KOSOVË-Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzoi vetë legjitimitetin e institucionit Kushtetues në Kosovë, duke rënë ndesh me parimin e saj, që ruan sovranitetin e një vendi demokratik. Ky është përkufizimi që jep profesori i filozofisë dhe këshilltari i ish-Kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha për Report TV, sa i përket vendimit të fundit që ky institucion mori për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re nga partia e dalë e dytë në zgjedhje me në krye Avdullah Hotin e LDK-së.
“Gjykata Kushtetuese, përballë parlametarëve që bënë mocionin e mosbesimit është organi më i lartë dhe është e thirrur aty për hir të mbrojtjes dhe respektimit të Kushtetutës. Meqë parlamenti nuk e ka dëshmuar për herë të parë, por për herë të tretë që është një parlament i kapur. Një parlament i kapur mund të hedhë një qeveri, por i duhet edhe një gjykatë e kapur. Pra, është një lloj konfigurim i tmerrshëm i vendeve të lindjes, vendeve të pamësuara me demokraci. Ata kanë qëllimin që Kushtetutën ta zbehin dhe të rrisin formën policore të shtetit... Pra, me një akt të vetëm Kushtetuesja, mohoi legalitetin e Kushtetutës dhe legjitimitetin e popullit”, ... u shpreh mes të tjerash ish-këshilltari i Kryeministrit Kurti Elvis Hoxha.
Tek e konsideron një ‘precedent’ të plotë paligjshmërie, qeverinë që rrodhi nga koalicioni mes 4 partive LDK, AAK, Nisma dhe minoriteti serb profesori Hoxha shprehet se moralisht LDK ndodhet në një situatë të vështirë. Sipas tij, po instalohet një shteti policor që nuk është shprehje e lirisë së zgjedhjes së një populli sovran, por produkt i një presioni pazaresh me në krye presidentin Thaçi.
“...Antiamerikanizmi ynë në Kosovë është institucionalizuar. Ajo që ju e lexoni si antiamerikanizëm është ajo që thuhet nga LDK për Vetëvendosjen pasi ne nuk iu përgjigjëm pozitivisht pritshmërive të Grenell-it. ...Grenell, nuk është Amerika ai kërkon vetëm një gjë të bëhet dialog i shpejt ku shqiptarët të jenë të jenë të pandjeshëm dhe Serbët të jenë drejtues të negociatave pa reciprocitet. Pra, vendoset në çdo rast një reciprocitet, përndryshe nuk funksion dialogu.... ", tha Hoxha
Duke hequr paralele për uljen e nivelit të ndjeshmërisë së kulturës demokratike për dy shtetet Hoxha, bëri një krahasim mes dy vendeve Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kushtetuta përbën Republikën, zgjedhjet përbëjnë Demokracinë. Gjithë historia e Perëndimit përmblidhet në dy gjëra: a jemi për të forcuar elementin Republikë apo për të forcuar elementin Demokraci. Është Kushtetuta ajo që duhet të funksionojë fuqishëm. Kosova elementin demokratik të furnizimit të Republikës e ka të fortë. Shqipëria elementin demokratik të mbajtjes gjallë të Republikës e ka tmerrësisht të dobët. Kur republika ndahet nga Demokracia atëherë fillon cinizmi. Kanë shkatërruar organizmin shtetëror së brendshmi duke zvogëluar përfaqësimin e Kosovës vetëm tek Presidenti", u shpreh ai.
Por si ka vepruar Kosova zyrtare përballë faktorit të jashtëm ndërkombëtar ai dha këtë përgjigje.
"Kosova u bë shtet i pavarur, falë 150 vjet viktimizim. Ekziston një shifër në Organizatën e të Burgosurve Politik të Kosovës, që thotë gjatë Komunizmit, periudhës së Jugosllavisë shqiptarët kanë bërë 600 shekuj burg politik, që janë 60 mijë vjet dëbime, bastisje të shqiptarëve përpara viteve ’40. 1 milion shqiptar kanë qenë spastrim etnik, 20.000 mijë gra të përdhunuara gjatë luftës, 10 vjet njerëz që nuk kishin të drejtën për të punuar. Prandaj ne nuk duhet të shkojmë në vrap e të themi që Amerika e shpëtoi Kosovën. Jo, jo Amerika kuptoi të drejtën për t’i shpëtuar dhunës institucionale, shtetërore dhe para shtetëror,akademike e klerikale të Serbisë. Amerika si vend demokratik e kuptoi këtë dhe veproi më shpejt”, u shpreh Hoxha.
Heqjen e marrëveshjes së reciprocitetit me Serbinë vendosur fillimisht si kusht nga qeveria ”Kurti”, ai e komentoi duke thënë se ishte një vendim i pritshëm, pasi sipas tij qëllimi i këtij koalicioni më në krye LDK është të betonizojë e shkatërrojë rolin e shtetit e t’i hapë rrugën dialogut të lojës së pazareve me Beogradin.
"Nuk më habit... 4 ditë përpara se të bëhej qeveria “Hoti” kam thënë një pikë ka në program qeveria “Hoti” zhdukjen e subjektivitetit politik, diplomatik e përfaqësues në dialogun me Serbinë. Se duke qenë qeveria e klaneve dhe korrupsionit të madh që në këtë mënyrë edhe në sensin diplomatik ata e zhbëjnë shtetin e Kosovës duke zvogëluar përfaqësimin e Kosovës vetëm tek Presidenti, i cili nuk ka në fakt asnjë funksion politik. Pra, gjithë këto dekada , një shekull e gjysmë këta duan ta zhbëjnë elementin europian të pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë në 3 emra Thaçi, Grenell dhe ndonjë përfaqësues i dobët i Europës... Ndërkohë, që një popull duhet të marrë në përfaqësim", u shpreh Hoxha.
Sa i përket qëndrimit që pritet të mbahet në vijim , Hoxha tha se LVV do të vazhdojë betejën e saj dhe se është gati do të përdorë çdo mjet demokratik kundër kësaj qeverie, që kërkon të zhdukë shtetësinë dhe institucionet e sovranitet të vendit. Më 3 Qershor në Kosovë u votëbesua qeveria e re me në krye Avdullah Hotin pjesë e partisë LDK-së,e cila u mandatua me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim. Më herët ish-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se me 12 qershor me rastin e 21 Vjetorit të çlirimit të Kosovës, pritet të shënohet një tubim publik si pjesë e vendimmarrjes së LVV.