Sali Berisha dhe protestuesit e 21 janarit

Politikë

Ish-drejtori i Policisë: Si i prishi Sali Berisha, provat e 21 janarit

14 Janar, 21:54| Përditesimi: 14 Janar, 22:12

  • Share

Bajram Yzeiraj ish-drejtues i Policisë tregon praktikën që është ndjekur më 21 janar 2011, kur u vranë nga Garda 4 protestuar gjatë tubimit të Partisë Socialiste.

Yzeiraj tha në një emision se Berisha është përgjegjësi kryesor që janë prishur provat.

“Për 21 janarin unë kam treguar tërë praktikën që është ndjekur, gjithë historinë e organit të drejtësisë. Për mua më 21 janar egoja për pushtet, shkeli çdo ligj, çdo normë. Në protestë vepronin dy forca sigurie, policia dhe garda.

Njëra ka përgjegjësinë e sigurisë në tubim, në mjedisin publik, tjetra ka objektin. Unë nuk e di kush ka drejtuar. Kam kërkuar në Ministrinë e Brendshme, planet për të parë kush ka vepruar, më thanë që ishin zhdukur. Dikush i ka ato pamje. Kush drejtoi, drejtori i policisë, zëvendësministri apo ministri i Brendshëm? Mënyra se si ndodhi tregon që nuk ka pasur koordinim që secili ka vepruar për hesap të vet.

Kur goditeshin efektivët me hunj nga aktivistët e PS-së, policia duhet të reagonte, nuk duhet të toleronte. Policia duhet të jetë e duruar kur fyejnë, por jo deri në piken sa të rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë. Në këto raste duhet ndërhyrë. Policia nuk ndërhyri deri kur hodhi gazin lotsjellës, ku u dëmtua dhe vetë dhe u largua, nuk u zëvendësua me forcë tjetër.

Policia dështoi, e la territorin bosh, nuk futi forcat e ndërhyrjes së shpejtë, qoftë edhe për prezencë. Duke lënë territorin, Garda kishte një presion tjetër, forcat e rrugës të çorganizuara bënin çfarë të donin me Gardën. Kështu garda u çfazua, doli nga binarët, doli nga ligji, organizimi dhe disiplina. Edhe filloi të qëllonte me armë. Trupat e gardës, kudo ku ishin qëllonin me armë. Drejtuesit ose nuk dëgjoheshin, ose vetë kishin dhënë urdhër që të qëllohej.

Rasti tjetër kur sulmohet hyrja me makinë. Ky është rasti tipik kur përdoret arma. Aty nuk u përdor arma nga Garda. Pasi u shkreh demonstrimi, nuk kishte intensitet më, nuk kishte rrezik, Garda vrau 4 qytetarë dhe shyqyr që nuk vrau më shumë se mund të kishte më shumë viktima.

Prokuroria e nxori vrasje nga pakujdesia. Nuk është vrasje nga pakujdesia. Është vrasje me dashje. Komandanti që drejtonte Gardën ishte prezent. Të terë ata që ishin prezentë kanë kryer krim. Kur vjen puna të përgjegjësia, shpërdorimi i detyrës vjen nga drejtuesit e policisë e të Gardës, e deri te titullari i Kryeministrisë i cili është deklaruar vete, duke shmangur, duke akuzuar, duke moslejuar zbatimin e urdhrave të Prokurorisë.

Një prokuror që e ndien mirë përgjegjësinë duhet t’i kishte vënë prangat që atëherë Berishës. Por ai prokuror zbatonte urdhrat e kryeministrit. Berisha është përgjegjësi kryesor që janë prishur provat.

Gjatë kohës që shërbeva si këshilltar në Ministrinë e Brendshme, gjeta një listë me emra të kuadrove të cilët ishin shpërblyer për tubimin 21 janarin, për punën e tyre. Janë shpërblyer me shumë mbi 2 milionë lekë, përfshirë drejtues të policisë dhe gardës për punën e mirë që kishin bërë se kanë mbrojtur Kryeministrinë. Vetëm një ndër drejtuesit nuk kishte pranuar duke thënë se e kishte për turp të pranonte para për një tubim ku u vranë 4 njerëz. Ai ishte Muhamet Rrumbullaku. Ky veprim tregon integritet.

Të gjithë të tjerët kishin marrë para për një tubim ku u vranë 4 njerëz. Një pjesë e mirë e tyre janë ende në shërbim në Policinë e Shtetit. Kjo për mua është skandaloze. Ajo që uroj për këtë rast është që prokuroria t’i futet me themel kësaj çështjeje meqenëse e ka marrë në dorëzim, për t’i dhënë një mësim vendimmarrjes politike dhe shtetërore. Kush vë duart në organet e drejtësisë, kush jep urdhra të kundërligjshëm të marrë atë që i takon”, thotë Yzeiraj./Dritare Tv

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?