Historiani, Paskal Milo

Intervistë/ Historiani Paskal Milo: Takimi i Ambasadës së SHBA-së s`është kundër Kurtit, të formohet Asociacion evropian

31 Janar 2023, 11:38| Përditesimi: 31 Janar 2023, 11:40

  • Share

Ish-kryediplomati shqiptar takimin e Ambasadës së SHBA-së për Asociacionin nuk e sheh si takim kundër kryeministrit Albin Kurti. Paskal Milo ka thënë se ky takim është ndihmë për Qeverinë Kurti. Ai e ka ftuar kryeministrin Kurti të bashkëpunojë me aleatët për të formuar një Asociacion të mbështetur në përvoja evropiane.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, ka bërë me dije se takimi Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Asociacionit nuk është kundër kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se ky është një veprim i mençur i ShBA-së, i cili synon unifikimin e qëndrimit të Kosovës për këtë çështja. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Milo ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti duhet të bashkëpunojë me aleatët për të formuar një Asociacion të mbështetur në përvoja evropiane.

Duke folur për planin franko-gjerman, ish-kryediplomati shqiptar ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të zgjedhë.

Ai ka bërë me dije se ndryshimi i situatave gjeopolitike në Evropë nuk e favorizojnë Kosovën. Sipas tij, plani i franko-gjermane përderisa nuk e përfshinë njohjen nga Serbia nuk mund të konsiderohet si plan për marrëveshjen finale në mes të dy shteteve.

Pyetje: Z Milo, procesi i dialogut Kosovë-Serbi është futur në një fazë finale. Si e keni parë qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij procesi?

Milo: Para se të flasim për përmbajtjen e dialogut duhet të shtrojmë pyetjen nëse ka apo jo dialog ? Koncepti dhe kuptimi i dialogut është një proces bashkëveprimi aktiv mes palëve që përmes bisedimeve direkte ose të ndërmjetësuara kërkojnë të arrijnë një zgjidhje për problemet e kontestuara mes tyre. Nga kjo pikëpamje formalisht dialogu ekziston. Por, në thelbin e tij ai është një proces i imponuar se sa një qasje e ndërgjegjshme e palëve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë.

Ajo çfarë synon ky dialog të arrijë në këtë fazë që ju e quani finale është larg objektivave të përcaktuara prej vitesh jo vetëm prej qeverisë aktuale të Kosovës, por gjithë shqiptarëve të Kosovës, klasës politike dhe institucioneve të saj. Në këtë rast, qasja e qeverisë duhet ndërtuar mbi bazën e një konsensusi kombëtar. Në të kundërt nuk ka shanse t’i qëndrojë trysnisë që ushtrohet mbi të.

Pyetje: Tashmë nga mediat është bërë publik plani franko-gjerman, i cili pritet të jetë marrëveshje finale. Cili është vlerësimi i juaj për këtë plan?

Milo: Plani franko –gjerman nuk mund të jetë një marrëveshje finale. Një e tillë është thënë prej kohësh nga shqiptarët por edhe nga ndërkombëtarët (SHBA + BE) se do të ishte njohja e ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës, e pakthyeshme dhe me garanci ndërkombëtare. Kjo nuk përfshihet në planin franko-gjerman, ndaj edhe ai ofron vetëm një marrëveshje të përkohshme normalizimi të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pa i dhënë zgjidhje problemit themelor, njohjes së ndërsjellë dhe derivateve të saj.

Pyetje: A duhet ta pranojë Kosova këtë plan, ndonëse ai nuk e parasheh njohjen reciproke?

Milo: Kosova për fat të keq nuk e ka “luksin” që të zgjedhë. Ndryshimi i situatave gjeopolitike në Evropë e në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë rast edhe i interesave dhe i qëndrimeve të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë nuk e favorizojnë Kosovën. Në Prishtinë duhet të kuptojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë synime gjithëpërfshirëse shumë më të gjëra në Ballkanin Perëndimor se sa në Kosovë dhe në emër të tyre ata punojnë që ta afrojnë Serbinë dhe jo ta shtyjnë përfundimisht në prehrin e Rusisë. Që këtej është motivuar edhe lëvizja nga pozicioni i mëparshëm i tyre në projekte të tipit franko-gjerman që njihet si diplomacia hap pas hapi. Jo vetëm Qeveria Kurti, por edhe opozita duhet ta shoh planin franko-gjerman një hap përpara e jo të fundit në rrugën e mundimshme të afirmimit të saj si subjekt i plotë ndërkombëtar. Është pak në raport nga sa pritej e nga sa ishte premtuar, por prapë ka elemente pozitive që duhen shfrytëzuar.

