JERUZALEM – Nëse u beson sondazheve më të fundit (partia e kryeministrit ka arritur nivelin më të lartë të mbështetjes që nga 7 tetori 2023) dhe editorialeve të gazetave kryesore, në Izrael gjithçka po shkon shkëlqyeshëm: fushata kundër Iranit po eliminon drejtuesit kryesorë ushtarakë të Republikës Islamike dhe po e çon ndjeshëm prapa programin e saj bërthamor. Izraeli pret me padurim që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen sulmit për të nxjerrë jashtë funksionit përfundimisht impiantin e Fordow-t dhe shpreson që kjo të përshpejtojë rrëzimin e regjimit. Megjithatë, në rrethet e ekspertëve ka nga ata që po shprehin shqetësim serioz, sidomos për shkak të qëndrimit pritës të presidentit Trump: sepse, siç mëson historia ushtarake, një luftë është më e lehtë të nisësh sesa ta përfundosh. Ndër zërat më autoritarë në këtë drejtim është ai i Danny Citrinowicz, dikur drejtues i Divizionit për Iranin në inteligjencën ushtarake izraelite dhe sot përgjegjës për programin mbi Iranin dhe boshtin shiit pranë Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare. Citrinowicz dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit paralajmërojnë: “Nuk do të jetë një fushatë e shkurtër”. Trump po heziton: po hyjmë në një fazë bllokimi?
“Nuk besoj se SHBA do të presin dy javë për të marrë një vendim, edhe pse është një vlerësim kompleks: nëse përfshihen në luftë, shanset për të shkatërruar Fordow-n janë reale, por Irani do të kundërpërgjigjet gjithashtu ndaj objektivave amerikane apo ndoshta duke sulmuar trafikun në ngushticën e Hormuzit, me pasoja të rënda ekonomike. Alternativa tjetër është negociata: por për çfarë zgjidhjeje? Ajo që po kërkojmë sot është e papranueshme për Iranin. Pra, cilado qoftë rruga, nuk shoh një përfundim të shpejtë në horizont.”
Cila është strategjia e Izraelit përballë këtyre dy skenarëve?
“Nuk më duket se ka një strategji të mirë në tryezë: dhe kjo më shqetëson shumë. Kjo luftë ka kosto të jashtëzakonshme, flitet për një miliard dollarë në ditë: fluturimet drejt Iranit, dëmet që po pësojmë nga kundërsulmet, armët që po përdorim… Lufta kundër Iranit nuk është si lufta në Gaza. Kemi arritur epërsinë ajrore dhe kemi shkaktuar dëme të konsiderueshme: por pastaj? Si e vazhdojmë më tej?”
Kryeministri ka folur hapur për ndryshim regjimi...
“Nuk mendoj se duke vrarë Khamenei do të kemi një të ardhme më të mirë. Rusia ka deklaruar tashmë se do të reagojë, do t’i kemi përballë shiitët e të gjithë botës, regjimi mund të mbijetojë: në fund, vdekja e Khamenei-t mund të shkojë në favor të armiqve tanë.”
Skenari që po përshkruani nuk është shumë ndryshe nga ai i Gazës: epërsi ushtarake, por mungesë e një plani politik...
“Sigurisht: është e njëjta gjë. Jemi në gjendje të godasim dhe të shkaktojmë dëme të rënda: por më pas, si e mbyllim? Pa një marrëveshje politike nuk ka rrugëdalje nga asnjë prej këtyre krizave.”
Ju keni studiuar Iranin për 25 vjet: besoj se e dini kush ndodhet në qendrën e komandimit të kësaj lufte. A është e mundur që askush nuk ka ngritur dyshimet që ngrini ju?
“Në qendrën e vendimmarrjes janë Netanyahu dhe njerëzit e tij: janë edhe Forcat e Armatosura, por nuk jam i sigurt që kanë ndonjë ndikim real. Është një situatë problematike dhe mendoj se duhet të reflektojmë për një zgjidhje politike. Është e vërtetë që kemi shkaktuar dëme të mëdha, por vetëm nuk jemi në gjendje t’ia heqim plotësisht Iranit kapacitetin bërthamor.”
Megjithatë, këtu në Izrael ka një entuziazëm të madh për këtë fushatë: e tregojnë sondazhet, lajmet televizive, editorialet, madje edhe ato zakonisht kritike ndaj qeverisë...
“Një entuziazëm që nuk justifikohet. Njerëzit harrojnë disa çështje themelore: pse kemi arritur deri në këtë pikë me pasurimin e uraniumit? Ndoshta ndodhi edhe sepse Netanyahu e shtyu Trump-in të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore? Dita e parë ishte një sukses, por në luftë nuk ka rëndësi si e fillon, rëndësi ka si e përfundon.”
Dhe si do të përfundojë?
“Këtë nuk e di askush. Ajo që mund t’ju them është se situata është shumë më komplekse sesa ajo që i serviret publikut të gjerë. Një vend që i mbijetoi një lufte dhjetëvjeçare me Irakun nuk do të dorëzohet pas dhjetë ditësh bombardimesh. Irani është i madh dhe rezistent, nuk kemi përballuar kurrë një armik të tillë: këtë e tregon edhe nga dëmet që po na shkakton.”/ La Repubblica
Komente
