'La Bonta', lokali ku reklamohej platforma 'XEUX'

Kronikë

DOSJA e skemave piramidale online/ ‘Investim njëherë, përfitime të përjetshme’, reklamimet në lokalin në Lushnjë dhe 1 mijë euro për tu futur në rrjetin e XUEX

16 Shtator, 08:45| Përditesimi: 16 Shtator, 11:35

  • Share

Qindra qytetarë shqiptarë kanë re pre e skemave piramidale online që janë përhapur edhe në vendin tonë përmes platformës XUEX, sidomos në Lushnjë apo Divjakë. Pas denoncimeve të shumta në rrejt, Policia u vu në lëvizje dhe hetimet çuan në goditjen e një grupi me bazë në qarkun e Fierit, ku 6 persona u vunë në pranga ndërsa një çift bashkëshortësh u shpall në kërkim.

Por si funksiononte grupi? Edhe pse në fakt një skemë piramidale online, anëtarët e grupit kishin zgjedhur të mos “fshiheshin”, por ata reklamonin hapur platformën XEUX me qëllim që të fusnin në kurth qytetarët. Në dosjen hetimore të siguruar nga Shqiptarja.com tregohet se reklamat për këtë platformë bëheshin në një lokal në hyrje të qytetit të Lushnjës me pankarta. Bëhet fjalë për një lokal në rrugën "Shëtitorja e Palmave", bar-restorant "La Bonta". Në vitrinën e këtij lokali ishte ngjitur dy pankarta që reklamonin platformën "Xuex". Në njërën reklame është postuar "EG Group Investment XUEX " Investim një here = Përfitime të Përjetshme".

Po ashtu edhe tek reklama tjetër shkruhej "EG Group Investment XUEX "Projekt investimi afatgjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime". “Në ambientin e përshkruar sipas të dhënave bëhen investime në platformën "Xuex", e cila dyshohet se është një skemë mashtruese piramidale”, thuhet në dosje ndërsa shpjegohet edhe se si grupi u godit pas ndërhyrjes së agjentëve të infiltruar, me veprime simuluese.

Agjentët e policisë kanë shkuar në këtë bar restorant, më datë 27.08.2025 ora 17:30 dhe kanë marrë kontakt me kamerierin dhe e kanë pyetur për posterin qe ishte afishuar në derën kryesore të lokalit, se si funksionon dhe si mund të bëhen pjesë e kësaj platforme. Kamerieri Emanuel Taullau, pa e ditur se përballë kishte agjentë të infiltruar, ka nisur t’iu shpjegojë atyre se vetë ai ishte pjesë e platformës dhe se mund ti bënte edhe ata pjesë. Ose mund t’i mund ti ndihmonte dhe ‘profesori’, një person që nuk e ka zbuluar me emër, por që sipas tij ishte pronari i lokalit.

Në dosje thuhet se “Punonjësit e policisë kanë pyetur kamerierin rreth shumës që duhet të depozitohej për të hapur platformën dhe kamerieri Emanuel Taullau, ju ka thënë se: Minimum i shumës që duhet të depozitosh që të jesh pjesë e platformës është shuma minimale rreth 1000 dollar.” Kamerieri ju ka treguar se mund ti gjenim dhe në disa grupe në rrjetin social Telegram. Gjatë bisedës kamerieri ju ka treguar se në zonën e Divjakës, ku theksoi se ishte qendra e platformës kishte një pjesëmarrje të madhe individësh. Punonjësit e policisë i kanë kërkuar kamerierit informacion se ku mund të hyjnë në platformën “XUEX” dhe ai i është përgjigjur se :”Mund të merrni kontakt me mua në çdo moment të mundshëm. Ose mund ta gjejnë në lokal, pasi është cdo ditë aty në punë.

Më datë 28.08.2025, agjentët e policisë kanë shkuar sërisht në bar restorant “La Bonta”, ku kanë marrë kontakt me kamarierin Taullau, i cili ju ka dhënë edhe numrin e tij të telefonit. Në dosje thuhet se Emanuel Taullau i ka prezantuar agjentëve edhe një person tjetër, Flavio Mukaj, i cili po ashtu ishte i punësuar si kamarier në bar restorant La Bonta, por ishte dhe personi që do ti bënte pjesë të një grupi në rrjetin social “Telegram”. Në momentin që Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, kanë bërë regjistrimin e agjentit në Binance dhe e kanë bërë pjesë të grupeve në aplikacionin Telegram, duhej bërë pagesa prej 1000 (një mijë) dollarësh, në platformën Xuex.

