Intervistë ekskluzive/ Kreu i anti-korrupsionit në Itali për Report Tv: Politika dhe qytetarët të luftojnë korrupsionin! 3 rrugët për zbutjen e fenomenit në Shqipëri

29 Mars 2022, 13:30| Përditesimi: 29 Mars 2022, 13:34

  • Share

Politika dhe qytetarët duhet të impenjohen në luftën ndaj korrupsionit pasi është në avantazhin e tyre dhe të forcimit të shtetit. Ky është mesazhi që përcjell Giuseppe Busia, presidenti i Autoritetit Kombëtar italian të anti-korrupsionit për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Në një intervistë për Report Tv, Busia e konsideroi shumë të mirë bashkëpunimin me institucionet shqiptare të luftës ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se të gjithë duhet të kuptojnë se kostot e korrupsionit janë shumë të larta për shoqërinë ndaj parandalimi i fenomenit përbën një element kyç.

Çfarë është ekzaktësisht ANAC, dhe si funksionon Autoriteti Kombëtar I Anti-Korrupsionit në Itali?

Busia: ANAC është një Autoritet I pavarur nga Qeveria, një Autoritet Kombëtar që ka tre detyra kryesore, atë të parandalimit të korrupsionit , që do të thotë ka detyrën për të evituar konfliktin e interesit, ka detyrën të aplikojë numrat mbi papajtueshmërinë, ka detyrën të garantojë integritetin e funksionarëve publikë, në mënyrë që funksionarët publikë ta ushtrojnë në mënyrë të përshtatshme aktivitetin e tyre. Elementi I dytë është transparenca, punojmë për promovimin e transparencës, të verifikojmë që të aplikohen rregullat e transparencës dhe të verifikojmë që të jetë vërtet një mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve. Dhe rregulli I tretë, jemi Autoriteti që rregullon dhe mbikëqyr kontratat publike, kontratat nëpërmjet të cilave administrata blen vende pune, ndërton vepra publike , shërbimet dhe furnizimet, pra një Autoritet me një rreze të gjerë veprimi që parandalon korrupsionin , sepse ky është elementi thelbësor, parandalimi I korrupsionit.

Në vendin tonë ju keni bashkëpunim me KLSH, si është ky bashkëpunim?

Busia: Është një bashkëpunim shumë I frytshëm, prej kohësh shkëmbejmë eksperiencë dhe informacion në fushën e formimit. Ne kemi një bashkëpunim intensiv me jashtë vendit, por në mënyrë të veçantë kemi bashkëpunim me vendet afër siç është Shqipëria, vëmë re se këtu  ka një legjislacion të afërt në shumë profile dhe kjo e ndihmon bashkëpunimin , ndihmon punën e përbashkët dhe ndihmon ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët që duhet të jetë një rritje reciproke, një shkëmbim përvojash që çon në një rritje reciproke.

Korrupsioni në vendin tonë është si një sëmundje, si e keni parë ju situatën në Shqipëri, si mund të luftohet kjo sëmundje?

Busia: Është një sëmundje që përfshin sistemin në disa forma, pra duhet që edhe armët ndaj korrupsionit të jenë të shumëfishta dhe të bashkërenduara me njëra- tjetrën, duhet të shtohet transparenca, duhet të investohet në përfshirjen e shoqërisë civile, duhet përfshirja e të gjitha institucioneve, dhe pastaj të punohet me qytetarët me shoqërinë civile, sepse elementi kyç është garantimi I transparencës, garantimi nëpërmjet digjitalizimit I një organizimi më të mirë të administratës publike, pra për të favorizuar progresin në përgjithësi të sektorit publik.

Ju sigurisht e keni një ide sesi është situata në Shqipëri, sipas jush cilat janë pikat e dobëta që keni konstatuar në luftën ndaj korrupsionit?

