Ish-deputetja performon në teatër kundër vrasjes së grave, Arta Dade: Politika ka ende shumë punë për të bërë, po të isha brenda do të jepja ndihmesën time

9 Mars 2022, 16:32| Përditesimi: 9 Mars 2022, 16:44

  • Share

Kur të gjithë flasin për mungesën e saj në skenën politike, Arta Dade ndërmerr një nismë qytetare... Ngjitet në skenën e teatrit, në emër të luftës kundër dhunës ndaj grave. Rrëfen se prej afro një muaji bashkë me aktorët ka bërë prova në teatrin “Arturbina”, për premierën e Driada Dervishit “Rrëfimet tona”.

“Shfaqja jep mesazhin e rëndësishëm për të bashkëpunuar në luftën e dhunës ndaj grave. Nuk na nxjerr në dritë të mirë kur kjo dukuri vazhdon të mbetet ende një plagë... Shfaqja jep një homazh të jashtëzakonshëm për ato gra që kanë humbur jetën pikërisht nga dhuna e bashkëshortëve. Ishte ky motivi që unë pranova të jem pjesë e saj për të dhënë një mesazh dhe një kontribut timin tashmë nga një pozicion tjetër, jo në atë të politikanes. Dhe sërish mendoj se politika duhet të vazhdoj të punojë, ashtu sikundër janë bërë hapa përpara. Por, fakti që ekziston ende kjo dukuri do të thotë që mbetet shumë punë për të bërë” thotë ish-deputetja.

Ndonëse mikeshë e mirë e  aktoreve me të cilat interpretoi, Dade tregon se të performosh në krah të Margarita Xhepës, për çdo vajzë a  grua është një ëndërr... Historia e personazhit që ajo rrëfen, është ajo e një gruaje në karrierë, që ndonëse e pavarur ekonomikisht, nuk arrin të fitojë lirinë, e as të drejtën për të jetuar, pasi bashkëshorti bëhet vrasësi i saj. Rrëfimi i këtyre historive tragjike, vjen si një mesazh përmes teatrit, që jo vetëm shoqëria, por edhe institucionet të reflektojnë.

“Pikësëpari unë mendoj se janë kushtet socialoekonomike të cilat duhen adresuar, si nga pushteti qendror ashtu edhe pushteti vendor. Dhe institucionet shtetërore duhet të funksionojnë në zbatimin e ligjit. Ndonëse legjislacioni ekziston, sigurisht ka hapësira për t’u përmirësuar dhe për t’u forcuar, por mbi të gjitha duhet zbatuar. Edhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese duhet ta kenë në fokus dhunën ndaj grave dhe çfarëdolloj dhune tjetër në shoqëri”, tha ish deputetja.

Edhe se për herë të parë në një shfaqje, ish deputetja Arta Dade, është ndër figurat e pakta politike që e gjen gjatë ngjarjeve kulturore mes radhëve të spektatorëve. E përfshirë në politikë prej vitit ’91, lidhja e saj me botën e artit do të forcohej në pozicionin e ministres së Kulturës gjatë qeverisë së Nanos. Por si e shikon sot nga jashtë, Arta Dade raportin mes burrave dhe grave në politikë dhe forcën që ka fjala e secilës palë?

“Po t’i shikosh në vlera numerike unë mendoj se nuk është keq, në raport me faktin se sa hapësirë kanë gratë për të marrë vendimet përkatëse mbi bazën e individualitetit të tyre. Këtë nuk jam në gjendje ta kuptoj sepse nuk jam aty brenda... po të isha brenda, sigurisht që do të jepja dhe unë ndihmesën time që gratë në performancat e tyre të jenë sa më efektive dhe vetvetja”, tha Dade.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • nino: 09/03/2022 16:58

    Kjo do te jete e perjetesme ne qeveri.... Sa per brenda qe thua brenda ke qene dhe nuk ke bere asgje por benda e ke....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?