Rënia e fluksit të investimeve me 140 milionë euro në vitin e kaluar, për ish drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve në Shqipëri Genti Beqiri nuk është një lajm shumë negativ, pasi përpos pandemisë projektet në energji (TAP dhe Devolli) po mbarojnë.
“Shumë nga projektet në energji po përfundojnë, projekte të tjera pritet të fillojnë, dhe nëse materializohen projektet e lançuara ai i portit të Durrësit si dhe në fushën e energjisë do të jemi në një situatë të mirë”, shprehet Beqiri.
Beqiri konsideron si vit sfidues 2021 për shkak edhe të zgjedhjeve elektorale, që sipas tij ndikojnë në ekonomi dhe investime.
“Ne jemi përpara zgjedhjeve dhe normalisht kjo situatë do të impaktojë ata që marrin vendime për të investuar, kjo do të varet edhe nga situata se sa e qetë do të jetë para dhe pas zgjedhjeve”, thotë eksperti.
Edhe pse me këto sfida dhe rënie në vitin e shkuar eksperti i ekonomisë thotë se investimet amerikane dhe ato në energjinë e rinovueshme si parqet fotovoltaike janë pozitive.
“Investimi amerikan është shenjë pozitive, pasi kur një kompani amerikane vjen dhe bën biznes në Shqipëri ngre nivelin e të bërit biznes. Sektori i energjisë të vazhdojë të diversifikohet pra të kalojmë në investime ekologjike dhe të ndërpresim ato që kanë bazën ujore. Të diversifikojmë investimet në turizëm pasi këto janë hallkat kryesore që po mbajnë ekonominë. Ne bazohemi tek turizmi, tek përpunimi, bujqësia apo energjia”, sqaron Beqiri.
Beqiri thotë se drejtësia dhe pronësia janë dy problemet kryesore që frenojnë ardhjen e një fluksi më të lartë investimesh në vend.
“Nëse ke një problem dhe patjetër që ndodh kudo, por ke një gjykatë që të jep të drejtë, ke një gjykatë që të jep të drejtë, por në Shqipëri është një problem i madh. Ka jashtëzakonisht shumë interes për të investuar në turizëm por çështja e pronave është një pengesë e madhe, këto janë thembra e Akilit edhe pse janë dy probleme”, shprehet ish drejtori i Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve .
Në vitin e kaluar pesha më e lartë e investimeve ishte në energji me 260 milionë euro, nga 933 milionë euro që ishte fluksi total. Ndërkohë shtetet që sollën më shumë para ishin Holanda me 206 mln euro, Zvicra me 190 mln euro, Italia me 117 milionë dhe Turqia me 94 milionë euro.
FLUKSI I INVESTIMEVE TË HUAJ
- Viti 2019 1.073 mld euro
- Viti 2020 933 mln euro
- Diferenca -140 mld euro
INVESTIMET NGA HOLANDA
- Viti 2019 260 mln euro
- Viti 2020 206 mln euro
- Diferenca -54 mln euro
INVESTIMET NGA ZVICRA
- Viti 2019 197 mln euro
- Viti 2020 190 mln euro
- Diferenca -7 mln euro
INVESTIMET NGA ITALIA
- Viti 2019 119 mln euro
- Viti 2020 117 mln euro
- Diferenca -2 mln euro
INVESTIMET NGA TURQIA
- Viti 2019 52 mln euro
- Viti 2020 94 mln euro
- Diferenca -42 mln euro