Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka deklaruar se lufta 12-ditore me Izraelin ka shkaktuar dëme “të rënda” në impiantet bërthamore të vendit. Në një intervistë për televizionin shtetëror, ai tha se një vlerësim i detajuar i dëmeve po kryhet nga ekspertët e Organizatës iraniane për Energjinë Atomike. Në fokus të qeverisë iraniane tani është çështja e kompensimeve, e cila është futur në agjendën zyrtare të vendit.
Araghchi hodhi poshtë çdo mundësi për rifillimin e bisedimeve me Uashingtonin, duke kundërshtuar deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se një raund i ri negociatash mund të fillonte së shpejti.
“Nuk ka pasur as marrëveshje, as ndonjë vendim, e as diskutim për rifillimin e negociatave me SHBA-në. Po zhvillojmë vetëm diskutime të brendshme, të ndara plotësisht nga kjo temë”, – theksoi Araghchi.
Ai shtoi se situata tashmë është shumë më e ndërlikuar sesa në të kaluarën:
“Gabimet e Shteteve të Bashkuara nuk e kanë zgjidhur çështjen bërthamore, përkundrazi, e kanë bërë atë shumë më të vështirë. Më parë ishim në rrugën e duhur për një zgjidhje paqësore, por tani, pas luftës dhe viktimave, nuk është më aq e lehtë të arrihet një marrëveshje si dikur.”
“Armëpushimi? E kërkoi Izraeli, jo ne”
Araghchi deklaroi gjithashtu se nuk ishte Irani që kërkoi armëpushim, duke theksuar se ishte Izraeli ai që bëri hapin e parë në këtë drejtim.
“Që në ditët e para të konfliktit, vendet evropiane na bënë thirrje të ndalonim dhe të ktheheshim në diplomaci. Ne u përgjigjëm se po mbronim veten. Nuk ishim ne që nisëm agresionin”, – tha ministri.
Komente
