E shoqëruar nga djali, Donika Jica, prej 20 vitesh invalidë pune ishte sot në protestë para ministrisë së Financave, nga ku bashkë me të tjerë po kërkojnë kundërt qeverisë vëmendje më të shtuar ndaj tyre, kryesisht në aspektin e ndihmës financiare.
Në një intervistë për Report Tv, Jica zëvendës presidente e Shoqatës së Invalidëve të Punës, tregoi ndër të tjera vështirësitë me të cilat përballet në përditshmëri, ndërsa shtoi se pensioni që merr është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e saj. Ajo rrëfeu se ishte prekur edhe nga kanceri, por që i kishte mbijetuar.
'Kam ardhur nga Korça. Jemi diskriminuar nga Ministria e Financave. Ne kërkojmë indeksim të pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve. Jam invalidë pune prej 20 vitesh, kam aksidentuar këmbët. Si puna ime mund të jenë edhe 10 mijë veta. Vështirësitë janë të shumta, mospagimi i energjisë elektrike. Kam edhe 4 vite që luftoj me kancerin, dhe falë zotit i kam mbijetuar. Jemi 75 mijë invalidë pune. Ministrja na ka premtuar shumë dhe nuk ka bërë asgjë. Aktualisht marr 135 mijë lekë të vjetra, me këto nuk me del që të marr ilaçet e kancerit, jo më të përballoj jetesën.’- tha Jica.
Djali i Donikës që edhe përkujdeset për të, u shpreh se ka më së shumti vështirësi ekonomike.
‘Nuk janë shumë të madha për momentin... pasi e përballoj me energjinë dhe rininë time... por janë vështirësi ekonomike dhe fizike. Duhet të jem gjatë gjithë kohës që ta shoqëroj. Është një sakrificë nga të gjitha anët. Jam gjithmonë me frikë kur e lë vetëm. Jam mësues i edukimit fizik.’- u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
Invalidët e Punës në protestë para Ministrisë së Financave, listojnë 8 kërkesa: Po jetojmë me 92 mijë lekë në muaj, meritojmë të trajtohemi me dinjitet
M.Q.//ReportTv.al