Kronikë

Ish-drejtori i IMT-së në Durrës ndërtoi pa leje resortin 5600 m2 te Kepi i Rodoni, do hetohet nga SPAK për 3 vepra penale

28 Gusht, 10:30| Përditesimi: 28 Gusht, 16:45

  • Share

Policia e Durrësit dha detaje mbi arrestimin e Ardian Halilin, ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në qytetin bregdetar. Sipas bluve, ish-zyrtari, u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Residence” në fshatin Shetaj të Ishmit në vijën bregdetare pranë Kepit të Rodonit.

Policia sqaroi se i gjithë objekti i pushimit, me 11 kabina tip garsionere, një godinë 2 katëshe, një fushë mini-futbolli, pishinë në një sipërfaqe toke 5.600 m2 është ndërtuar pa leje prej vitit 2018 e në vijim, gjatë kohës kur Ardian Halili ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës, deri në vitin 2021.

"Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit kanë abuzuar. Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës. Ftoj qytetarët të denoncojnë çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve", tha kryepolici Vilson Bala. 

Blutë e Durrësit njoftuan se ish-kryeinspektori do të hetohet nga SPAK për 3 vepra penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës".

Ish-kryeinspektori 55-vjeçar me banim në Tiranë është, njëkohësisht është bashkëshort i ish-prokurores Rabjana Halili, sot avokate e që njihet për mbrojtjen e Emiljano Shullazit.

Reagimi i plotë i kryepolicit Vilson Bala

“Jam sot këtu, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin Çlirim Nela dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Durrës Algert Gjonaj, për të bërë me dije veprimet e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore që i ngarkon ligji për parandalimin e ndërtimeve pa leje, evidentimin e atyre që janë ndërtuar më parë pa leje, kapjen dhe arrestimin e pronarëve apo administratorëve që kanë kryer apo guxojnë të kryejnë ndërtime pa leje.

Në këtë kuadër, strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H.

Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.

Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës".

Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.

Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në telegramin e dërguar për strukturat e Policisë në qarqe, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve të strukturave të Policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe dërgimin para ligjit të të gjithë atyre që tentojnë të kryejnë ndërtime pa leje, të zaptojnë hapësira publike, atyre që shkaktojnë zjarrvënie, ndotje akustike apo që bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e qarkut Durrës të denoncojnë pranë strukturave të Policisë çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve dhe të zbatojë ligjin, duke i garantuar se reagimi i strukturave të Policisë do jetë i menjëhershëm, konform ligjit, ndaj çdo shqetësimi që do adresohet nga ata”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ska problem: 28/08/2025 14:22

    C’ti besh nuk thone ku i gjeti leket ky INTELEKTUAL i shkolles se PS sa familje ka rrjepur ky lloj mostre bashke me antaret e tjere te PS po thone ca ndertime

    Përgjigju
  • Zdromsi: 28/08/2025 12:16

    Natyrisht eshte dora e EDIT prapa hajnave te rendomte...Pse 5600 meter katror toke nuk duket qe nga Sureli???

    Përgjigju
  • ela: 28/08/2025 10:56

    Perveç resortit qe ka ndertuar pa leje ky robi, duhet te verifikohet dhe si e ka perfituar kete toke, ku i ka gjetur leket per ta blere. Ky bashke me te shoqen nuk besoj se jane autoktone ne ate zone, por me korrupsionin e te shoqes ish prokurore dhe te ketij zhulsi si avokat apo si kryeinspektor, kane bere baterdine dhe kane blere toka me korrupsionin qe kane bere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?