Foto ilustruese

Ekonomi

Investimet e huaja patën një rritje në gjysmën e parë të këtij viti në Shqipëri

12 Shtator 2021, 08:22| Përditesimi: 12 Shtator 2021, 08:25

  • Share

Investimet e Huaja Direkte shënuan një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ato arritën në 234 milionë euro, 3 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për gjysmën e parë të vitit, Shqipëria ka thithur Investime të Huaja Direkte në vlerën e 463 milionë eurove, në rritje me 0.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat tregojnë që edhe për tremujorin e dytë, një peshë të lartë kishin fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve të huaja ekzistuese. Ato zinin më shumë se gjysmën e fluksit total të investimeve të huaja për periudhën.

Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara e kanë rritur peshën e tyre në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte, duke kompensuar një pjesë të rënies së flukseve të reja investuese nga jashtë. Me shpërthimin e pandemisë, roli i tyre u bë edhe më i rëndësishëm, duke kompensuar rrethanat e pafavorshme për ndërmarrjen e projekteve të reja të investimit.

Riinvestimi i fitimeve është karakteristik veçanërisht në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve. Kjo vlen sidomos për sektorin financiar, ku rritja e bankave kërkon edhe mbështetje me kapital të mjaftueshëm për të mbuluar asetet financiare me rrezik. Zakonisht, bankat e kapitalizojnë të paktën një pjesë të fitimit për të ruajtur parametrat e kërkuar rregullatorë.

Me përfundimin e projekteve të rëndësishme të investimit në energjetikë dhe me goditjen që ekonomia globale pësoi nga pandemia, ishte e pritshme që flukset e Investimeve të Huaja Direkte të pësonin një lloj rënieje. Vitin e kaluar, investimet e huaja kishin vlerën e 933 milionë eurove, në rënie me 13% krahasuar me një vit më parë. Për këtë vit, këto investime po rezistojnë në nivele të ngjashme, madje edhe me një rritje të lehtë, kryesisht falë kontributit të investitorëve ekzistues.

Për tremujorin II 2021, të dhënat e investimeve sipas sektorëve ende nuk janë të disponueshme. Megjithatë, deri në fund të tremujorit të parë, struktura e investimeve sipas sektorëve kryesohej nga industria nxjerrëse, e ndjekur nga sektori bankar dhe financiar, pasuritë e paluajtshme dhe aktivitete profesionale dhe teknike, të lidhura sidomos me shërbimet call center.

Në vitet e fundit, është shënuar një tendencë e largimit të investitorëve të huaj prej disa sektorëve strategjikë dhe zëvendësimi i tyre nga investitorë vendas. Megjithatë, sektori financiar apo telekomunikacionet vazhdojnë të ngjallin interes nga investitorë të huaj, por kryesisht nga investitorë nga Europa Qendrore dhe Lindore.

Grupi bankar slloven NLB ka shfaqur zyrtarisht interesin për të hyrë në tregun bankar shqiptar, ndërsa kompania hungareze e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 4iG, po interesohet për të blerë operatorin e shërbimeve fikse dhe celulare të komunikimit, Albtelecom./Monitor

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?