Gent Sejko

Ekonomi

Investimet e zgjuara 'shpëtim' për zhvillimin ekonomik, Sejko: Të përshtatemi me BE, sfidë e fortë demografia dhe tregtia

28 Maj, 11:05| Përditesimi: 29 Maj, 12:53

  • Share

Industritë tradicionale nuk sjellin zhvillim që konkurron në tregun global, prioritet i qeverisë duhet të jenë investimet në ‘politika industriale moderne’. Teksa i konsideron ‘levë’ zhvillimi industritë e bazuara në teknologji, guvernatori Gent Sejko në një konferencë me BERZH dha disa sugjerime për qeverinë.

“Këto “shërbime të inovacionit global” si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale”, tha Gent Sejko në konferencë me BERZH. 

Në rrugën e integrimit, zhvillimi industrial ka rëndësi thelbësore, dhe për t’u bërë një lojtar konkurrues në tregun evropian, BERZH do të ndihmojë Shqipërinë me investime në sektorë të ndryshëm deri në 2029-ën. 

“Më herët këtë vit bordi ynë miratoi strategjinë e re 5 vjeçare për Shqipërinë e cila bazohet ën angazhimin tonë në Shqipëri gjatë periudhës strategjike me financime dhe asistence teknike për Shqipërinë dhe synon të mbështes progresin e plotë të Shqipërisë drejt BE”, tha drejtuesja e BERZH për Shqipërinë Ekaterina Solovova.

Guvernatori tha se konkurrimi i tregut evropian kërkon investime të mëdha jo vetëm nëpër sektorë, por edhe në kapital njerëzor të kualifikuar.

“Të jemi ambiciozë, por të kujdesshëm; të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore”, tha Sejko.

Të gjitha këto hapa me faturë miliarda euro, duhen ndërmarrë në një kohë sfidash globale.

“Tensionet gjeopolitike kanë shkaktuar një rritje prej 30% në koston e zinxhirëve globalë të furnizimit që nga 2020. Shumë ekonomi, përfshirë edhe tonën, po përballen sot me rënie demografike, ndryshime në tregun e punës dhe disbalanca sektoriale”, tha Sejko.

Gjatë konferencës u prezantua edhe raporti i tranzicionit i BERZH për vitet 2024-2025, ku fokus kryesor kanë investimet në energji të gjelbër, në kapital njerëzor dhe alternativat e reja të tregtisë nën presionin e tarifave doganore.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?