Ish-deputeti i Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar nga autoritetet serbe gjatë kalimit në pikën kufitare të Merdarës, njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sipas MPJ-së, Agusholli po udhëtonte drejt Sllovenisë në tranzit kur u ndalua në kufi. Në një reagim zyrtar, Ministria tha se menjëherë ka informuar misionet diplomatike të vendeve anëtare të KUINT-it, si dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar informacion të plotë dhe të saktë rreth këtij rasti.
Në njoftimin e saj, MPJ e Kosovës i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë masa të menjëhershme për lirimin e ish-deputetit Agusholli dhe ndalimin e veprimeve represive nga ana e autoriteteve serbe.
“Dënojmë fuqishëm këtë veprim arbitrar dhe i bëjmë apel Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë menjëherë për lirimin e tij, pasi këto praktika shkelin të drejtat themelore ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut,” theksohet në reagimin zyrtar të MPJ-së.
Ngjarja po ndiqet nga afër nga institucionet kosovare dhe diplomatike ndërkombëtare.
Komente
