jeni të varfër, ju jeni të vjedhur. Vriteni frikën. Të bashkuar mund t‘a bëjmë ndryshimin”, kjo është motoja e ish-sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Eduart Prodani, i cili është një ndër njohësit dhe ekspertët më të mirë të futbollit shqiptar, që tani ka marrë përsipër të nisë një sfidë të re për ringritjen dhe përmirësimin e sportit në kryeqytet.

Pak ditë më parë përmes një njoftimi, Eduard Prodani u shpreh se ka vendosur që të kandidojë për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, pas disa kërkesave që është bërë në drejtim të tij nga disa prej anëtarëve të kësaj Shoqate.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Gazetës TemA, Fatjon Baze, Prodani ka folur për arsyet pse vendosi të kandidojë, objektivat nëse merr drejtimin e kësaj shoqate, programin për rritjen e futbollit etj.

Deri më tani ende nuk ka një emër që do rivalizojë kundër Prodanit, ndonëse ai shprehet se kundërshtari do jetë një kandidat i establishmentit.

Kujtojmë që menjëherë pas vendimit të kandidmit të Prodanit për këtë pozicion në drejtim të tij pati një sërë reagimesh pozitive, ku një ndër to ishte ai i zyrtarit të Federatës Spanjolle të Futbollit Eduard Dervishaj, që vlerësoi këtë kandidim duke u shprehur se “Futbolli ka nevojë për njerëz me integritet, të apasionuar, me eksperience dhe Edi është një kandidat i denjë për këtë detyrë”.

Intervista e plotë:

Përse vendoset të kandidoni për drejtimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë? Për karriere ndoshta?

Jo, nuk ka të bëjë me dëshirën për karrierë. Uneë tashmë kam kryer një qark ezaurues nga pikëpamja e karrierës në sistemin e futbollit. Kandidimin e pranova midis të tjerash për një obligim moral që unë kam ndaj futbollit dhe njerëzve që punojnë e sakrifikojnë për të. Unë mendoj që përvojat, njohuritë dhe vizionet e mia do të jenë të dobishme dhe në të mirën e futbollit të bazës, që duke qenë burimi i vërtetë i futbollit është në të njëjtën kohë dhe më i harruari e më i braktisuri nga të gjithë.

Ç‘përfaqëson sot Shoqata Rajonale e Tiranës dhe kush do të ishte roli i saj në të ardhmen?

Si dhe 7 shoqatat e tjera rajonale ajo e Tiranës prej 8 vitesh është vetëm një strukturë në leter. Qëllimi i ekzistencës së saj është vetëm elektoral. Duhet të dini se shoqatat mblidhen pak përpara asamblesë së FSHF për të dërguar atje delegatë votues besnikë të establishmentit aktual të futbollit. Ndërsa në votimet e vitit 2018 shoqatat kishin gjithsej 8 vota, sot me “reformën elektorale” të kryer në heshtje nga establishmenti, shoqatat kanë 25-26 vota. Llogarite janë bërë që zgjedhjet të mos fillojnë 8 me 0 si dikur, po 26 me 0. Dhe vota gjithsej janë  jo me shume se 55. Uroj që komuniteti i futbollit të jete ndërgjegjësuar mjaftueshëm për të menduar seriozisht se si mund të ndalen “estrada” të tilla që luhen me të.

Po ta lëmë mënjanë kuadrin e përgjithshëm. Unë kandidoj për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë. Qëllimi i kandidimit tim është se pari që ajo të filloje të funksionojë si një shoqate futbolli, pra si një organizëm që i shërben futbollit, atyre që e luajnë këtë lojë dhe atyre që punojnë për të. Shoqata është anëtare e FSHF por është edhe entitet i pavarur me aftësi të plota vetëqeverisëse. Me një menaxhim profesional dhe duke krijuar marrëdhëniet e duhura me partneret natyrale të futbollit të bazës si qeveria vendore, kompanitë e biznesit, donatoret, etj, pa dyshim që Shoqata do të mund t’i japë frymë dhe ritëm tjetër zhvillimit të futbollit në Tiranë. Shoqata mund dhe duhet të vihet në shërbim të anëtareve të saj dhe jo të drejtuesve të FSHF. Shoqata mund dhe duhet të sjellë federatën të futbolli dhe jo futbollin të federata si ndodh rëndom sot. Parë në këtë këndvështrim, Shoqata e futbollit të Tiranës mund të luaje rol të rëndësishëm në të ardhmen. Për më tepër, ajo mund të bëhet shembulli që duhet ndjekur nga shoqatat e rajoneve të tjera dhe forcë lëvizëse për të nxjerrë edhe futbollin e bazës dhe për rrjedhin tërë futbollin kombëtar nga situata e sotme aspak e lakmueshme.