Pyetje: Nëse refuzohet ky plan, a mund të këtë ndonjë pasojë Kosova?

Milo: Refuzimi i këtij plani patjetër që mbart pasoja për Kosovën. Shkalla dhe thellësia e tyre mund të mos njihet ende, por besoj se kryeministri Kurti apo dhe Presidentja Osmani duhet të jenë në dijeni. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për frymë solidariteti kombëtar e jo për grindje e luftë për pushtet sot. Vetëm e bashkuar mund të përballojë trysnitë e të ruaj shtetin e pavarur nga gërryerjet e brendshme. Është e vërtetë që Kosova ndodhet në një moment delikat dhe po krijohet një hendek mes pritshmërive të larta e realiteteve disi zhgënjyese. Por ajo nuk duhet të humbasë mbështetjen e SHBA e të BE që është jetike për ekzistencën e të ardhmen e saj.

Pyetje: Z. Milo, tani Kosova është nën një presin të madh amerikan për formimin e Asociacion, të cilin si duket Qeveria po e refuzon. Si e keni parë kërkesat e ShBA-së për formimin e Asociacionit?

Milo: Asociacioni është një kompromis i pranuar dhe i imponuar vite më parë. Ai duhet njohur si një detyrim juridik i gjendjes së brendshme etnike por dhe i respektimit të angazhimeve ndërkombëtare. Por nuk duhen lejuar klauzola ekzekutive apo edhe “të drejta vetëvendosjeje” në forma të maskuara që mund të shfrytëzohen në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara nuk kanë rrugë tjetër për të vendosur Serbinë në binarët e marrëveshjes me Kosovën pa mbështetur krijimin e Asociacionit të cilin ata kanë deklaruar se do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Kosova duhet të ketë besim te Shtetet e Bashkuara siç edhe deri tani sepse nuk ka mbrojtës më të madh se ajo në planet.

Pyetje: Ambasada amerikane në Prishtinë të martën ka thirrur një takim me shoqërinë civile dhe partitë politike për të diskutuar për Asociacionin. Por, në takim nuk është ftuar kryeministri Kurti, i cili po e kundërshton këtë temë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Milo: Takimin e së martës unë e konsideroj një veprim shumë të mençur për të tërhequr një mendim më të gjerë jo vetëm të qarqeve politike opozitare por edhe të opinionit publik. Do të ishte ndihmë edhe për qeverinë Kurti për të provuar shkallën e mbështetjes ose jo për qëndrimin e saj. E po kështu për të homogjenizuar qëndrimin zyrtar të Kosovës ndaj çështjes së Asociacionit. Kurrsesi nuk duhet parë si kundërvënie ndaj Kurtit, por si një nismë që duke njohur pozitën e vështirë të kryeministrit i vjen në ndihmë atij. Kryeministri për mendimin tim duhet të vlerësojë përfundimet e këtij takimi.

Pyetje: Çfarë duhet të bëj Qeveria me këtë çështje? T'i dëgjojë aleatët dhe ta formojë Asociacionin, apo t'i kundërshtojë ata?

Milo: Mendimet që unë dhashë më lart mbështesin idenë që Kryeministri Kurti është mirë të zgjerojë bazën mbështetëse politike e sociale brenda Kosovës dhe të bashkëpunojë me aleatët për të formuar një Asociacion të mbështetur në përvoja evropiane e në respekt të mbrojtjes të sovranitetit kombëtar e të integritetit territorial./Nacionale

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • epo kjo pune: 31/01/2023 11:49

    dakort ne parim... mire do ishte te mos bihej dakort nga qeverite e meparshme dhe dikush duhet te jape llogari, njesoj si me detin ketej. por nese duhet bere, ne rregull atehere, kompetenca botoresh, uje e kanalizime, te krijohen asocione veri, jug, lindje, perendim dmth bashkira te medha e te quhen shoqata e Jo asocione se eshte term angles dhe meqe nuk rrezikoka sovranitetin, reciprocitet me luginen dhe viset e tjera me shqiptare nga sanxhaku etj.. pastaj do dali fytyra e vertete e serbiles e meqe krijohet precedent te ngrihet reciprociteti me greqiren. keshtu asocioni hollohet dhe eshte rene dakort per veriun e nderkohe kosoven nuk e pengon kush ta cdramatizoje asoic veriut duke krijuar gjithandej asoc me kompetenca bashkie. nese perendimi mbyll syte para shkeljes se kushtetutes, atehere te mos kundershtoje edhe referendumin e bashkimit. po hapet kutia e pandores por me mire ndoshta se te vetmit qe vuajne akoma padrejtesite historike jemi ne....Rama belbezo ndonje fjale ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?