Ish-gjenerali Richard Shirreff

Bota

Ish-gjenerali Shirreff: NATO duhet të godasë avionët luftarakë rusë, Putini kupton vetëm gjuhën e forcës

1 Tetor, 07:54| Përditesimi: 1 Tetor, 08:09

  • Share

Richard Shirreff, ish-gjeneral i ushtrisë britanike dhe ish-nënkomandant i NATO-s në Evropë, paralajmëron se, për shkak të dobësisë së udhëheqjes politike dhe mungesës së parandalimit, NATO rrezikon të dështojë në një përballje të madhe me Rusinë. Sipas tij, kjo mund të ndodhë jo sepse forcat janë të dobëta, por se nuk po ia vendosin kufijtë presidentit rus Vladimir Putin. 

Në një intervistë për La Repubblica, ai tha se mungesa e reagimit të ashpër ndaj shkeljeve ajrore nga Rusia në hapësirat e Polonisë dhe vendeve të tjera, tregon një problem serioz në aftësinë penguese të NATO-s. Ai thekson se Aleanca duhet të ndërmarrë hapa të guximshëm, si rrëzimi i avionëve rusë që shkelin qëllimisht hapësirën ajrore të vendeve anëtare, një veprim që, sipas tij, do të përçonte një mesazh të qartë ndaj Kremlinit.

"Dobësia e lidershipit politik të NATO-s dhe sidomos mungesa e fuqisë penguese ndaj Rusisë, që është vitale për ekzistencën e Aleancës. Domethënë, t'i bëjmë Putinit të kuptojë se ne jemi seriozë. Pa parandalim, NATO do të shpërbëhet.", u shpreh ish-gjenerali. 

Ai përmendi si shembull Turqinë, e cila rrëzoi një avion rus në vitin 2015, duke bërë që Moska të tërhiqet menjëherë nga provokimet ndaj saj. Shirreff paralajmëron gjithashtu për rrezikun real të një sulmi rus në vendet baltike dhe në korridorin strategjik të Suwalki-t, që do të mund të ndante NATO-n në dysh.

Artikulli i plotë:

Richard Shirreff, 69 vjeç, ish-gjeneral i ushtrisë britanike dhe ish-nënkomandant i NATO-s në Evropë, disa ditë më parë shkroi një artikull apokaliptik, sipas të cilit Aleanca Atlantike mund të humbasë një Luftë të Tretë Botërore të mundshme  kundër Rusisë dhe Kinës, për vetëm pak ditë. Pse?

"Sepse është një mundësi reale".

Por NATO është vërtet kaq e dobët?

"Potencialisht jo, aspak. Përkundrazi, mund të jetë një fuqi absolute në planin ushtarak. Por disa javë më parë rusët me dronët e tyre depërtuan në qiellin e Polonisë me lehtësi të jashtëzakonshme, përveç shkeljeve me avionë në Estoni dhe vende të tjera".

Cili është problemi i vërtetë?

"Dobësia e lidershipit politik të NATO-s dhe sidomos mungesa e fuqisë penguese ndaj Rusisë, që është vitale për ekzistencën e Aleancës. Domethënë, t'i bëjmë Putinit të kuptojë se ne jemi seriozë. Pa parandalim, NATO do të shpërbëhet."

Në këtë kuptim, NATO duhet të rrëzojë avionin e radhës rus që shkel me dashje qiellin e NATO-s?

"Absolutisht po. Madje, duhej ta kishte bërë prej kohësh. Rusia ka nisur një luftë hibride kundër Europës prej të paktën dhjetë vitesh, përmes sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe vrasjeve jashtë vendit, si ato të Salisbury në 2018. Putini kupton vetëm gjuhën e kërcënimeve. NATO duhet të jetë e qartë me të, duke thënë: herën tjetër do të rrëzojmë avionët rusë'.

Siç bëri Turqia në vitin 2015?

"Saktësisht. Që atëherë, Putini nuk guxoi më të shkelte kufijtë e Ankarasë".

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia do të kishte rekrutuar 300 mijë ushtarë të rinj për më pak se nëntë muaj. Një gjë e paparë më parë.

"Sigurisht, Moska ka nevojë për ushtarë të rinj, duke parë si po shkojnë gjërat në Ukrainë. Por, me shumë gjasa, Putini dëshiron të “testojë” kufijtë e NATO-s edhe diku tjetër në frontin lindor të Aleancës, siç e kam paralajmëruar edhe në librin tim War with Russia, një gjeneral jep alarmin, më 2017. Më vjen mirë që shumë të tjerë tani po zgjohen…".

Viktimat e ardhshme do të jenë vendet baltike dhe korridori i Suwalki, që do të këpuste në dysh Aleancën Atlantike?

"E mundshme, sepse do të lidhte drejtpërdrejt enklavën ruse të Kaliningradit me Bjellorusinë, aleate e Moskës. Idealja do të ishte edhe Rumania. Por fitorja e europianëve në Moldavi i ka komplikuar planet e Putinit".

Ndërkohë, çfarë mund të bëjnë NATO dhe Perëndimi?

"Pengesë në çdo nivel. Jo vetëm konvencionale dhe bërthamore, por edhe në luftën hibride, kibernetike dhe asimetrike. Por nevojitet vullneti politik për ta bërë NATO-n të pakapërcyeshme. Sidomos nga ana e europianëve, meqë Amerika e Trump është tashmë një aleat i pabesueshëm. NATO duhet të bëhet europiane dhe ka të gjitha burimet për ta bërë këtë".

Megjithatë Trump tani thotë se Ukraina mund të rikthejë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.

"Është një mesazh enigmatik për t’u shkëputur nga Europa dhe për të thënë: janë punët tuaja".

Është e pashmangshme lufta mes Rusisë dhe NATO-s?

"Jo. Por do të mund ta shmangim vetëm nëse NATO do t’i tregojë Putinit se është e pamëshirshme kundër inkursioneve të reja të Moskës. Nëse përkundrazi Aleanca do të tregojë se është e depërtueshme, Putini nuk do të ndalet kurrë. Këtë e konfirmon gabimi i madh i Trump në shtrimin e tapetit të kuq për carin në Alaska. Rusët respektojnë vetëm forcën. Këtë e konfirmon historia. Siç thoshte Lenini: nëse futesh në mish, vazhdon përpara, por nëse ndesh në një kockë, të duhet të tërhiqesh".

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?