Dilawar Syed

Zyrtari i lartë i biznesit i SHBA-së: Si të bëhet Shqipëria një 'Silicon Valley'

26 Shkurt 2023, 11:26| Përditesimi: 26 Shkurt 2023, 11:36

  • Share

Është hera e parë që Dilawar Syed, përfaqësues për tregtinë dhe biznesin në Departamentin Amerikan të Shtetit, erdhi në Shqipëri dhe gjëja e parë që i bëri përshtypje ishte energjia që pa te bizneset.

“Shoh qartë se ka një mundësi që ne mund të bëjmë më shumë kur bëhet fjalë për partneritetin ekonomik dhe tregtar”, pohoi ai në një intervistë të posaçme për “Monitor”.

Syed ka përvojë 20-vjeçare si sipërmarrës dhe ka punuar në “Silicon Valley”, qendra e njohur teknologjike që ka nxitur ndër inovacionet më të mëdha në botë. Ai ka ndërtuar biznese globale që po japin një ndikim të madh në teknologjinë, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e biznesit.

Gjatë vizitës në Shqipëri, z. Syed u takua me disa kompani amerikane dhe me më shumë se 20 startup-e, sipërmarrës dhe kompani IT.

Z.Syed është optimist se, nëse vendi do të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe klimën e investimeve në vend, do të arrijë të tërheqë më shumë investime amerikane që deri tani kanë qenë në nivele të ulëta. Z. Syed rekomandon që Shqipëria, ashtu siç u veprua me “Silicon Valley” të krijojë një ekosistem, ku sipërmarrësit të zhvillojnë idetë e tyre pa u shqetësuar për kostot e telashet e tjera. “Dhe ne shpresojmë se mund të punojmë me partnerët tanë në Shqipëri për të ndihmuar në zhvillimin e këtij lloj ekosistemi në vend”, pohon ai.

Si e vlerësoni mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Ky vend ka shumë potencial, si në fushën e sigurisë energjetike, sigurisë kibernetike, kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë. Duam të sigurohemi që është e lehtë për kompanitë të veprojnë këtu, të hapin një biznes, të gjejnë fuqi punëtore të kualifikuar e talente, burime dhe rrjete, në mënyrë që të gjithë të përfitojnë. Pra, me gjithë këto përmirësime, qartazi ne mund të bëjmë më shumë dhe të kemi investime më të mëdha në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara, në krahasim me ato që kemi parë deri tani.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të krijuar një mjedis që mundëson tërheqjen e më shumë Investimeve të Huaja Direkte nga SHBA?

Më lejoni t’ju jap disa shembuj. Në sektorin e energjisë, siç e përmenda, ka disa nisma mjaft transformuese për të cilat ne po punojmë. Kompanitë amerikane po punojnë si në hidro, në panelet diellore, në energjinë e erës. Në fakt kam pasur mundësi të takohem me disa nga këto kompani teksa jam këtu. Jam takuar me ta edhe para se të vija në Shqipëri. Ka disa sugjerime shumë specifike nga këto kompani si p.sh., që të kenë të mundur aksesin në tokë ose që regjimi tatimor të jetë i parashikueshëm, ose në disa raste, të jenë akses në burime. Ne duhet të sigurohemi që këto procese të jenë sa më eficiente. Kjo do të bënte të mundur zbatimin e këtyre projekteve, të cilat do të jenë absolutisht kritike për të garantuar sigurinë energjetike, si për Shqipërinë, edhe për rajonin.

Sipërmarrja dhe ekosistemet e startup po zhvillohen me shpejtësi edhe në Shqipëri. Cila është rëndësia e tyre dhe bashkëpunimi i mundshëm mes komunitetit amerikan dhe shqiptar të teknologjisë?

Teknologjia është e ardhmja. Përpara se të hyja në administratë, punoja në sektorin e teknologjisë. Unë jam një sipërmarrës teknologjie dhe mendoj se kjo është një fushë ku shumë vende, përfshirë Shqipërinë mund të bëhen globalë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri takova disa sipërmarrës të mrekullueshëm, ata janë shumë energjikë dhe po punojnë me shumë kompani amerikane. Ne duhet të investojmë në disa elemente për t’u siguruar që Shqipëria mund të arrijë në potencialin e saj. E para dhe më e rëndësishmja është talenti. E di që ka një numër mjaft të vogël zhvilluesish softuerësh në vend. Talenti është absolutisht kyç për startup-et, por në fakt, ata duhen gjithashtu edhe për të drejtuar një ekonomi moderne.

