Këto ditë, redaksia investigative e Shqiptarja.com analizoi dosjen e shoqatës Albautor, e cila, në qershor të vitit të kaluar, mori nga ministria e Kulturës leje për të drejtuar SUADA-n, sportelin unik, që, sipas ligjit të ri, ka të drejtën të mbledhë të gjitha të drejtat e autorëve, interpretuesve dhe producentëve (shqiptarë e të huaj), duke u angazhuar t’u shpërndajë më pas të ardhurat titullarëve të të drejtave (domethënë autorëve, interpretuesve dhe producentëve). Të drejtosh SUADA-n, kërkon jo vetëm korrektesën dhe profesionalizmin maksimal, por edhe një transparencë absolute dhe respektim absolut të ligjit. Por, duke investiguar mbi Albautor-in, kemi zbuluar se, kur shoqëria kishte aplikuar për të marrë këtë detyrë prestigjioze nga ministria e Kulturës, Këshilli i saj Administrativ, kryetari dhe drejtori i saj i përgjithshëm (të zgjedhur në shkurt 2015) ishin deklaruar të paligjshëm nga një vendim i Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili, për pasojë, kishte deklaruar të paligjshëm edhe të gjitha aktet e ndërmarra nga këta drejtues pas emërimit të tyre.
Lajmi shkaktoi një reagim të ashpër nga ana e Albautor-it, që, me një email të gjatë (dërguar madje edhe kryeministrit), ka kontestuar vërtetësinë e investigimit tonë. “Televizioni Report Tv dhe Shqiptarja.com – ka shkruar, ndër të tjera, “drejtori” i Albautor Erlir Puto - ka publikuar në kronikën televizive dhe si artikull më datë 26.03.2018, dizinformimin me titullin: “Ministria e Kulturës emëron në krye te sportelit të të drejtave të autorit 'Albautor' ndërkohë që ishte shpërbërë”. Albautor në asnjë rast dhe asnjëherë nuk është “shpërbërë”. Vendimi i gjykatës që i referoheni ka të bëjë me një vendim asambleje të tejkaluar prej vitesh dhe që nuk ka efekt mbi administrimin aktual të ALBAUTOR. Mjafton të lexohet ky vendim i publikuar edhe ky nga Ju, për të kuptuar se e vërteta është komplet ndryshe”.
Ne e kemi rilexuar edhe një herë këtë vendim dhe në realitet konkluzionet janë edhe më të rënda se ato, që përmban investigimi ynë. Sikurse shpjegohet dhe kuptohet qartë nga fryma e artikullit, shprehja “shpërbërë” i referohet situates, në të cilën ndodhet Albautor që nga 28 maji 2018, kur tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Tiranës kanë shpallur vendimin që organet aktuale drejtuese të Albautor-it (ndër të cilët pikërisht edhe Erlir Puto), të emëruar nga Asambleja e Përgjithshme më 17 shkurt 2015 dhe Këshilli Administrativ më 17 mars 2015, janë të paligjshëm. Sipas gjyqtarëve, për të emëruar organet e reja drejtuese dhe për ta bërë kësisoj krejtësisht operative Albautor-in, duhet të thirret një Asamble e re, por këtë herë e “përbërë nga të gjithë ata anëtarë, që kanë nënshkruar akte të kësaj shoqate që nga momenti i themelimit fillestar të saj, pra që nga viti 1992. Në rast se një gjë e tillë nuk është e mundur – nënvizon Gjykata e Apelit - atëhere çdo i interesuar mund të kërkojë prishjen e Albautor-it dhe kalimin e saj në likuidim e më pas në çregjistrim, për shkak se qëllimi i shoqatës nuk do të mund të përmbushet më”.
Faksimile e vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për “Albaautor-in”
Problemi është se, pavarësisht nga ky vendim, më 24 qershor 2018, drejtori i përgjithshëm i paligjshëm i Albautor-it, Erlir Puto, ka aplikuar pranë ministrisë së Kulturës, duke arritur më pas të marrë licensën për sportelin unik SUADA. Puto e ka paraqitur kërkesën në sajë të faktit se Albautor gjithnjë në vitin 2015 ishte e regjistruar nga kjo ministri si agjenci e autorëve, por edhe kjo licensë tanimë vihet në diskutim nga vendimi: ajo, në fakt, është lëshuar nga ministria e Kulturës më 29 prill 2015, domethënë mbi bazën e një kërkese të paraqitur nga ato organizmat e reja drejtuese të Albautor-it, që janë cilësuar si të paligjshme nga Gjykata e Apelit. Ngjan si një histori kafkiane, por në realitet fjala është për një biznes konkret, pasi të mbledhësh të drejtat e autorit do të thotë të administrosh një milion euro në vit, çka kërkon, për pasojë, transparencë të madhe dhe respektim të madh të ligjit.
