Politikë

VIDEO/ Ish i burgosuri politik vë në siklet Berishën dhe ia ‘plas’ në sy: Premtuat kompensimet, nuk mbajtët as gjysmën e premtimit...

18 Prill, 12:06| Përditesimi: 18 Prill, 14:21

  • Share

Nuk ka shkuar edhe aq mirë turi elektoral në Tregun Artizanal të Krujës për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Surpriza i ka ardhur nga nga ish i burgosur politik dhe i përndjekur. Abaz Përhana teksa ndaloi Berishën pas takimit, i shprehu kritikën e tij për qeverisjet e para të tij, në lidhje me premtimin e kompensimit.

“Jam i burgosur politik për 13 vite. Në qeverisjen tuaj të parë thatë se do dëmshpërbleni të përndjekurit dhe të burgosurit politikë. Kemi vuajtur në Qafë-Bari e Spaç, në miniera kromi e të tjera. Të paktën të ishte bërë 50% se të gjitha nuk i bënit dot, por të paktnë gjysmat... Por nuk janë shlyer të gjitha”, i tha ai Berishës, që u kap i befasuar nga kjo kritikë për qeverisjen e tij, pak pasi akuzoi mazhorancën aktuale për rrënimin e vendit dhe mosmbajtjen e premtimeve.

Kreu i PD-së u përpoq ta sqaronte duke thënë se ishin dhënë mbi 2 mijë banesa për të burgosurit politikë dhe të përndjekurit dhe ishin dëmshpërblyer, edhe pse jo plotësisht.

Por ndërsa ai shpjegonte se çfarë ishte bërë në 2005-2013, ish i burgosuri politik i kujtoi edhe qeverisjen e parë, kur u dhanë vetëm letra me vlerë apo bono thesari.

“Asgjë nuk kanë marrë o burrë, asgjë...!”, vijon qytetari.

Por Berisha vijoi duke thënë se projekti i kompensimit të plotë parashikonte si limit kohor vitin 2016, por në atë kohë PD-ja e kishte humbur pushtetin. Ai tha se në mandatin që do vitojnë pas 11 majit, do e përfundojnë kompensimin, duke premtuar përsëri dëmshpërblimet.

“Unë kam bërë 13 vite burg politik, duhet të dëgjojnë edhe deputetët”, tha ai.

“Ja ku janë deputetët e zonës... janë këtu, ja”, tha Berisha, tekse bënte me dorë nga përfaqësuesit e PD-së, duke i kërkuar qytetarit që jo vetëm ai, por edhe të tjerët t’i mbështesnin përfaqësuesit e opozitës.

"Unë nuk votoj, po këtë herë do ta jap votën ty...!", i tha kandidates.

Ish i burgosuri politik e vijoi fjalën e tij duke uruar që mbase këtë herë Berisha e mbante premtimin me dëmshpërblimet.

Qytetari nuk harroi të kritikonte edhe ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, duke i thënë Berishës se “na vure Lul Bashën, unë ia kam thënë në sy në mes pazarit, pse i mbajte shqiptarët në grevë” për gabimet e tij apo për atë që e quajti edhe “shjitje të PD-së”.

Në këtë deklaratë ai mori mbështetjen e Berishës, i cili ia ktheu me një “Bravo” dhe një nënqeshje që lidhej me ish-kryedemokratin.

"Të lumtë goja... Bravo! Ja ka thënë, shumë mirë, bravo. Cila është e vërteta? E vërteta është se përpjekje janë bërë, nuk është realizuar plotësisht, do realizohet, do bëhet!", i tha kreu i demokratëve.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?