Në Iran po mbahet një funeral shtetëror për rreth 60 persona, përfshirë komandantë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë, të vrarë gjatë konfliktit 12-ditor me Izraelin.
Arkivolët e mbuluar me flamurin iranian, të zbukuruar me portretet e komandantëve të vrarë, u vendosën pranë sheshit Enghelab në qendër të Teheranit, të rrethuar nga turma të mëdha njerëzish.
Konflikti përfundoi me një armëpushim më herët këtë javë, pasi SHBA u përfshi drejtpërdrejt duke bombarduar disa nga objektet kyçe bërthamore të Iranit.
Mes të rënëve që po përcillen për në banesën e fundit është edhe Mohammad Bagheri, zyrtari më i lartë ushtarak në Iran dhe shef i shtabit të Forcave të Armatosura iraniane.
Turma të mëdha vajtuesish të veshur me të zeza brohorisnin slogane, valëvitnin flamuj iranianë dhe mbanin në duar portretet e të vrarëve.
Funerali i së shtunës përfshin gjithashtu edhe Hossein Salami, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike, si dhe një sërë shkencëtarësh bërthamorë, përfshirë Mohammad Mehdi Tehranchi, që ishte rektor i Universitetit Azad në Teheran.
Ky funeral vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do ta konsideronte “absolutisht” një bombardim tjetër ndaj Iranit.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarja e BBC-së, Nomia Iqbal, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump tha se do të ndërmerrte pa dyshim një sulm ushtarak nëse inteligjenca do të konfirmonte se Irani mund të pasuronte uranium në nivele të rrezikshme.
Trump ka përsëritur gjithashtu deklaratat e tij se Irani ishte “shkatërruar”, duke shkruar:
“Pse i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’, Ajatollah Ali Khamenei, i vendit të shkatërruar nga lufta, do të thoshte kaq hapur dhe budallallëk se e fitoi luftën me Izraelin, kur e di që deklarata e tij është një gënjeshtër?”
Ai gjithashtu pohoi se kishte ditur “saktësisht se ku ishte strehuar Khamenei”, dhe se “nuk do të lejonte Izraelin apo forcat e armatosura të SHBA-së... t’i jepnin fund jetës së tij”.
“E shpëtova nga një vdekje shumë e shëmtuar dhe e turpshme, dhe ai nuk ka pse të thotë: ‘faleminderit, President Trump!’” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i kërkoi Trump-it të mos përdorë një gjuhë “mosrespektuese” ndaj Khamenei-t, i cili më herët kishte deklaruar se sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane “nuk arritën asgjë të rëndësishme”.
“Nëse Presidenti Trump është vërtet i sinqertë për një marrëveshje, atëherë duhet të lërë mënjanë tonin fyes dhe të papranueshëm ndaj Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajetullahut të Madh Khamenei,” shkroi Araghchi në X.
Ai shtoi:
“Populli i Madh dhe i Fuqishëm i Iranit, që i tregoi botës se regjimi izraelit nuk kishte rrugëdalje tjetër veçse t’i drejtohej ‘babait’ për të shmangur shkatërrimin nga raketat tona, nuk i pranon kërcënimet dhe fyerjet.”
Araghchi pranoi gjithashtu se dëme “të rënda dhe serioze” i janë shkaktuar objekteve bërthamore të Iranit nga bombardimet e fundit.
Komente
