Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe mposhtja e virusit janë në fokus të programit të të gjithë partive politike në Kosovë. Megjithatë edhe pse në fokusin e tyre, respektimi i masave nga vetë partitë duket se nuk respektohet. Në bazë të rregullave të vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19, ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave në hapësira të mbyllura. Po ashtu ndalohet grumbullimi i çfarëdoshëm i më shumë se 50 personave në një vend. Por, përgjatë fushatës së partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, numri i pjesëmarrësve nëpër tubime është shume herë më i lartë sesa që parashihet me këto masa.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me mbi 16 mijë euro disa nga partitë politike në Kosovë për shkelje gjatë fushatës zgjedhore. Më e goditura është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka marrë gjobë prej 10.700 euro. Partia Demokratike e Kosovës 2.000 euro, Lidhja Demokratike e Kosovës 4.000 euro dhe Vetëvendosja 2000 euro.
Partitë janë gjobitur për shkelje si Përdorim i objekteve publike për fushatë, vendosja e reklamave për fushatë zgjedhore, përdorimi i fëmijëve në fushatë dhe vendosja e posterave në rrugë dhe hapësira publike
Ndërkohë që vëzhguesit shprehen se shkelja konstante e masave nga partitë politike është shembull i keq edhe për qytetarët nga të cilët kërkohet vazhdimisht kujdes.