Sociale

Investimi në hyrje të Shkodrës, nis prishja e 10 objekteve për t’i hapur rrugë projektit transformues

10 Mars, 11:04| Përditesimi: 10 Mars, 12:57

  • Share

Shkodra po i hap rrugë transformimit urban me një tjetër fazë të rëndësishme të punimeve për hyrjen e re të qytetit. Pas shpronësimeve, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka nisur aksionin për prishjen e 10 objekteve në këtë zonë, me qëllim zbatimin e projektit modernizues për hyrjen e qytetit.

Drejtori i IMT-së, Emilian Nika, deklaroi se më herët janë prishur edhe 10 objekte të tjera në kuadër të këtij projekti.

“Paralelisht, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike pranë liqenit të Shkodrës dhe përgjatë lumit Buna, ku po largohen instalimet e jashtëligjshme, përfshirë edhe pinarët.  Pronarët e objekteve janë njoftuar paraprakisht për këtë proces dhe janë shpronësuar”, tha ai.

Në mbështetje të operacionit janë të pranishme edhe forcat e Policisë Vendore të Shkodrës, duke garantuar mbarëvajtjen e punimeve.

Projekti për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 5 milionë euro synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative. Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?