Ish të përndjekurit, protestë para Ambasadës Gjermane: Strehon 3 kriminelë të regjimit! Edmond Caja, Qemal Lama e Lekë Imeraj na torturuan

15 Shtator 2022, 17:49| Përditesimi: 15 Shtator 2022, 20:55

  • Share

Për Edmond Cajën që bën biznes në Gjermani, Qemal Lamen që bën publicistikë e referime televizive për krimet e komunizmit, ish oficerin e diktaturës, Lekë Imeraj që shfaqet si njeri i letrave, sot u protestua para Ambasadës gjermane. Të tre janë funksionarë të lartë të ish-Sigurimit, strukturave të drejtësisë dhe burgjeve të regjimit ndërsa në shtetin gjerman, kanë gjetur strehim. Madje edhe duke hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare si në rastin e Cajës.

“Kemi dalë këtu, për t’i bërë thirrje shtetit gjerman sepse në vendin e tyre janë strehuar 3 kriminelë. Ish drejtori i burgjeve të Shqipërisë Edmond Caja i cili ka sjellë vdekjen e shokëve të mi dhe njëkohësisht edhe mbi trupin tim, më ka paralizuar për tre javë në atë Revoltë, pse kërkonim drejtësi, pse kërkonim fjalën e lirë, pse kërkonim liri... E pra ky person, ndodhet në shtetin gjerman, ka marrë edhe nënshtetësi gjermane, si dhe ka heq nënshtetësinë shqiptare për t’i shpëtuar dënimit këtu. Lekë Imeraj është një ish-oficer i lartë i cili mban mbi supe krime. Sa herë që vinte ai në repartin ku ne ishim Qafë-Bari ose Spaç, aty pas ikjes së tij, 10 minunta më vonë fillonin torturat çnjerëzore që vetëm trupat tanë e dinë! Po ashtu, kryehetuesi Qemal Lame ndodhet Gjermani. Një sadist, ka çuar njerëzit në litarë me varje dhe me dënime ekzekutimi”, thotë Ahmet Tufa, ish i burgosur në Spaç dhe Qafë-Bari.

Ahmet Tufa është ish i burgosur në Spaç e Qafë Bari e thotë se për të rrëfyer vuajtjet që pësuan do të duhej një jetë e tërë, por fytyrat e emrat e autorëve që qëlluan me ta, nuk mund ti harrojnë.

“Kemi lënë atje vëllezërit tanë që i ka zënë galeria! Kemi lënë vëllezërit tanë që u pushkatuan në Revoltën e Qafës së Barit, si Tom Ndoja e Sokol Zefi. Po ashtu, në torturë e sipër është thyer në dysh një person në të 50-tat i quajtur Sandër Sokoli. Është plagosur në atë Revoltë Kostandin Gjordeni e të tjerë viktima të dhunë”, thotë Tufa.

Kujton përpjekjen e ish kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, për të ndjekur rrugën e drejtësisë.

“Së bashku me avokatin Kujtim Cakrani kanë hyrë në Prokurori dhe kanë bërë kallëzim penal për këto kriminelë. Prej aty e kanë transferuar çështjen në Gjykatë, dhe gjykata e ka pushuar çështjen, me justifikimin se nuk shikon shenja gjenocidi. Pra ky është një krim i dytë që ndëshkohemi përsëri edhe në vitin 2022!”, thotë më tej.

Ndonëse, kreu i shoqatës Antikomuniste Ethem Fezollari, e ka çuar çështjen në Gjykatën e Apelit, besimi i ish të përndjekurve politik në shtetin e tyre është zbehur. Me sytë nga Ambasada Gjermane ata presin prej tyre një reagim.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?