Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, pas përfundimit të mandatit të deputetit, është emëruar këshilltar i presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Deputet prej 5 legjislaturash nën logon e Partisë Demokratike, Xhaferraj nuk pranoi të garonte përsëri për primaret e PD-së duke u larguar nga demokratët dhe Parlamenti.
Ferdinand Xhaferraj, me një karrierë të gjatë politike, fillimisht është diplomuar në Universitetin e Tiranës e më pas ka ndjekur një specializim në Universitetin e Harvardit në degën “Politikat e Lidershipit”.
Më pas ka përfunduar një Master të Dyfishtë për “Siguri Ndërkombëtare” dhe “Çështje të Sigurisë Kombëtare” në Naval Postgraduate School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 2006 ka përfunduar studimet e doktoraturës pranë Akademisë së Mbrojtjes.
Në politikë ai ka qenë i angazhuar pranë Partisë Demokratike ku ka mbajtur funksione si kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (1996–1997), bashkëkryetar i Komisionit për Integrimin në NATO (2007–2009), zëvendëskryetar i Komisionit për Integrim Europian (2005–2009), anëtar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian (2005–2009), si dhe zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (2021–2025).
Gjatë viteve 2009–2011, ai ka shërbyer si Minister i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, periudhë në të cilën u njoh për kontributin e tij në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjithashtu Xhaferraj ka dhe një karrierë të pasur në fushën e sigurisë kombëtare. Ai ka shërbyer si lektor në Akademinë Ushtarake, Universitetin e Durrësit si dhe në Kolegjin Universitar “Betër”. Ai është autor i monografisë “Deballkanizmi i Ballkanit”, botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, dhe ka marrë pjesë në një sërë konferencash kombëtare e ndërkombëtare mbi sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ferdinand Xhaferaj njihet si njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe italiane, ndërsa fushat e tij kryesore të interesit janë shkencat politike, siguria kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Komente

dukej dielli qe ne mengjes
Përgjigju