Busia: Pikët e dobëta lidhen me faktin se kemi të bëjmë më një rrugëtim jo të lehtë, një rrugëtim të gjatë, duhet të garantohen dhe të evidentohen avantazhet e luftës ndaj korrupsionit, korrupsioni shkakton kosto që përballë pak njerëzve që përfitojnë shumica humbet,  paguhet më shumë për shërbimet, kushtojnë më shumë veprat publike apo kanë më pak cilësi, pra duhet ti evidentojmë dhe ti bëjmë të ditura këto kosto, këtë të keqe që reflekton dhe rëndon mbi më të dobëtit, subjektet që mund të mbrohen më pak janë të parët që e vuajnë, dhe reflekton tek të rinjtë më të zotët, që janë gati të largohen nga vendi , të braktisin Shqipërinë pasi nuk gjejnë hapësirë. Duhet investuar për të zhbërë të gjithë këtë, për t’i ridhënë shpresë të rinjve, për të krijuar pasuri të vërtetë brenda vendit.

Ku mund të ndërhyhet për të bërë më efikase luftën ndaj korrupsionit?

Busia: Duhet një punë në shumë drejtime, duhet ndërhyrë në të gjithë sektorët në të gjithë administratën , duhet të jetë pjesë e kulturës publike, e kulturës së funksionarëve publikë, ideja për të punuar për të mirën e përbashkët, ideja e të punuarit për të mirën e qytetarëve, funksionarët publikë duhet të ndjejnë më shumë përgjegjësinë në raport me të tjerët, jo për të ushtruar një pushtet që kthehet në arbitrar, por të kenë qasjen për të shërbyer për të mirën e përbashkët. Vetëm kështu arrihet në besimin tek institucionet, forcohet demokracia dhe krijohet pasuria e vendit.

Sipas jush si e keni parë transparencën e akteve të administratës publike shqiptare?

Busia: Ka shumë eksperienca shumë të mira të transparencës në disa sektorë, ka nevojë me shumë gjasa për përmirësime në sektorë të tjerë, duhet që informacionet jo vetëm të publikohen por edhe të shpjegohen, të bëhen të disponueshme dhe të kuptueshme, sepse kjo krijon pjesëmarrje , krijon bashkëndarje nga ana e qytetarëve, dhe në këtë mënyrë nga njëra anë rritet institucioni duke publikuar informacione dhe nga ana tjetër është nevoja që qytetarët të mësojnë t’i përdorin këto instrumente, jo vetëm për të kontrolluar administratën por për të marrë pjesë në vendimmarrjet e administratës, për ta ndjerë administratën si shtëpinë e tyre.

Në vendin tonë KLSH punon nëpërmjet raporteve në luftën ndaj korrupsionit por më duket se kjo nuk është e mjaftueshme sepse duhet të ndërhyjë prokuroria, gjykata, çfarë duhet bërë më tepër në këtë drejtim?

Busia: Çdo institucion ka një rol të ndryshëm, dhe është e drejtë që institucionet të ndërveprojnë, secili me rolin e vet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, kështu që fakti që ka shumë organe që punojnë nuk është negativ, duhet që të gjitha institucionet të punojnë në të njëjtin drejtim drejt të njëjtit objektiv, si ato organe që merren me ndjekjen kur ndodh akti korruptiv ashtu dhe ato institucione si puna jonë që punojnë në drejtim të parandalimit, për të krijuar ambientin që e bën të vështirë korrupsionin, për të evituar shfaqjen e korrupsionit, kjo është një punë ndoshta më pak e dukshme por vërtet shumë e rëndësishme dhe strategjike,

Si ndodh në Itali ky lloj bashkëpunimi mes institucioneve?

Busia: Në Itali funksionon shumë mirë dhe ne jemi duke e zbatuar, funksionon mirë në raportet mes institucioneve të ndryshme, sepse ka shkëmbim informacionesh, funksionon edhe për faktin se ne si Autoritet kërkojmë të bashkëpunojmë dhe t’i bashkëngjitemi organeve publike nëpërmjet asaj që ne e quajmë, vigjilenca bashkëpunuese që është e ndryshme nga vigjilenca tradicionale ku ne kontrollojmë, në funksion të parandalimit ne i bashkëngjitemi organeve publike për ti dhënë konsulencë për t’i ndihmuar që të punojnë mirë,  nëse ka një qendër kompetence kjo I ndihmon organet e administratës që kanë më pak kompetencë për të shkuar në rrugën e duhur, është një element I bashkëpunimit I domosdoshëm për të ecur drejt qëllimit.

