Ekskluzive/ Rrëfehet skafisti i 'Balilit': Ja si trafikova në Greqi 700 kg kanabis (Intervista e plotë)

25 Mars 2019, 15:34| Përditesimi: 26 Mars 2019, 10:44

  • Share

Petro Dalanaj 62-vjeç, skafisti i akuzuar si pjesë e grupit të Kelmend Balilit, që u arrestua në Greqi në vitin 2016 së bashku me Kleanth Palajn dy nga Saranda, rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha si arriti që të trafikonte nga bregdeti i Jugut në drejtim të vendit fqinj rreth 700 kg kanabis. Në pjesën e parë ai tregon të gjithë rrugëtimin nga personi që e kontaktoi në Shqipëri, Spiro Gira nga Fieri (Redaksia e Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë bërë verifikimet dhe ky emër nuk ekziston) që i dha 5 mijë euro, garancia se nuk do ti prekte askush, te udhëtimi në Greqi ku takoi biznesmenin Alyfantis, kthimi me gomone dhe dërgimi i ngarkesës pranë ishullit Zakynthos. Ndërsa në pjesën e dytë (lexo ketu) ai tregon se pasi dërguan drogën u arrestuan në mëngjesin e datës 7 maj të 2016 në një lokal në Patra.

Petro Dalanaj u dënua me 13 vite për dy akuza, por bëri vetëm 2 vite e 10 muaj, pasi gjatë kohës që qëndroi në qeli punoi dhe dënimi u konvertua duke bërë gjithsej vetëm 5.4 vite për t'u liruar nga autoritetet greke. Pas lirimit nga burgu në datë 4 mars, ai u kthye në Shqipëri, por pa u regjistruar në TIMS në doganën shqiptare. Prokuroria shqiptare nuk e di që ky person ndodhet brenda territorit. Gjatë intervistës, Petro Dalanaj mohon që të ketë njohje me Kelmend Balilin, ndërsa thekson se në policinë greke i është bërë presion që të implikonte të cilësuarin nga mediat e vendit fqinj si 'Escobari i Ballkanit'.

Por si doli emri i Kelmend Balilit? Sipas dosjes greke të ardhur përmes letër porosive në autoritetet shqiptare Petro Dalanaj  dhe Kleanth Palajn nën urdhrat e Balilit u nisën me një skaf me emrin “Vasiliki”, më 5 maj 2016 dhe e dërguan sasinë prej 678 kilogramësh marijuanë nga brigjet shqiptare për në Greqi. Dy korrierët shqiptarë, sipas dosjes ngatërruan ishullin, vendin se ku ishte rënë dakord të linin mallin, duke e lënë drogën në një ishull tjetër të vogël pranë Zakynthos, që ishte nga pas vendit ku ishte lënë dakord në fillim.

Pasi dorëzuan drogën, ata vijuan rrugën me skaf në drejtim të Patrës, por u arrestuan nga policia greke. Në një material hetimor që siguroi “Shqiptarja.com” pak muaj më parë evidentoheshin rreth 20 biseda të përgjuara. Pas dështimit të gjithçkaje greku Alyfantis i thotë në telefon Balilit që ndodhej në Shqipëri se ka ngelur me “bukë, djathë e domate”, ndërsa Kelmendi i premton se herën tjetër do i sjellë një tjetër ngarkesë. Balili u vetëdorëzua në fillim të këtij viti në muajin janar, pas mbi dy vitesh arrati.

Pjesa e parë e intervistës së Petro Dalanajt për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha
Pjesa e dytë e intervistës (lexo ketu)

Jeni liruar nga burgu në Greqi.
Po.

Saktësisht, në çfarë burgu keni qenë? Për çfarë jeni arrestuar dhe kur jeni liruar?
Unë jam arrestuar në datën 8 maj të vitit 2016, për një ngarkesë me hashash, nga Shqipëria për në Greqi, për në Zaqitho të Greqisë. Jam liruar në datën 4 mars 2019. Mbarova dënimin tim, u lirova dhe erdha pranë familjes.

