Pas shkarkimit të Flamur Nokës nga Lulzim Basha si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe paralajmërimi për përjashtim nga grupi parlamentar, edhe emra të tjerë do ta pasojnë deputetin demokrat. Kështu tha në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ish-anëtari i kryesisë së PD-së Arben Skënderi, i cili tha se edhe pjesës tjetër të grupit parlamentar që kundërshtojnë Bashën do t'u vijë radha, ndërkohë që shtoi se kryedemokrati po vepron ‘përça e sundo’. Më këtë veprim sipas tij, Basha do të tregojë forcën, pasi ndjen frikën se grupin parlamentar aktual nuk e ka pas vetes.
‘Basha sot donte të tregonte autoritet mbi një vendim i marrë në të njëjtin format, natën, pa pyetur asnjë. Basha po vepron ‘përça e sundo’. Do t’i tregojë grupit parlamentar aktual, të cilin ai e ndjen se është i pavendosur, do t’i tregojë forcën, dhe ka frikë të madhe se do të gjendet vetëm. Ajo që i ishte kërkuar Bashës, ka pasur 4 vite koha që të bënte, të bashkonte demokratët, por nuk i ka bashkuar. Po na shitet si një lider opozite i shkretë por nuk është në hall. Sot ngriti zërin, me një diarre fjalësh, pa argument dhe nuk foli për kryesorët. Foli për gjithçka, për një llum pjesë e të cilit ka qenë dhe vetë. Dhe pjesës tjetër të grupit parlamentar do u vijë radha, do kthehet në barcaletë kjo punë e përjashtimit. Po përjashton ato pak deputetë që ka. Po i përçan.’- tha Skënderi.
Nga ana tjetër, Indrit Hoxha sekretar i FRPD-së, thotë se Basha e ka përjashtuar Nokën që mos të marrë pjesë në mbledhjet e kryesisë së grupit parlamentar. Madje sipas Hoxhës, me këtë veprim, Basha u ka shtuar adrenalinën mbështetësve të PD-së.
‘Basha është në panik të madh, i merr vendimet si skuth. Nokën e ka përjashtuar nga kryesia e grupit parlamentar që mos të marrë pjesë në mbledhje, e ka zënë aq shumë paniku sa nuk guxon asnjeri që të përmendë emrin e Berishës. Me këtë lëvizje i ka shtuar adrenalinën demokratëve që të mbështesin Berishën. Basha ka shpërndarë urdhër që njerëzit që mbështesin Berishën nuk duhet të jenë pjesë e Kongresit Kombëtar të PD-së.’- u shpreh Hoxha.