Prej më shumë se 3 dekadash, mungesa e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, rrugët e amortizuara dhe kanalizimet e dëmtuara kanë qenë pjesë e përditshmërisë për rreth 5 mijë banorë të lagjes “Nënë Tereza” në Lezhë. Kjo situatë po merr zgjidhje përmes një projekti të madh transformues që po zbatohet nga Bashkia Lezhë.
Investimi synon jo vetëm furnizimin 24 ore me ujë, rehabilitimin e rrugëve dhe kanalizimeve, por edhe ndërtimin e hapësirave atraktive në një zonë që prej vitesh ka qenë problematike për shkak të përmbytjeve dhe infrastrukturës së amortizuar. Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, thekson se ky projekt është pjesë e një plani gjithëpërfshirës për transformimin e qytetit.
Edhe banorët e lagjes “Nënë Tereza” shprehen se investimi pritet të zgjidhë shqetësime të hershme, duke kërkuar që punimet të ndiqen nga afër për t’u zbatuar siç duhet.
Kreu i Bashkisë, gjatë inspektimit të punimeve, u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim për vështirësitë e përkohshme që do të shoqërojnë procesin e zbatimit të projektit, i cili synon ta kthejë lagjen “Nënë Tereza” në një hapësirë bashkëkohore dhe funksionale.
Komente