Me sa kujtoni, si u përfshitë në këtë histori?
Në këtë histori, unë jam përfshirë spontanisht sepse kisha disa probleme ekonomike, kisha një kredi bankare. Dhe një peshkatar (sepse edhe unë jam peshkatar në pension) më tha që një i njohuri i tij donte të bënte një punë për në Greqi. Më tha që lekët i paguante kesh. I thashë që do të mendohesha. Pastaj, meqë kisha probleme, mendova që ta bëja atë punë dhe bisedova me zotërinë. Më tha që donte të dërgonte një ngarkesë nga Saranda për në Zaqitho. Unë i thashë që lekët i doja paradhënie sepse kisha halle. Më premtoi që do të m’i jepte, por ditën kur do të bëhej puna.

Pas rreth një muaji, më tha që duhej të takoja një person në Patra dhe ai personi do të më tregonte për punën që do të bëja. I thashë që nuk kisha lekë për të shkuar atje. Më dha rreth 400 euro. Shkova në Patra. Takova një grek, më dha numrin e telefonit. Mbiemrin e kishte Alipandi. Shkuam në Zaqitho. Më dha edhe një GPS me vete. Caktuam vendin se ku do të shkarkohej malli dhe u ktheva prapë në Shqipëri.

Me çfarë shkuat në Patra?
Me autobus.

Nga cila doganë keni kaluar?
Nga Kakavija.

Keni hyrë zyrtarisht?
Po, po, me pasaportë.

Nga Patra në Zaqitho, rrugën e keni bërë me skaf?
Me makinën e Alipandiut, e Jorgo Alipandiut.

Dhe shkuat në Zaqitho, ku patë vendin ku do të shkarkonit mallin?
Po.

Aty ju dhanë ndonjë hartë, ndonjë GPS?
Më dhanë një GPS që caktova pikën se ku do të shkarkohej dhe GPS e mora me vete se duhej që ta kisha unë, për të bërë punën.

Atë ditë u kthyet prapë në Shqipëri, apo u kthyet me skaf?
Po, në darkë jam kthyer me autobusët që vijnë nga Athina, në orën 12, kalojnë në Patra. Dhe jam kthyer në Sarandë.

Kufirin e keni kaluar nga dogana apo nga kufiri i gjelbër?
Po, nga dogana, nga Kakavija.

Pas sa ditësh keni shkuar për të marrë skafin?
Pas rreth një muaji. Në telefon më tha që do të shkoja në Greqi, atje ku kisha qenë dhe do të takoja po të njëjtin person dhe ai personi do të më thoshte se çfarë do të bëja. Duhej që të merrja edhe një njeri tjetër me vete, si ndihmës. Bisedova me një djalë që e njoh dhe që është nga fshati Borsh. Është peshkatar. I thashë që do të bënim bashkë një punë dhe do të fitonim ca lekë, por i thashë që do të punonim me cigare. Nuk i tregova që do të punonim me drogë. Edhe ai djali më njihte sepse unë shkoj çdo verë atje për të gjuajtur peshk. Kishte besim tek unë dhe prandaj erdhi me mua.

Sa ishte shuma që ju kishin premtuar për punën që do të bënit?
5 mijë euro.

Kur shkuat që të merrnit skafin në Patra, kalimin e bëtë prapë me autobus, zyrtarisht?
Kalimin e kemi bërë të rregullt me autobus, kemi kaluar pasdite, rreth orës 8 në darkë, a diçka e tillë. Shkuam në Patra, kemi fjetur atë natë atje në një hotel. Të nesërmen në mëngjes ka ardhur Alipandiu dhe më ka çuar te vendi ku ishte skafi. Të nesërmen e hodhën skafin në ujë, ishte furnizuar dhe u nisa për në Shqipëri.

Bashkë me Kleanthin?
Bashkë me Kleanthin.

E kishit bërë herë tjetër rrugën?
Jo.

Për sa orë e bëtë nga Patra deri në Sarandë?
Kam ardhur të nesërmen. D.m.th. kam udhëtuar rreth 5-6 orë. Ishte kohë shumë e keqe dhe jam strehuar në Zaqitho, në një ishull, që është përpara. Të nesërmen, kur u qetësua pak koha, pasdite kam qenë në Sarandë, rreth orës 7-8 të darkës.

