TIRANË- Për herë të parë janë listuar arsyet kryesore se përse tre pallatet në Thumanë, që morën dhjetëra jetë njerëzish, janë shembur. I ftuar në "Rpolitix" në Report Tv, inxhinieri Dhimitër Papa ka bërë me dije se shkak ka qenë pikërisht punimet jo cilësore.
Pas inspektimit të bërë në terren, Papa tha se ndërtimi i këtyre pallateve ka pasur shumë probleme, duke filluar që nga lidhje e llaçit dhe tullave me njëra tjetrën si dhe soletat e parapërgatitura, me qëllim shkurtimin e shpenzimeve, por që u bënë shkaktare kryesore të vdekjes së dhjetëra personave.
Ai madje shtoi se edhe nëse nuk do kishte rënë tërmet, këto pallate me kohën do të ishin shembur.
"E para, cilësia shumë e dobët e muraturës, e mureve. dhe lidhja pothuajse inekzistente e tullave me llaçin dhe e tullave më njëra- tjetrën. E dyta, soletat e parapërgatitura, ndarjet nga kati në kat, ishin të ndara në rripa, të cilat parapërgatiteshin në një nyje merreshin dhe montoheshin me vinç. Kjo gjë bëhej për të kursyer armaturën e drurit, e cila ishte një material që gjendej lirë. Këto soleta kanë defektin madhor që nuk i lidh të gjitha muret. Këto mure, po të ishin të lidhura me një solet masive, nuk do binim. Fakti që ishin me soleta të shkëputura, nuk ka pasur as breza, dhe me lëvizjet më të vogla që pasuan si rrjedhojë e tërmetit, muret u hapën dhe soletat ishin të palidhura dhe ranë. një pjesë e tyre mbetën të varura, në ato pak shufra hekuri që kishin në një diametër shumë të vogël. Dhe një pjesë tjetër ishin shumë të amortizuara, të ndryshkura, nga avujt ka futur lagështi dhe ishin pothuajse të shkatërruara. Me kalimin e një fare kohe, ato mund të binin dhe vetë, nuk kishin nevojën e tërmetit të binin", tha Papa.
Komente
