Këtë herë ka zgjedhur skenën e amfiteatrit antik të Durrësit për të prezantuar një pjesë të trashëgimisë muzikore mesdhetare, në atë që e ka pagëzuar “Meloditë e Mesdheut”.
Sopranoja e madhe shqiptare e skenave ndërkombëtare, Inva Mula, vetëm pak kohë pas MIK Festival në Korçë, ofron për publikun një tjetër aktivitet muzikor.
“Do të sjellim një buqetë të bukur të këngëve mesdhetare që janë me shumicë, kemi bërë një shportë të bukur. Kemi krijuar një udhëtim që fillon në Shqipëri, shkon me udhëtimin e parë të shqiptarëve, që kanë bërë pesë shekuj më parë, arbëreshët dhe vazhdojmë me Italinë, Spanjën, Francën, Greqinë, Egjiptin.”, - thotë ajo për "Report TV".
Pjesë e mbrëmjes do të jenë edhe dy artistët e njohur shqiptarë në Itali, vëllezërit Ekland e Redi Hasa.
“Janë muzikantë që kalojnë kufijtë e normales, janë muzikantë me imagjinatë të paparë. Kjo muzikë zhvillohet në vende të ndryshme të Mesdheut, duke ia lënë stafetën njëri-tjetrit dhe duke u ndërthurur dhe me historinë.”
Një tjetër e veçantë është pjesëmarrja e korit të fëmijëve “Okarina” me të cilët Mula është takuar dhe ka pasur një koncert të rastësishëm disa ditë më parë në Strugë.
“Na lindi dhe një bashkëpunim spontan. Thashë: Si ka mundësi që nuk kam bërë më parë një gërshetim të tillë, duke qenë që unë nga fëmijëria ime i kam akoma të ngulitura ato tingëllimet e zërave të bardhë të fëmijëve.”
Mula vëren se me gjasë ky aktivitet mund të jetë i tillë që do të ketë një vazhdimësi, ndërkohë që të tilla ngjarje pasurojnë jetën artistike dhe gjallërojnë turizmin sidomos në periudhën e verës.
Komente