Gjatë rrugës, nuk ju ndaloi njeri?
Jo. Asnjë ndalesë nuk pata.

Në momentin kur e keni sjellë skafin në bregdetin e Sarandës, personi që ju kishte kontaktuar nga Saranda, e kishte bërë gati ngarkesën, apo ju do të prisnit derisa ajo të bëhej gati?
Ai ngarkesën e kishte bërë gati sepse unë e mora në telefon dhe i thashë që kishte det e nuk shkoja dot atë ditë, por të nesërmen. Gjatë asaj kohe ai e kishte bërë gati ngarkesën.

Ngarkesa është bërë natën?
Në orën 10 të darkës.

Ju keni konstatuar ndonjë lëvizje të policisë në atë kohë, në tokë ose në det?
Jo, jo, nuk kam pasur asnjë problem.

Me sa kujtoni, ku është bërë zbarkimi?
Në zonën e bregdetit.

Në krahun kur shkon për në Lukovë?
Po, në zonën e bregdetit.

Ngarkesën kush e ka bërë?
Unë nuk i njoh njerëzit. Ishte errësirë dhe nuk i njihja.

Meqë ishte sasi e madhe, e bënë vetë ata?
Po, po. Unë nuk mund të zbrisja në tokë. Rrija në mjet. Një nga ata që ishin në tokë hipi lart, kurse dy të tjerët hidhnin ngarkesën në mjet.

Pasi u bë ngarkesa, u nisët direkt për në Greqi?
Po. Pasi u ngarkua skafi, për rreth 15-20 minuta, më dhanë benzinë me vete, nuk e mbaj mend mirë, por duhej të ishin mbi 500 litra benzinë. U nisa për të shkuar atje ku ishte caktuar zbarkimi.

Mjeti ishte i mirë, e përballonte?
Mjeti ishte shumë i mirë.

Ju thatë që ata ju pajisën me një GPS. E kishit të përcaktuar se në ç’drejtim?
Ajo ishte përcaktuar në atë vend ku më thanë ata. Atje duhej të shkoja patjetër.

Kur u shkëputët nga Saranda, natën e datës 5 apo 6 maj?
Rreth datës 6 kam dalë nga Saranda.

Dhe kur e zbarkuat ngarkesën në Zaqitho?
 Në datën 7.

Në datën 7 duke u gdhirë data 8 maj?
Po. Në datën 7 kam shkuar në Zaqitho.

 Kur u nisët nga Saranda, pagesën jua bënë parapagim?
Po.

 Apo do t’ia bënin një njeriut tuaj?
Jo. Nuk mund të bëja punën unë pa marrë lekët.

I morët me vete?
Jo, i lashë në shtëpi.

Atëherë, gjatë kohës që keni udhëtuar nga Saranda për në Zaqitho, keni komunikuar me telefon?
Po.

Me cilin person?
Me Spiro Girën.

Spiro Gira ishte personi që kishte ngarkesën?
Po. Ai që më dha pagesën. Pagesën ma ka dhënë përpara se të bëhej puna.

Ju thanë sesa ishte ngarkesa?
Jo. Nuk e dija.

Autoritetet greke kanë regjistruar një peshë prej 679 kg kanabis. Gjatë kohës kur hytë në ujërat greke, keni komunikuar me personat që do t’ju prisnin atje?
Unë kam komunikuar me Spiro Girën gjatë kohës që lundroja, dhe me Jorgos Alipandis, gjatë kohës që do të arrija atje, që të përgatiteshin ata që do të merrnin ngarkesën. Me këta të dy kam komunikuar.

Nëse e kujtoni, kur e keni bërë zbarkimin në Zaqitho?
Ka qenë data 8 maj 2016. Ka qenë ora 4-5 e mëngjesit.

E kujtoni se ku e keni zbarkuar?
Po, në Zaqitho, në pjesën përballë Qefalonjasë, jo nga pas, por nga pjesa përballë. Janë dy ishuj përballë njëri-tjetrit. Në atë pjesë e kam shkarkuar.