Është pikërisht për shkak të mungesës së transparencës dhe respektimit të ligjit që Gjykata e Apelit i ka konsideruar të paligjshëm organet aktuale drejtuese të Albautor-it. Në fakt, sipas vendimit, Asambleja e Përgjithshme e 7 shkurtit 2015 u mblodh me vetëm 11 ortakë, që nuk përbënin 20% të anëtarësisë sikurse kërkon ligji (ortakët e Albautor janë afro 120) dhe u zhvillua pa praninë e 3, prej 5 anëtarëve të Këshillit Administrativ në detyrë. Sipas gjyqtarëve, nuk është e qartë as përbërja e anëtarësisë që ka votuar në Asamblenë e 7 shkurtit, pasi janë evidentuar kontradikta në listat e emrave. Sipas procesverbalit të Asamblesë së Përgjithshme, punimet u ndoqën nga një noter, por në të vërtetë, sipas gjyqtarëve, noteri i nënshkroi aktet vetëm një muaj më vonë. Gjatë Asamblesë së 7 shkurtit 2015, që u cilësua si e paligjshme nga ana e gjyqtarëve, u emërua Këshilli i ri Administrativ, i përbërë nga Eriona Rushiti, Etrita Ibrahimi, Luan Zhegu, Sokol Marsi dhe Elton Deda: gjithsesi, gjyqtarët evidentuan se e gjithë Asambleja u drejtua nga Elton Deda, Osman Mula dhe Sokol Marsi “në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Administrativ”, përpara se të ishin emëruar në realitet dhe se gjithnjë ata të tre kishin qenë edhe anëtarë të komisionit të votimit, që i zgjodhi. Me fjalë të tjera, një mish-mash procedurial, i cili, sipas gjyqtarëve të Apelit, çon vetëm në një konkluzion: Asambleja e 7 shkurtit ishte e paligjshme dhe, për pasojë, Këshilli i zgjedhur Administrativ është i paligjshëm.
Gjyqtarët nuk kanë patur dyshim se, në këto kushte, ka qenë e paligjshme edhe mbledhja e Këshillit të ri Administrativ, e thirrur më 17 mars 2015, që zgjodhi kryetar Elton Dedën dhe drejtor të përgjithshëm Erlir Puton, dy emërime krejtësisht pa vlerë, si të gjithë aktet, të cilat nga ajo ditë e më pas u firmosën prej tyre. Në të njejtin vendim, Gjykata urdhëron që funksionet e tyre të fshihen nga regjistri i OJF-ve, që ndodhet pranë Gjykatës.
Por ajo që ndodhi pas këtij vendimi është edhe më e rëndë akoma. Në përpjekje për të maskuar pasojat e vendimit dhe pavarësisht faktit se Gjykata i kishte shpallur tashmë të paligjshme organet drejtuese, më 29 maj (pra saktësisht 24 orë pas vendimit të Apelit) Erlir Puto dhe Elton Deda thërrasin një Asamble të re të Albautor-it dhe emërohen për herë të dytë drejtor i përgjithshëm dhe kryetar, duke i kërkuar më pas Gjykatës të regjistrojë funksionet e tyre “të reja”. Por Gjykata e Tiranës, më 26 qershor 2018, e rrëzon edhe këtë kërkesë, duke u kujtuar se ekziston një vendim i Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili i quan si të paligjshëm organet drejtuese, pra pa asnjë kompetencë për të thirrur Asamblenë. Bile në vendim shkruhet shprehimisht që “deri në rregullimin e situatës tes saj juridike, në përputhje me vendimin e formës së prerë të datës 28.05.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë, shoqata Agjencia Albautor nuk mund të kryejë asnjë depozitim të vendimeve të organeve vendimarrëse në regjistrin e organizatave joftimpruese”.
Por, ndërkohë, ministria e Kulturës më 22 qershor 2018 i ka dhënë Albautor-it drejtimin e sportelit unik SUADA dhe pak ditë më pas i rinovon asaj edhe licensën si Agjenci e të drejtave të autorit, e cila kishte skaduar. Problemi eshte qe ligji kërkon që për të dy veprimet Albautor-i duhej t’i kishte dorëzuar ministrisë “një ekstrakt të lëshuar nga Gjykata për regjistrimin si OJF, me organet drejtuese ekzekutive dhe kolegjiale”. Po çfarë ekstrakti ka dorëzuar kur, me vendimin e 29 majit, Gjykata e Apelit kishte urdhëruar të fshihej regjistrimi i organeve të reja drejtuese, të cilësuara si të paligjshme?
Ketu skandali merr përmasa më të gjera dhe hyn në skenë sekretari i regjistrit të organizatave jofitimprurësepranë Gjykatës, që ka injoruar vendimin e Apelit të formës së prerë të 28 majit dhe “ka harruar” të ekzekutojë urdhërin e gjyqtarit, duke mos fshirë kështu nga regjistri emrat e Erlir Putos, Elton Dedës dhe pesë anëtarëve të Këshillit Administrativ, të gjithë të cilësuar si të paligjshëm.
Kështu ministria e Kulturës në verën e vitit 2018 i dha Albautor-it drejtimin e SUADA-s dhe licensën si Agjenci (të dy vendime shumë të rëndësishme) mbi bazën e të dhënave që Gjykata i konsideron nul. Ja pse është skandaloze të lexosh në emailin e gjatë të “përgënjeshtrimit”, dërguar nga Erlir Puto, se “vendimi i gjykatës që i referoheni ka të bëjë me një vendim asambleje të tejkaluar prej vitesh dhe që nuk ka efekt mbi administrimin aktual të ALBAUTOR”. Duket e njejta arrogancë, me të cilën duhet të kenë bërë të besojë ministrinë e Kulturës se ishin në rregull. Por realiteti, sikurse e kemi parë tashmë, është krejtësisht i ndryshëm dhe tani mbetet të shihet nëse ministria do të reagojë për këtë situatë dhe do t’i anulojë të dy licensat e dhëna Albautor-it në mënyrë të paligjshme, sepse tani nuk mund të thotë që nuk e dinte.