Në dosje thuhet se “Emanuel Taullau, ishte personi që bëri transferimin e parave nga llogaria e tij në platformën Xuex, ku 100 (njëqind) dollarë i mori nga llogaria e shtetasit Flavio Mukaj dhe i hodhi në llogarinë e tij. Më pas nga llogaria e tij bëri transferimin e 1000 (një mijë) dollarëve në total, në llogarinë e agjentit, në platformën Xuex". I gjithë ky moment është dokumentuar nga blutë, pasi agjentët e policisë kanë qenë të pajisur me teknikë për regjistrimin audio dhe video të veprimit simulues.

Taullau 21 vjeç dhe Mukaj 23 vjeç, ⁠të dy kanë rënë në prangat e policisë. Gjatë operacionit, policia sekuestroi 50 celularë, 11 kompjuterë, hard-disqe, DVR, një makinë dhe shuma të konsiderueshme parash. Hetuesit zbuluan bazën e grupit, në këtë lokal në zonën e Lushnjës në pronësi të Arbër Çelës.

Sipas informacionit në Bashkinë Divjakë në këtë platformë janë regjistruar rreth 580 persona, të cilët kanë investuar vlera që variojnë nga 1,000 (njëmijë) dollar deri në 5,000 (pesë mijë) dollar. Pre e mashtrimit, nuk kanë rënë vetëm qytetarë, por edhe punonjës të Bashkisë Divjakë.

Cilat janë firmat piramidale online?

Firmat piramidale online që po veprojnë në Shqipëri duke mashtruar me mijëra qytetarë janë kryesisht “XUEXA” dhe “TXEX”. Qytetarët rekrutohen përmes personave të tjerë të njohur të tyre, duke i bindur që të investojnë para në këto platforma online. Ndërkohë, vetëm pasi kanë investuar dhe u tregojnë drejtuesve të platformës faturën, ata lejohet të futen në grupin e tyre në aplikacionin e komunikimeve “Telegram” dhe aty udhëzohen për çdo investim tjetër që duhet të kryejnë. Udhëzimet në "Telegram" i merrnin nga një person i quajtur Leo Smith, që sipas dosjes dyshohet të jetë një shtetas britanik. Por e gjitha në fakt është një skemë mashtrimi, pasi askush prej qytetarëve që kanë investuar nuk ka mundur të nxjerrë paratë për shkak se është bllokuar “payout”.

Ora 11:34
‘Kam frikë nga Erion Braçe’, si ra në kurthin e agjentëve 35-vjecari nga Tirana! Detaje nga DOSJA e skemave piramidale online

1758015385_erionbrace.jpg

Ereledio Shebeku dhe deputeti Erion Braçe

Shqiptarja.com zbardh të tjera detaje nga dosja e skemave piramidale online, ku në njërin episod faktohet edhe përfshirja e Ereledio Shebekut në këtë skemë, i cili po ashtu ka rënë në kurthin e agjentëve. Ata janë takuar me Shebekun më datë 30.08.2025 në një lokal dhe ai do tu mundësonte që të futeshin në grupin e Telegramit, ku merreshin udhëzimet nga personi i quajtur Leo Smith. Por, në dosje thuhet se Shebeku i ka regjistruar dy agjentët vetëm në platformën Binanc, pasi e kishte zënë frika pasi emrin e tij e kishte përmendur deputeti Erion Braçe në një postim në Facebook. Ky i fundit ka qenë ndër të parët që ka denoncuar skemat piramidale online.

“Duke qenë se kjo situatë u bë dhe mediatike shtetasi Ereledio Shebeku ishte i frikësuar dhe në tension pasi deputeti shtetasi Erion Brace e kishte përmendur në një postim në rrjetet e tij sociale. Për këtë arsye shtetasi Ereledio Shebeku, ka bërë të mundur vetëm regjistrimin në platformën Binanc, ku ju ka depozituar edhe 700 euro dhe ju ka thënë agjentëve të policisë se duhet të gjejnë një person tjetër që ti bëjë pjesë të grupeve në aplikacionin Telegram, sepse ai vet nuk mundej pasi i kishte bërë tashmë pesë persona. 