E kishin mjetin afër ata, që të merrnin ngarkesën?
Ata kishin një makinë rreth 50 metra larg nga bregu, diçka e tillë sepse nuk vinte rruga deri në breg. Ishte vend i thyer.

Gjatë kohës që keni bërë shkarkimin e kanabisit, keni vënë re që ishit në gjurmim?
Jo, nuk kishte asnjë zhurmë, asnjë shenjë, asnjë dritë. Nuk kishte asgjë shqetësuese.

Po vendi i zbarkimit, ka qenë i përcaktuar fiks aty, apo patët ndonjë problem gjatë rrugës?
Po. Unë kisha një problem në fillim me GPS. Pastaj e përcaktuam tamam. Unë e kisha GPS me bateri. Bateria kishte rënë dhe GPS nuk punonte mirë.

Keni humbur kontaktet?
Jo kontaktet. Duhet të shkosh fiks atje ku duan ata, nuk mund të shkosh 100 metra apo 500 metra më tutje, apo 1 kilometër më tutje. Duhet të shkosh aty ku duhet.

Pasi latë ngarkesën, çfarë lëvizjeje keni bërë pastaj?
Pasi lashë ngarkesën, kam ndenjur rreth 1 orë atje në breg, sa zbardhi dita që të mos ikja me errësirë sepse nuk i dihej, nuk kisha garanci. Komunikova me Spiro Girën dhe ai më tha që mjetin ta çoja atje ku e kisha marrë, në Patra. Rreth orës 7 e gjysmë të mëngjesit, kam qenë në Patra. Mjetin e parkova atje ku e mora. Është një liman, ku njerëzit parkojnë shumë mjete. E parkova dhe ika. Bashkë me Kleanthin.

Ku shkuat pastaj?
Kisha lënë çantën me rroba te magazina ku morëm skafin. Shkuam atje dhe ndërruam rrobat. Morëm një taksi dhe shkuam të hanim.

Ku ju kanë ndaluar?
Kur po hanim, erdhën dy persona, na shtynë, na hodhën në shesh dhe na vunë prangat.

Ishin civilë apo me uniformë?
Civilë

Rreth çfarë ore ndodhi kjo?
Ka qenë ora 12 ose 12 e gjysmë.

E 8 majit?
Po. Rreth orës 11 e gjysmë deri në 12 e gjysmë, diçka e tillë.

Pastaj ku ju çuan?
Na ndaluan. Donin që të nxirrnim mjetin nga uji. Na kanë mbajtur deri rreth orës 8-9 të darkës atje. Pastaj u nisëm për në Athinë. Na çuan në policinë e Athinës.

Klikoni ketu per te lexuar pjesen e dyte te intervistes

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Erioni. Dr: 26/03/2019 09:20

    Une nuk e lexova shkrimin por dua te them nja dy fjale: Kujt i hyne ne pune u kap me droge,po trafikonte kanabis e te tjera si keto.Kjo eshte nje lufte e perhershme e kujdo shteti ne bote me trafikantet.Perse duhet te bej lajm nje gje e tille? Ne te gjithe boten eshte ky fenomen ,por me diferencen e madhe qe jo te gjitha punet e shtepise nxirren ne pazar.Kujtoni se duke i rene mbrapa ketij fenomeni beni vetem mire por harroni qe kjo te kthehet ne bumerang.Medja dhe gaezetaret vetem flasin droge ketu e droge atje,u kap ketu do shkonte atje dhe ne imazhin e shqiperise del nje vend qe meret vetem me droge.Por pse ne Itali ,France ,Angli e keshtu me radhe nuk eshte ky fenomen? Po eshte,madje dhe me shume se tek ne,por gazetaret atje nuk ja nxijne faqen vendit te tyre.

    Përgjigju
  • xreport: 26/03/2019 02:46

    o shoku kete e kerkonte USA dhe EU kete balilin? le te thote sa te dush ky.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasjet e fundit, a është e kërcënuar siguria në vend?