Investuam paratë aty, a do na njihen vitet?! Studentët frikë pas mbylljes së kolegjit "Wisdom"

26 Shtator, 17:08| Përditesimi: 26 Shtator, 17:22

  • Share

TIRANE - Na ndajnë vetëm dy javë nga nisja e vitit të ri akademik, por për Klea Çaushin viti i ri i studimeve ka ardhur me sfida e vështirësi të reja e të papritura.

Teksa priste të hidhej në vitin e tretë të studimeve në ciklin Bachelor në degën Menaxhim-Biznesi në Kolegjin Universitar “Wisdom”, qeveria vendosi mbylljen e tij. E shqetësuar dhe e gjetur në udhëkryq, Klea u paraqit që në orët e para të mëngjesit para dyerve të universitetit “Wisdom” për të bërë çregjistrimin në degën që priste të diplomohej.

“Jam në vitin e tretë për Menaxhim-Biznesi, kam ardhur këtu të çregjistrohem, për shkak të shkollës mesa dëgjova që do të mbyllet. Të paktën të marr dokumentet edhe të shkoj diku tjetër”, thotë studentja.

Studentja tregon për Report TV se lajmin për mbylljen e universitetit e ka mësuar nga mediat, dhe sipas saj deri në këtë moment “Wisdom” nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar për fatin e studentëve.

“Nuk kemi pasur asnjë komunikim as me rektorin dhe me asnjë tjetër. E kam dëgjuar në lajme, edhe që doli para disa ditësh rektori i madh që mund të mbyllej, doli edhe dje që ma nisën disa të njohur që shkolla është mbyllur. Po presim me marrë dokumentet, që as dera s’po hapet”, tregon Klea Çaushi.

Shqetësimi më i madh i Kleas është nëse do t’i njihen dy vitet e para të studimit, me qëllim që vitin e tretë ta kryejë në një tjetër universitet.

“Të them të drejtën kur e dëgjova nga lajmet që më thanë familjarët e të afërmit, e prita pak keq se nuk prisja se do mbyllet. Thash ta mbyllja edhe këtë vit edhe secili të vazhdonte rrugën e vetë. Por kemi investuar me paratë aty. Besoj do na njihen dy vitet e para, se ndryshe do na bënte problem të madh”, thotë studentja.

Të paqartë e me shumë dilema, edhe studentë të tjerë u interesuan pranë Wisdom për të marrë informacione se ç’do të bëhet me studimet e diplomat e tyre.

Mbyllja e Kolegjit Universitar “Wisdom” nga qeveria erdhi si pasojë e skandalit me shitjen e diplomave dhe certifikatave false për të rinjtë italianë kundrejt çmimit 7000-10.000 euro për diplomë. Vendimi i këshillit të ministrave përcakton qartë se universiteti duhet të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një universitet tjetër dhe t’ia vërë atë në dispozicion studentit, pa asnjë tarifë shtesë. Gjithashtu, Kolegji duhet të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimitsi dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit. Studentët mund të transferohen në universitetet të tjera deri më 20 nëntor, ku mund të regjistrohen në programe të njëjta apo të ngjashme studimi nëse plotësojnë kriteret ligjore.

Për skandalin e Kolegjit Uisdom, 9 persona janë në pranga, mes tyre pronari Savino Cianci dhe administratori Leonardo Catalano.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?