Shqiptarët në Britaninë e Madhe

Bota

Investigimi i mediave britanike: Ish-policët shqiptarë i bashkohen grupeve kriminale në Angli, shërbejnë si 'këshilltarë' të bandave

7 Prill, 15:16| Përditesimi: 7 Prill, 15:20

  • Share

Shqiptarët sundojnë tregtinë e kokainës në Britaninë e Madhe me vlerë 5 miliardë paundësh në vit dhe tregojnë pa u drojtur të gjitha përfitimet e tyre të paligjshme.

Tani gangsterët shqiptarë nuk janë ngushtuar vetëm në rrethin e tyre, ata po rekrutojnë edhe ish-policë nga Shqipëria. Sipas një investigimi të "The Sun", shqiptarët kanë marrë kontrollin e tregut të kokainës në Britani gjatë dy dekadave të fundit pasi kanë krijuar një aleancë me kartelet e drogës në Amerikën Latine.

Por kohët e fundit, ish-efektivë nga Shqipëria janë kapur duke shpërndarë drogë dhe duke ruajtur fermat e kanabisit në Angli.

Ekspertët thonë se këta ish-policë janë shumë të vlefshëm për "mafiozët" për shkak të njohurive të tyre të brendshme se si funksionon policia.

Evrin Karamuço, profesor i kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Shqipëri, i tha "The Sun" se si ish-policët veprojnë si "këshilltarë" të bandave.

Ai tha: 

"Ka raste kur ish-oficerët e policisë janë shkarkuar nga puna për shkak të sjelljeve abuzive, korrupsionit apo lidhjeve me grupet kriminale. Ata kanë shfrytëzuar lidhjet e tyre me botën e krimit për të gjetur mundësi të reja, duke u bërë anëtarë kyç të bandave. Disa grupe besojnë se njohuritë e tyre për taktikat e policisë do t'i ndihmojnë ata të shmangin zbulimin nga policia britanike. Ne kemi kuptuar nga disa përgjime nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare se ato bëhen instruktorët dhe këshilltarët më të rëndësishëm të kriminelëve."

Dhjetorin e kaluar, ish-polici shqiptar Igli Ajazi u kap me anëtarët e një bande të madhe të krimit të organizuar, ndërsa ishte në një vizë për të studiuar kriminologji në universitetin Roehampton të Londrës. Ajazi, i cili ka punuar si polic në Veri të vendit nga viti 2019 deri në vitin 2022, u tha oficerëve se karrierën e kishte vendosur në "pauzë". Ai u kap kur Policia i kontrolloi makinën dhe zbuloi lidhjet e tij me një klan shqiptar të drogës me bazë në Londër.

Telefoni i 28-vjeçarit kishte mesazhe për shitjen e kanabisit në kryeqytet, si dhe video me abuzim fëmijës, për të cilat ai tha se i kishin mbetur në celular nga puna e tij në Shqipëri. Ajazi u dënua me 20 muaj burg, por dënimi iu konvertua me një kurs rehabilitimi dhe iu dha 180 orë shërbim në komunitet.

Ish-polici i apasionuar pas futbollit, Admir Hidri, 25 vjeç, pagoi një çmim të rëndë për faktin se u ngatërrua me gangsterët e drogës. Ai u hodh nga dritarja e një shtëpie me kanabis dhe theu kurrizin. Hidri pretendoi në gjykatë se ishte detyruar që të punonte në shtëpi bari për shkak se kishte marrë hua para nga një personazh i botës së krimit për të financuar trajtimin për nënën e tij të sëmurë në Shqipëri.

Kështu që për të shlyer borxhin, ai u punësua në një shtëpi bari ku po rriste bimë me vlerë prej 70,000 £. Hidri u burgos për 2.6 muaj burg pavarësisht se pretendoi se ishte hedhur nga dritarja pasi kishte frikë. Nga impakti i përplasjes theu dy rruaza të shtyllës kurrizore. Një tjetër polic u përpoq të qëndronte në Britani pasi kishte kryer 3 vite burg për kokainë.

Klisman Sykaj apeloi kundër deportimit të tij në Shqipëri në vitin 2022, pasi hyri fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar 11 vjet më parë. Ai u kap në flagrancë pasi Policia bastisi banesën e tij në Nottingham në vitin 2015 dhe gjeti kokainë të fshehur në një tenxhere. Sykaj pretendoi se kishte nisur që të punonte si i infiltruar për Interpolin përpara se të pranonte përfundimisht të vërtetën. Pas burgut, ai u depërtua në Shqipëri, ku punoi si polic burgjesh. Ai u kthye në Britani, por edhe herën e dytë u kap edhe pse kishte dokumenta italiane fals, shkruan "The Sun"

Në prill të vitit të kaluar, Igli Duka, 24 vjeç, u burgos me 2 vjet për rritjen e qindra bimëve kanabis në një njësi industriale në West Lothian. Ai pretendoi se një gangster famëkeq që ai kishte arrestuar më parë në vendin e tij e kishte shantazhuar për të bërë punën. Një tjetër, i cili pretendonte se ishte nfiltruar në mafian shqiptare, tha para autoriteteve britanike se ishte detyruar që të punonte për pjesëtarët e grupit pasi këta të fundit ia zbuluan identitetin e vërtetë. Kur doli në gjyq, në vitin 2021, avokati i tij pretendoi se klienti ishte larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar pasi ata që kishte spiunuar i kishin djegur mjetin e të atit.

Tashmë bandat shqiptare të drogës janë bërë sinonim i videove muzikore, ku pozojnë me bizhuteri, para "cash" dhe makina të shtrenjta. Më të famshmit mbeten "The Hellbanianz", me bazë në Barking, Londra Lindore.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?