Politikë

‘IPA për të qenë gati për anëtarësim’, BE: Përdorini mirë fondet! Supreti: Të forcohen kapacitetet

24 Qershor, 19:37| Përditesimi: 24 Qershor, 22:41

  • Share

Vetëm në vitin 2025, Shqipëria pritet të përthithë 100 mln euro nga fondet e paraanëtarësimit IPA, të vëna në dispozicion nga Bashkimi Evropian. Fonde të cilat pritet të miratohen dhe disbursohen dhe do të ndihmojnë në fusha si sundimi i ligjit dhe demokracisë, drejtësia dhe të drejtat e njeriut, qeverisja e mirë etj.

Nga Tirana, në komitetin e monitorimit IPA, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komision Evropian kërkon që Shqipëria të ketë vazhdimësi në menaxhimin e mirë të parave që vijnë nga taksapaguesit evropianë.

“Duhet gjithashtu, pa vetëkënaqësi, të përgëzojmë veten, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në menaxhimin e këtyre fondeve. Është shumë e rëndësishme – s’ka nevojë të thuhet, por gjithsesi duhet theksuar që duhet siguruar besim për menaxhimin indirekt nga vendi përfitues, dhe do të ishte e rëndësishme gjithashtu të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet dhe të përgatitemi për anëtarësim”, tha Valentina Supreti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Për qeverinë, në emër të së cilës foli zv/ministri i Financave, Andi Mehmeti, Shqipëria ka treguar se është e aftë të menaxhojë edhe më shumë fonde nga BE. 

'Menaxhimi financiar i fondeve aktuale IPA është në njëfarë mënyre testi dhe dëshmia jonë se jemi të aftë dhe të gatshëm për të trajtuar fondet e mëdha të BE-së sapo të bëhemi anëtarë. Qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë që fondet e mobilizuara nga Bashkimi Evropian të shpenzohen mirë dhe të çojnë drejt rritjes, transparencës dhe parimeve demokratike', tha Andi Mehmeti, zv/ministër i Financave. 

Nga fondet e paraanëtarësimit IPA III, Shqipëria pritet të përfitojë gjithsej rreth 525 milionë euro, ndërsa nga IPA II, vendit tonë iu alokuan rreth 551 milionë euro.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?