Ju bashkëpunoni dhe me vende të tjera në rajon psh Maqedoninë e Veriut, ku e keni bashkëpunimin më të frytshëm në Maqedoninë e veriut apo në Shqipëri dhe çfarë rezultatesh keni arritur në këtë drejtim?

Busia: Ne kemi rezultate të mira në vende të ndryshme dhe jo vetëm në Ballkan, sigurisht që e ndjejmë shumë afër Shqipërinë, është afër jo vetëm gjeografikisht por edhe në aspektin kulturor, pra është më e lehtë këtu , ndihemi si në shtëpi kur vijmë në Shqipëri, raportet me të gjitha institucionet shqiptare janë mjaft të mira, duam që këto marrëdhënie të shtohen sepse e ndjejmë shumë afër në një aktivitet që po ndërtohet së bashku , për këtë arsye jemi të kënaqur që po bashkëpunojnë këtu me ju.

Z. President, në Shqipëri ka një perceptim se është politika që nuk I lë institucionet të luftojnë korrupsionin? Ju keni një mesazh për politikën shqiptare ?

Busia: Politikanët duhet të kuptojnë se gjithmonë në terma afatgjatë të luftosh korrupsion shpërblehet, sepse është një avantazh për qytetarët , pra ata që arrijnë të krijojnë institucione me transparencë, konkurrencë, ndihmojnë ndërmarrjet, ndihmojnë shoqërinë civile të rritet, pra kanë dhe një avantazh politik që u kthehet pas me të drejtë, në periudhë të shkurtër ndoshta mund te ketë kontraste, por në periudha afatgjatë kjo është puna që duhet bërë, kush investon në luftën anti-korrupsion edhe në aspektin politik, nëse e bën me impenjim dhe duke arritur rezultate, ka pa dyshim avantazhe, pra politika, qytetarët duhet të kërkojnë një impenjim të politikës në luftën ndaj korrupsionit.

Por si mund të arrihet tek pavarësia e institucioneve që merren me luftën ndaj korrupsionit,

Busia: Arrihet duke krijuar institucione të pavarura, arrihet duke krijuar tek zyrtarët kapacitetet që të jenë të afta të zbatojnë rregullat në mënyrë të pavarur, pra kjo kultura e integritetit, kultura e të qënurit besnik ndaj ligjit, respektimi I rregullave dhe ligjeve , është një kulturë, që duhet të përshkojë të gjithë institucionet politike dhe administrative, sepse kjo është kultura e vetme e garancive, kultura që respekton qytetarët, respekton të drejtat e tyre, I konsideron qytetarët të njëjtë dhe I ndihmon të jetojnë më mirë, kjo e rrit një shtet dhe bën që të prosperojë demokracia.

Tashmë u bënë vite që po presim integrimin europian dhe nga Brukseli thonë që korrupsioni është diçka që nuk e bën të mundur, çfarë duhet të bëjmë në këtë drejtim ?

Busia: Parandalimi I korrupsionit , është një element I rëndësishëm për njohjen e integrimit europian, ne vërtet shpresojmë që Shqipëria që ka bërë shumë në këtë drejtim të arrijë më në fund të hapë procedurat e anëtarësimit sa më parë sepse kjo është e drejtë,  dhe investimi në parandalimin e korrupsionit është një element thelbësor, është një element thelbësor për të hyrë në BE, është një element thelbësor për investimet ndërkombëtare, sepse ndërmarrjet e mëdha shikojnë indekset e korrupsionit kur vendosin se ku duhet te investojnë, pra është një investim mbi të ardhmen, një investim për të ardhmen sa më të afërt të Shqipërisë në Europë, dhe investim për të ardhmen për një hapje dhe një progres më të gjerë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Redi: 29/03/2022 18:56

    Ne fakt nuk mund qe politika te luftoje veten sa kohe eshte e korruptuar.

    Përgjigju
  • Koli: 29/03/2022 17:06

    Do e ket zgjidh korrupsionin ne Itali ky dhe erdhi kendej tani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?