E dimë se ka disa kompani amerikane që kanë hapur shkolla këtu. I vizitova disa prej tyre gjatë qëndrimit tim këtu. Ishin me të vërtetë shumë të mira. Këto kompani janë për kodues dhe për zhvillues softuerësh. Sot mësova nga Ministria e Financave e qeverisë shqiptare se qeveria ka ndërmarrë edhe nisma për trajnimin e zhvilluesve.

Përsëri, këto janë nisma fantastike dhe ne duam të sigurohemi që ka më shumë talente që mund të dalin në treg, jo vetëm për të qenë pjesë e startup-it dhe për të na ndihmuar të ndërtojmë këtë ekosistem të sipërmarrjes në vend, por edhe që ata të mund të zhvillojnë aktivitete thelbësore në ekonominë dixhitale. Një tjetër element ku dua të vë theksin është se një nga përbërësit bazë që nevojitet për ekosistemin sipërmarrës është një mjedis ku të gjithë mund të kenë një mundësi të drejtë për të pasur sukses dhe ata mund të fillojnë një biznes pa shumë telashe, pa u shqetësuar për shpenzimet, për kohën për të gjetur rrjetet dhe burimet për të kryer gjërat themelore.

Sipërmarrësit duhet të shpenzojnë gjithë kohën e tyre për të ndërtuar një produkt, për të zgjidhur një problem biznesi, për të krijuar vlerë për kompanitë e tyre, për klientët e tyre dhe për vendin. Dhe ne duhet t’i lirojmë ata nga gjithçka tjetër.

Kjo është një nga gjërat që Silicon Valley ka ecur mirë. Kam kaluar dy dekada në “Silicon Valley”. Ju mund të vini nga pothuajse kudo në botë dhe nëse keni një ide të mirë dhe nëse jeni në gjendje të formoni një ekip të mirë, mund të zgjidhni sfida globale. Sipërmarrësit amerikanë me bazë në “Silicon Valley” kanë ndryshuar mënyrën se si bota funksionon ose komunikon, Çdo pajisje që ne përdorim, çdo aplikacion, shumica e tyre prodhohen në Shtetet e Bashkuara. Por një përbërës themelor, që e bëri këtë të mundur, është ky ekosistem, ku të gjithë ndihen të lirë të ndjekin ëndrrat e tyre. Por gjithashtu kishim një mjedis mbështetës, ku nuk po kalonim kohën tonë me shpenzime të larta për të filluar një biznes dhe kemi pasur akses në burime dhe rrjete. Dhe ne duhet të mësojmë nga kjo. Dhe shpresojmë se mund të punojmë me partnerët tanë në Shqipëri, për të ndihmuar në zhvillimin e këtij lloj ekosistemi në vend.

Cilët janë sektorët më tërheqës për sipërmarrësit amerikanë?

Do ta vija theksin te siguria energjetike. Është një çështje kaq kritike. E di që Shqipëria ka nevojë për energji të besueshme. Ka shumë projekte në fushën e energjisë së rinovueshme, dhe jam takuar me disa prej përfaqësuesve të tyre. Turizmi është një tjetër sektor. Ne e dimë se Marriott është gati të hapë një hotel në Tiranë. Shpresojmë se të tjerë do të vijojnë të vijnë. Edhe siguria kibernetike është e rëndësishme. Ne e dimë që Shqipëria është përballur me sulme të tilla së fundmi. Ne duam të sigurohemi që të forcojmë aftësinë e Shqipërisë për t’u mbrojtur nga çdo sulm i tillë në të ardhmen dhe ndoshta edhe ta ndihmojmë Shqipërinë të zhvillojë kompetencën e saj të sigurisë kibernetike, nëse ju si vend dëshironi. Pra, këta janë vetëm disa shembuj. Është e qartë se ne mund të bëjmë më shumë dhe do të dëshironim të shihnim më shumë kompani, marka dhe investitorë amerikanë që veprojnë në këtë vend.

Nëse është e mundur të përmnendni konkretisht disa kompani të mëdha që kanë interes për Shqipërinë… Së pari, në hapësirën e sigurisë kibernetike, ne kemi Microsoft që është duke punuar me qeverinë e Shqipërisë, dhe po luan rol mjaft të madh në sigurinë kibernetike për t’u siguruar që Shqipëria të rrisë aftësitë e saj mbrojtëse. Bechtel po punon për një projekt mjaft të madh, do të thosha historik, për hidrocentralin e Skavicës dhe që shpresojmë të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Excelerate Energy po punon në një nismë mjaft të rëndësishme për Gazin e lëngshëm në Vlorë. Pra, këto janë, përsëri, disa projekte të mëdha që do të kërkojnë pak kohë për t’u realizuar. Jemi të lumtur që kemi kompani që po operojnë në sektorë të ndryshëm. Kjo tregon besimin e tyre në Shqipëri dhe tregon edhe potencialin që ne kemi për të qenë në gjendje të ndërmarrim këto projekte të vështira dhe afatgjata.

