TIRANE- Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika ishte thirrur sot (14 maj 2024) në SPAK për tu marrë në pyetje në lidhje me një procedurë tenderimi që ka të bëjë me kohën gjatë së cilës ai ka qenë në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, në periudhën 2013 - 2017.
Këtë e konfirmoi dhe vetë pasi doli nga SPAK (ora 10:29) I pyetur nga Report Tv, Dashamir Xhika, mohoi që thirrja e tij në SPAK të lidhet me një denoncim të mëparshëm nga ministri Gjiknuri që në vitin 2017 për rrugën Tiranë Elbasan.
Xhika tha se bëhet fjalë për një çështje periferike, për të cilën është pyetur si person që mund të ketë dijeni.
Kallëzimi për abuzimet me aksin Tiranë-Elbasan
Xhika është akuzuar gjatë kohës që ka qenë drejtor i ARRSH lidhur me abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro. Kujtojmë që më 10 shkurt 2023, Damian Gjiknuri ka dëshmuar në SPAK mbi hetimet për aksin Tiranë-Elbasan.
Kujtojmë se Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, kallëzoi në prokurori, abuzimet financiare që ishin bërë nga ish-drejtuesit e ARRSH në rrugën Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri ju drejtua me një kallëzim kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Pas një muaj nga ky kallëzim, Elisabeta Imeraj, atëherë prokurore e çështjes urdhëroi arrestimin e tre ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ish-drejtori Dashamir Xhika dhe dy ish-drejtorët e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka.
Më pas Xhika dhe ish-zyrtarët e tjerë morën pafajësi në gjykatën Penale, por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit.
Dashamir Xhika ka qenë dhe kandidat për deputet i LSI në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2017.