Kush është rivali juaj?

Nuk jam njoftuar ende formalisht se kush është kandidati tjetër. Po kjo nuk ka shume rëndësi. Kushdo qoftë ai do të jetë kandidat i establishmentit. Unë jam kandidati i ndryshimit. Rasti është shumë i thjeshtë. Anëtarët duhet të vendosin nëse janë për ndryshim apo për “status quo” dhe të votojnë sipas interesit të tyre me të mire. për  ilustrim, “status quo” do të thotë që FSHF të ketë investuar 50 milionë euro në zyra dhe infrastrukture (qe ka zbukuruar pa mase qytetet e vendit), që të ketë buxhetin vjetor 15 milion Euro por që fëmijët të vijojnë të zhvishen jashtë edhe në Janar. që pjesa me e madhe e akademive të stërviten ku të munden dhe si të munden. që klube historike të vendit të bredhin me trasta në krahë si lypsare. Natyrisht që ka edhe nga ata që ndihen mire në këtë ”status quo“ po dyshoj që ata janë shumica.

A mendoni se procesi zgjedhor do të jetë i drejtë?

Procesi zgjedhur nuk ka nisur aspak i drejtë, në terr të plotë informativ dhe disa javë përpara se të shpallej thirrja e Asamblesë rrogëtare të FSHF janë  hedhur në aktivitet të plotë zgjedhor. Ata kanë kontaktuar anëtaret duke i keqinformuar, duke i vënë nën presion dhe duke ju ofruar përfitime për të marrë angazhimet e tyre me shkrim, shpesh në shkresa bakajsh. Qëllimi i tërë kësaj ka qenë që në zgjedhje të dalë vetëm një kandidat dhe votues në Asamble të shkojnë individët e pëlqyer të establishmentit shpesh rrogëtare në FSHF. Ndërsa dështuan në qëllimin për të mos lejuar kandidat alternativ nuk mund të them të njëjtën gjë për delegatët që janë emëruar. Po me këtë çështje do merrem në vijimësi.

Nga ana tjetër, kuadri rregullator i Shoqatës dhe Asamblesë së saj është me mungesa të theksuara dhe me ambiguitete. Mbledhjes se Asamblesë i mungon rregullorja dhe mekanizmat e parashikuar në Statut. Transparenca nuk garantohet askund. Procedurës i mungojnë mekanizmat e ankimimit, etj. Dhe këto nuk janë rastësi. Nuk janë as përgjegjësi e drejtuesve të Shoqatës. Këto janë vepra të drejtuesve dhe juristeve të FSHF. Dhe këtë herë nuk është nga paaftesia apo neglizhenca. Kjo është manovër e qëllimshme. Dhe nuk ngjet vetëm me Shoqatën e Tiranës. Në Shoqatat e rretheve situata është edhe me tragji-komike.

A keni një program dhe objektiva që do t’i parashtroni votuesve për kandidimin tuaj?

Natyrisht që kam program dhe objektiva. Ato do shpalosen në vijimësi dhe nuk do të jenë fjalë qesim në ere por piketa dhe objektiva të mateshme. Për momentin komunitetit të futbollit të Tiranës do t‘i drejtohem vetëm me një mesazh shprese për të ardhmen: “Ju nuk jeni të varfër, ju jeni të vjedhur. Vriteni friken. të bashkuar mund t‘a bëjmë ndryshimin!“/Gazeta Tema

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mi ri: 08/01/2022 06:42

    Ky duket ne surrat qe eshte kopje e dukes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?