Cila është rëndësia e bizneseve të ndryshme, të udhëhequra nga gratë për krijimin e rritjes së fuqishme ekonomike. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në këtë drejtim?

Epo, ne kemi nevojë për gra dhe burra. Ne kemi nevojë që të gjithë të marrin pjesë. Ky është një vend më i vogël në popullsi. Nuk mund të përballojmë të humbasim asnjë segment të popullsisë shqiptare. Është një vend i mrekullueshëm, me kaq shumë pasuri dhe histori dhe njerëzit janë krenarë për vendin e tyre. Dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim për të siguruar një pjesëmarrje edhe më të madhe të grave në fuqinë punëtore, veçanërisht në botën e teknologjisë, gjithashtu në anën krijuese të sipërmarrjes.

Stoku i Investimeve të Huaja Direkte të SHBA-së në Shqipëri mbetet shumë i ulët, në rreth 1-2% të totalit të investimeve. Si e shpjegoni nivelin e ulët të angazhimit të sipërmarrësve dhe shtetit amerikan në Shqipëri?

Në punën time, unë drejtoj diplomacinë tregtare për Shtetet e Bashkuara në nivel global. Ishte një vendim i qëllimshëm që të vizitoja këtë vend, sepse duam të vëmë në qendër të vëmendjes Shqipërinë si një destinacion i shkëlqyer për investimet tona, për kompanitë tona që të operojnë këtu. Ne e kuptojmë se niveli i investimeve dhe numri i kompanive amerikane që operojnë sot nuk është aty ku duhet dhe ku mund të jetë. Dhe ne sigurisht shpresojmë se mund të arrijmë aty ku ne duam.

Kjo është arsyeja pse kalova kaq shumë kohë duke biseduar me kompanitë amerikane që operojnë këtu, duke u përpjekur të kuptoj se çfarë funksionon, çfarë mund të bëjmë më mirë, duke folur me sipërmarrësit, duke biseduar me biznese të reja dhe të tjerë.

Ne po i marrim këto raportime dhe po i ndajmë me miqtë tanë në qeverinë e Shqipërisë për t’u siguruar që ata të vazhdojnë të bëjnë reforma, si në aspektin e përmirësimit të klimës së biznesit, por edhe të reformës në drejtësi dhe sundimit të ligjit dhe transparencës. Të gjitha këto janë gjëra thelbësore, në mënyrë që kompanitë tona të bëjnë më shumë biznes këtu. Gjithashtu do të thosha se këto janë thelbësore për sipërmarrësit vendas që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe që bizneset e tyre të kenë sukses.

Si e vlerësoni solidaritetin ekonomik SHBA-Europë në mbështetjen e Ukrainës?

Pikë së pari, më lejoni të falënderoj për rolin që luajti Shqipëria dhe populli i saj në vazhdën e agresionit të Putinit në Ukrainë. Vota e qeverisë së Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe me të gjithë botën e lirë është vlerësuar thellë si nga qeveria, edhe nga populli ynë.

Ajo që po ndodh në Ukrainë prej gati një viti, tragjedia dhe brutaliteti i luftës, është e trishtë. Dhe ne jemi të kënaqur nga uniteti që kemi pasur dhe që Presidenti Biden ka mundur të ruajë gjatë një viti. Ne e kuptojmë që padyshim ka pasur ndikim ekonomik në rajon dhe në Shqipëri si pjesë e këtij rajoni. Kjo është arsyeja pse është kaq kritike që të forcojmë sigurinë energjetike të popullit të Shqipërisë, por edhe potencialisht ta bëjmë këtë vend si zgjidhja kryesore edhe për rajonin, kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike.

Dhe kjo është arsyeja pse është kaq thelbësore investimi, përfshirja, mentorimi amerikan, në këta sektorë, qoftë në energji, qoftë në teknologjinë e sigurisë kibernetike. Ne e kemi forcuar këtë gjë, duke pasur parasysh disa nga sfidat rajonale që kemi parë, veçanërisht në vazhdën e agresionit rus në Ukrainë. / Intervistoi: Armela Toska, Monitor.al

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ha ha: 26/02/2023 13:51

    Po ,tamam një Bordello Hard si Silicone valley?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?