Ish zyrtari, pjesë e grupit që mashtruan 2.4 mld euro me Call Center-at! Rama: Nëse do kishte pasur mburojë shtetërore, s’do ishte në kërkim

4 Dhjetor 2022, 11:26| Përditesimi: 4 Dhjetor 2022, 14:10

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë spekulimet se qeveria ishte mburojë për Amant Josifin, ish zyrtari që është në kërkim si pjesë e grupit që zhvati 2.4 mld euro me Call Centerat. Në reagimin e tij të parë për këtë çështje, kreu i qeverisë u shpreh se operacioni u zhvillua falë bashkëpunimit të organeve ligjzbatuese shqiptare me vende të tjera.

Po ashtu thotë se nuk ka pasur asnjëherë ndikim apo pengesë nga qeveria për të mos vepruar. Sipas Ramës, nuk do të ishte në kërkim nëse do të kishte mburojë shtetërore. Sa i përket lidhjes së vëllait me Amant Josifin, Rama ironizon duke thënë se e kanë futur në valle për shkak të politikës.

“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti dhe qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilitdo qoftë, por për të ardhur te rasti konkret, këto spekulime të natyrës që “një ish zyrtar etj”, janë të pavlerë, janë pa asnjë vlerë sepse faktikisht e para, ky “ish zyrtar” sot është në kërkim nga drejtësia dhe ky është një proces për kujtesë që nuk është bërë nga organet ligj zbatuese spanjolle në mënyrë krejt të pavarur, por është bërë në bashkëpunim të ngushte me organet tona ligj zbatuese dhe me të tjera ku ka të përfshira të tjera vende. Pra, organet tona ligjzbatuese dhe këtu kam parasysh Policinë e Shtetit gjithashtu që është në njëfarë mënyre nën ombrellën e ekzekutivit, nuk kanë pasur absolutisht dhe nuk kanë në asnjë rast për askënd asnjë lloj pengese dhe asnjë lloj ndikimi për të mos vepruar.

Ndërsa përsa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhlisin tonë politik dhe këtë mund ta them me plot bindje edhe pse im vëlla është adult edhe mban përgjegjësi vet për të gjitha gjërat që bën, por në rastin konkret jemi thjeshtë përpara një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës dhe nuk ka absolutisht asnjë lloj baze dhe nëse personazhi për të cilin flasim do të kishte pasur mburojë shtetërore ai nuk do ishte sot në kërkim. Shumë shumë e thjeshtë”, tha Rama.

Amant Josifi, biznesmeni i njohur në vend në fushën e ‘Call Center-ave’ i shpallur në kërkim për mashtrimin me “call center” është pjesë e një skeme që ka shkaktuar një dëm qytetarëve prej 2.4 miliardë euro, me qindra mijëra viktima në mbarë botën. Ai është është një emër i njohur për Shqipërinë pasi ka qenë edhe këshilltar i ministrit shqiptar të Mbrojtjes deri në vitin 2020. 

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?