Agjentët e policisë kanë qenë të pajisur me teknikë për regjistrimin audio dhe video të veprimit simulues, i cili është ende në proces transkripti për shkak të vështirësisë në dëgjim të audios. Këto materiale janë hedhur edhe në disk. Është përpiluar raport vëzhgimi për këtë rast nga punonjësit e policies, si dhe janë këqyrur pamjet filmike”, thuhet në dosje.

Ora 11:18
DOSJA/ Qindra qytetarë e punonjës të Bashkisë Divjakë ranë pre skemave piramidale online, investonin deri në 5 mijë euro

Foto nga operacioni i Policisë së Fierit dhe çifti i bashkëshortëve në kërkim, Ereledio dhe Alma Shebeku

Qindra qytetarë dyshohet se kanë rënë pre e skemave piramidale online, të cilët kanë humbur investimet e tyre në platforma si XEUC. Por, në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com thuhet se “viktima” të kësaj skeme kanë rënë edhe punonjës të Bashkisë së Divjakës. Në dosje flitet për rolin e Ereledio Shebekut, i cili pas operacionit që ndërmori Policia e Fierit është shpallur në kërkim bashkë me bashkëshorten e tij, Alma Shebeku, të dy 35 vjeç. Në dosje thuhet se Shebeku ka rolin e menaxherëve kryesorë të grupit. I riu komunikonte në telegram me një person të quajtur “Leo Smith”, i cili dyshohet se është britanik dhe koordinon skemën mashtruese. Qytetarët investojnë nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë.

“Nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ka të instaluar një platformë për tregëtimin e kriptomonedhave, e cila mban emrin “XUEX”. Në këtë faqe online ky shtetas ka hapur një grup me pesë persona, ku secili prej tyre investon vlera monetare në shumat që variojnë nga 1.000 deri në 5.000 dollarë. Shtetasi Ereledio Shebeku nëpërmjet këtij aplikacioni merr mesazhe nga një person që është identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është shtetas britanik, ku i fton të gjithë pjesëmarrësit që të futen në këtë platformë në orën 14:ë dhe në orën 19:ë të çdo dite, duke i kërkuar që ti bëjn “like” faqeve që ju dërgon ky shtetas në aplikacionin “Telegram”, thuhet në dosje.

Nga ky investim të gjithë personat që luajnë në këtë platformë dhe bëjnë like përfitojnë shumën prej 1% të investimit të tyre. Pra çdo ditë e shtojnë investimin e tyre me 1% të vlerës së investuar. Investimin që disponojnë në telefon në platformën “XUEX”, shumën që duan të tërheqin e transferojnë në një llogari në “Binancë bankë” dhe nga kjo llogari këtë shumë e transferojnë në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe më pas kryejnë tërheqjen e parave rregullisht, ku banka ju mban komision për këto tërheqje dhe ju jep kopje të mandatit të tërheqjes së parave. Të gjithë pjesëmarrësit që janë regjistruar në këtë platformë, paratë i derdhin në bankë në llogaritë e tyre bankare me pretendim se duan të investojnë në shitblerjen e kriptomendhave dhe blerje online.

Sipas informacionit në Bashkinë Divjakë në këtë platformë janë regjistruar rreth 580 persona, të cilët kanë investuar vlera që variojnë nga 1,000 (njëmijë) dollar deri në 5,000 (pesë mijë) dollar dhe të ardhurat e fituara në këtë platformë tërhiqen çdo 45 ditë.

Ereledio Shebeku, ka futur në këtë platformë familjarët e tij dhe shumë persona të tjerë. Në këtë platformë është futur Brunilda Ndini, punonjëse e Bashkisë së Divjakës. Edhe ajo ka rënë në pranga pasi ka futur në këtë skemë familjarë të saj, punonjës të Bashkisë së Divjakës, por edhe banorë të qytetit të Divjakës, si dhe nga fshatrat e Njësisë Administrative Tërbuf. Shumë prej këtyre personave kanë aplikuar në këtë platformë me familjarë të tyre si bashkëshortet, fëmijët dhe vëllezërit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?