Investimi 5 mln euro i bashkisë së Kukësit! Banorët në protestë kundër projektit të ujësjellësit: Po na shkatërrojnë shtëpitë

27 Qershor 2023, 17:01| Përditesimi: 27 Qershor 2023, 17:21

  • Share

Me një investim prej 5 milionë eurosh ka nisur puna për rrjetin e ri ujësjellës të Kukësit dhe vendosjen e matësve. Banorët janë kundër investimit të Ministrisë së Instrastrukturës, pasi projekti nuk përfshin shtrirjen e tubacioneve nëpër banesa. Ata kanë bllokuar punimet ne shenje proteste, deri në gjetjen e një zgjidhje nga ky dikaster.

Në qytetin e Kukësit prej disa ditësh kanë nisur punimet për vendosjen e matësave për ujin e pijshëm. 

Por, 15 familjeve të lagjes 3 të qytetit protestojnë kundër ujësjellësit, duke refuzuar vendosjen e tubave në pallatin e tyre. Ata se me këtë projekt u duhet të vendosin instalimet e reja në gjithë shtëpinë, kosto që rëndon në xhepat e tyre.

“Problemi është se projekti është bërë pa marrë parasysh gjendjen e banesave. Kolona aktuale e ujit është mes shtëpisë. Instalimet nëpër shtëpi i kemi bërë duke marrë parasysh kolonën e ujit dhe tani nuk kemi mundësi me i vendos tubat e ujit pavarësisht se mund të thyejmë pllakat, pra ne nuk mund ti bëjmë se duhet me prish gjithë instalimet e shtëpisë. Këto tuba (të rinjtë) janë në sipërfaqe kur të bien temperaturat do mbetemi pa ujë se tubat ngrijnë. Në shkallën tonë mos të zbatohet ky projekt.  Sahatet le ti vendosin aty ku kanë qenë më përpara. Këtu s’ka as tabele asgjë për punimet, unë e kam bërë shtëpinë para 15 vitesh, ku ti gjej lekët unë me bë shpenzimet sërish. Unë skam asnjë lek borxh ujësjellësit, I paguaj faturat rregullisht. Unë kam investuar në shtëpi, kam punu në kurbet, tani i bie me prish gjithë shtëpinë nga fillimi në fund vetëm për projektin e këtyre. Po na mbuluan shpenzimet le ta bëjnë në të kundërt nuk pranojmë", u shpreh një banor.

Sipas kompanisë “Curri” që po kryen punimet, kontrata e projektit parashikon vetëm punimet deri në hyrjen e jashtme të çdo apartamenti dhe nuk përfshin investimet apo rimbursim shpenzimesh për qytetarët që duhet të kryejnë punime brenda apartamentit të tyre për lidhje e bokseve kolektive të matësave të ujit me tubin kryesor të ujit te çdo familje.

Investimi me vlerë 5 mln euro bashke me shtrimin e rrjetit te ri te ujësjellësit është financuar nga Ministria e Infrastrukturës përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësve. Në të gjithë qytetin pritet të vendosen rreth 2900 sahatë të ujit të pijshëm. Që nga shtatori i vitit të kaluar ujësjellësat nuk janë më pronë e bashkive por në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ujësjellësi i Kukësit, tashmë është rajonal në përbërje të të cilit janë edhe ujësjellësat e Hasit e Tropojës.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?