“Ishte kohë e artë, kohë e pasioneve të mëdha”, rrëfen Margarita Xhepa.
70 vite më parë, në 10 korrik të vitit ’52, do të inaugurohej Kinostudio “Shqipëria e Re”. Mbrëmjen e së mërkurës dyert e godinës, hapen, tanimë si Ministri Kulture, që tenton t’i bëj homazh punës së artistëve që punuan në kinematografinë shqiptare. Drejtuesit e Qendrës Kinematografike dhe të Arkivit të filmit mënjanohen dhe fjalën e merr ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Në Arkivin e filmit ruhet 4327 prodhime shqiptare, imagjinoni se çfarë prodhimtarie ka pasur në ato vite”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Gridi Kraja me Orkestrën, mbushin me ngjyra ceremoninë, teksa interpretojnë kolonat zanore më të bukura të filmave e ngacmojnë kujtimet e ndjesitë e artistëve të pranishëm...
“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që kam marr pjesë në aq shumë filma. Dua të përmend njërin prej tyre, që nuk e shikoj, që kthej kokën mënjanë sa herë hapet ekrani... se unë vërtetë kam luajtur nënë Pashakon, që ma besoi i madhi Viktor Gjika, por unë kur e shikoj them: O Zot sa borxh i kam unë kësaj gruaje”, thotë aktorja Tinka Kurti.
“Kur hyra këtu 63-vjet përpara mu duk si një tempull magjik! Isha vetëm 23 vjeç u ktheva nga studimet në Çekosllovaki dhe nuk e dija që për 30-vjet do të bëja më shumë se 20 filma artistikë, duke bashkëpunuar ndër vite deri me 730 punonjës të Kinostudios” tregon kineasti Piro Milkani.
Emrat e arkitektëve të filmit shqiptar që s’janë më, lënë pas dhimbje për humbjen fizike dhe mirënjohje për historikun që ndërtuan, në kohë të vështira për artin.
“Emocion i bukur i gërshetuar me mall dhe me dhimbje, për njerëzit, artistët që na mungojnë, nuk i kemi midis nesh dhe që i dhanë shumë filmit shqiptar”, thotë aktorja Margarita Xhepa.
Afro 20 filma në vit me muzikë shqiptare, rrëfen kompozitori Robert Radoja. Nga “Mëngjese lufte” te “Mimoza Llastica” janë të shumta krijimet e tij që bashkë me kolonat e Zadesë, Lalos, Ibrahimit, Dizdarit, Laros e të tjerë afrojnë si rrallëherë kalimtarët në institucionin e kulturës, këtë mbrëmje me dyer të hapura.
“Kemi çfarë kujtojmë Muzika jonë më e bukur është muzika e filmit. Filmi ka qenë një gjë e re për ne këtu, ndoshta dhe ky ka qenë frymëzimi më i madh. Është shkruar me sinqeritet, është shkruar me shumë dashuri, edhe do ngelet gjithmonë e bukur”, thotë kompozitori Robert Radoja.
Shpërblimi për këta artistë, me siguri nuk është tek ky trofe simbolik që shpërndahet në mënyrë të paorganizuar prej Ministrisë, por në vështrimet e të pranishme ku lexohen emocionet që zgjon vepra e tyre kinematografike.
Shume mire qe organizohen, por jane te cekta dhe nuk kane fuqi depertuese dheedukuese e historike te perhereshme. Per 4 Korrik, festa e Amerikes, isha per nje vizite ne Kanab, ne Utah. Vizitova muzeun e filmit. Ishte nje gje shume e thjeshte, ku ishin ekspozuar gjithetakemet, frontet e barakave, dhomat sic kane qene, qerret e gjithcka te filmave West, ku ishin dhe sendet e artisteve qe kane bere emer ne kinematografine boterore qe nga vitet 30-40-50-60-70. Nje gje mbreselenese. Pastaj dhe nje artizanat mjaft i zhvilluar, me suvenire per te blere, qe lidhen me kulturen e zones, indianet indigjene, etj. Kinostudio arriti te bente 14 filma ne vit, gjithcka vete. Jam i sigurte qe do pasuroje jeten ne Tirane, turizmin dhe do konkuroje edhe Bunkart. Biznesmenet mund te aktivizohen ta realizojne, me sa pashe une shpenzimet jane minimale. Problemi eshte a jane ruajtur skenat origjinale apo jane djegur. E njejta gje mund te behet edhe me Teatrin. Kete pune duhet ta drejtoje Ministria e Kultures dhe Turizmit, jo Ina Zhupa, mohuese ne cdo gje. Cuditem pse nuk japin drejtim per inisiativa te tilla. Faleminderit.
Përgjigju