Investimet Strategjike deri në fund të 2024, jo në 2027! 'Ligjet' i thonë ‘jo’ ndryshimeve të tjera, Bushka: Brenda vitit drafti final! Ja qëndrimi i opozitës

4 Mars, 15:35| Përditesimi: 5 Mars, 07:08

  • Share

Afati i Ligjit për investimet strategjike do të shtyhet deri në fundit të këtij viti dhe jo deri më 31 dhjetor 2027-ën siç ishte propozuar nga deputeti i PS-së Eduard Shalsi.

Kryetarja e Komisionit komisionin e Ligjeve Klotilda Bushka tha se do të pranohet vetëm shtyrja e afatit deri në 31 dhjetor 2024, jo 2027, ndërsa ndryshimet për kushtet e kriteret i investimeve, nuk do të miratohen pasi duhet të përfshihen në ligjin final që po përgatitet me asistencë të partnerëve ndërkombëtar si Banka Botërore.

“Sugjeroj vetëm të shtyjmë vetëm afatin por të mos bëjmë ndryshime në kriteret e tjera, ndryshimet e tjera ti adresohen grupit teknik të punës që po bën ligjin e ri të investimeve”, tha Bushka.

“Jam Dakord”, u shpreh Shalsi.

Duke e konsideruar ligj me porosi dhe në shërbim të një grupi personash, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, tha se qeveria duhet të tërhiqet nga ky projektligj pasi është momenti që të tregojë që nuk është e përfshirë në këtë vorbull korrupsioni.

Alibeaj: Qeveritarët janë përfshirë në vrimën e zezë të këtij ligji. Ju po i shtyni afatin një ligji që as ju nuk e besoni më. Ligj klientelist, autostradë e madhe korruptive. Interesi real, është për të thithur paranë korruptive dhe të zezë. Duhet të hetohen të gjitha procedurat e mëparshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, i bën nderë edhe qeverisë për të mos ndyrë duart edhe në këtë vorbull korrupsioni si ky ligj i investimeve strategjike. Duhet të tregoni që jeni me duar jashtë, që mbroni interesat e publikut, që nuk i shërben një kaste oligarkësh afër qeverisë për ta përdorur ligjin si plaçkë. Një iniciativë e tillë duhet të hidhet me neveri në koshin e plehrave.

Shalsi: Janë të mençur shqiptarët, e dinë çfarë bëni ju dhe çfarë bëjmë ne. Keqardhje për mënyrën edhe akuzat që vendosët, por ju kam kërkuar deputeteve që sugjerimet që bëhen në komision të ekonomisë gjëja e fundit është të shihet se nga vijnë.

Alibeaj: Bëni ligj për 40 veta, investitor strategjik që marrin pasuritë e këtij vendi për interesa të veta. Ku është mbrojtja e interesit publik. Pavarësisht kontestimit nga Alibeaj komisioni e miratoi projektligjin duke shtyrë vetëm afatin deri në fund të këtij viti. tashmë kjo nismë pret dritën jeshile edhe nga komisionet e tjera. Në projektligjin fillestar Shalsi kishte propozuar që vlera e propozuar për investime strategjike nuk duhet të jetë më pak se 50 milionë euro nga 1 milionë euro që ishte në ligjin e investimeve strategjike që i ka skaduar afati në dhjetor të vitit të shkuar.

Aktualisht është ngritur grupi i punë për të bërë një ligj të unifikuar për investimet e huaja dhe ato strategjike me qëllim nxitjen, tërheqjen dhe promovimin e investimeve vendase dhe të huaja, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

(Kliko KËTU për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për investimet stategjike)

(Kliko KËTU për të parë relacionin për ligjin për investimet strategjike)

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?