Josep Borrell

Iran/ Ekzekutimi i ish zv. ministrit të mbrojtjes britaniko-iranian, Borrell: I tmerrshëm! Hiqni dënimin me vdekje

15 Janar 2023, 21:30| Përditesimi: 15 Janar 2023, 21:32

  • Share

Bashkimi Evropian dënon në mënyrë më të ashpër ekzekutimin në Iran të shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari  dhe përsërit kundërshtimin e tij të fortë ndaj dënimit me vdekje në çdo rrethanë, tha në një deklaratë Përfaqësuesi i Lartë të BE-së, Josep Borrell.

“Bashkimi Evropian i shpreh ngushëllimet familjes së z. Akbari dhe shpreh solidaritetin e plotë me Mbretërinë e Bashkuar. Ekzekutimi i një qytetari evropian është një precedent i tmerrshëm që BE-ja do ta ndjekë nga afër", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se dënimi me vdekje cenon të drejtën e patjetërsueshme për jetë të parashikuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe përbën dënimin më të fundit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.

Së fundi, BE-ja i bën thirrje Iranit që të përmbahet nga çdo ekzekutim i ardhshëm dhe të ndjekë një politikë të qëndrueshme për të hequr dënimin me vdekje.

Alireza Akbari, ish zv.ministri i Mbrojtes u ekzekutua pasi u dënua me vdekje me akuzën e spiunimit për Britaninë. Dënimi me vdekje i Akbarit me shtetësi britaniko-iraniane u shpall vetëm pak ditë më parë, më 11 janar, pasi ai u dënua për spiunazh për Mbretërinë e Bashkuar. Kur u dha vendimi u tha se ishte spiun ‘kyç’ për qeverinë britanike. Ndaj vrasjes së tij ka reaguar dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, i cili tha se është i tmerruar nga ngjarja dhe e ka cilësuar ekzekutimin si "të pashpirt dhe frikacak" nga një regjim barbar. Ndërkombëtarët dhe organizata botërore të drejtave të njeriut kanë kritikuar ashpër Iranin, i cili ka rikthyer dënimin me vdekje pas protestave në vend që shpërthyen për respektimin e të drejtave të grave e njeriut, që pas vdekjes së kuro-iranianes Mahsa Amini.

22-vjeçarja Amini ndodhej në paraburgim me arsyetimin e nuk e kishte vendosur si duhet mbulesën në kokë. E reja ndërroi jetë në qeli. Autoritetet thanë se ajo vuante nga një sëmundje kronike dhe ndërroi jetë pas problemeve me zemrën, por kjo është kundërshtuar nga baba i saj, i cili ka thënë se Amini nuk ka pasur asnjëherë probleme shëndetësore, çka ngre dyshimet se e reja mund të jetë keqtrajtuar dhe vrarë nga autoritetet.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?