Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është marrë në pyetje nga Shërbimi Sekret i SHBA-së pasi ai ndau dhe më pas fshiu një postim në rrjetet sociale, që republikanët e konsideruan si nxitje për dhunë kundër Presidentit amerikan Donald Trump.
Comey mori pjesë me dëshirë në marrjen në pyetje që zgjati rreth një orë në selinë e agjencisë së zbatimit të ligjit në Uashington DC dhe nuk u mbajt në ndalim.
Kjo ndodhi një ditë pasi ai publikoi në Instagram një foto të guaskave të detit që formonin numrat "8647".
Numri 86 është një shprehje në zhargon që nënkupton "me u refuzu" ose "me u heq", por kohët e fundit është përdorur edhe si një term për "me vra". Trump është presidenti i 47-të i SHBA-së.
Trump deklaroi më herët gjatë ditës, në një intervistë për Fox News, se Comey, të cilin e kishte shkarkuar nga posti i drejtorit të FBI-së në vitin 2017, po bënte thirrje për vrasjen e tij.
"Ai e dinte saktësisht se çfarë nënkuptonte kjo," tha Trump, i cili mbijetoi nga dy tentativa për atentat vitin e kaluar. "Edhe një fëmijë e kupton çfarë nënkuptonte kjo.
"Nëse je drejtor i FBI-së dhe nuk e di çfarë do të thotë ajo, ajo do të thotë atentat. Dhe kjo thuhet qartë dhe me zë të lartë."
Trump tha se çdo vendim për ngritjen e akuzave kundër Comey-t do t’i takonte Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.
Comey postoi foton me guaskat ditën e enjte dhe më pas e fshiu atë mes zemërimit të konservatorëve.
Në një postim të mëvonshëm në Instagram, ai shkroi se kishte parë guaskat gjatë një shëtitjeje në plazh, "që mendova se ishin një mesazh politik".
"Nuk e kuptova që disa njerëz i lidhin këta numra me dhunën. Nuk më kishte shkuar në mendje, por unë jam kundër çdo lloj dhune, prandaj e hoqa postimin."
Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, shkroi në X të premten në mbrëmje se Shërbimi Sekret kishte "marrë në pyetje ish-drejtorin e turpëruar të FBI-së, Comey, lidhur me një postim në rrjetet sociale që bënte thirrje për vrasjen e Presidentit Trump".
"Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e @POTUS Trump," shtoi ajo. "Ky është një hetim në zhvillim."
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, spiunja më e lartë në SHBA, kishte kërkuar më herët që Comey të arrestohej për "urdhrin për eliminim" që sipas saj ai kishte dhënë kundër Trump-it, ndërsa ky i fundit ndodhej në një udhëtim në Lindjen e Mesme./BBC
Komente
